Mbi 150 mysafirë nga afërsisht 50 shtete janë mbledhur në Prizren në konferencën e dytë vjetore ndërfetare që shënon fillimin e Javës së Tolerancës dhe Pajtimit në Kosovë, e cila do të realizohet nga 23 deri më 30 maj
Respekti i vazhdueshëm dhe mirëkuptimi ndërmjet komuniteteve është prioritet për Kosovën duke u bazuar në historinë e gjatë të diversitetit fetar në vend të asaj të konfliktit të fundit, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Konferenca është organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës me përkrahjen e donatorëve ndërkombëtarë dhe partnerë nga shoqëria civile.
Në konferencë marrin pjesë mysafirë të ndryshëm, si Kardinali Renato Raffaele Martino, Kardinali Deacon në Vatikan, Budimir Loncar, ish-Ministër i Punëve të Jashtme i Jugosllavisë dhe Faisal Bin Abdul Rahman Bin Muaammar, Sekretar i Përgjithshëm i Qendrës për Dialog Ndërkulturor dhe Ndër fetar i Mbretit Abdullah Bin Abdulaziz.
Kjo ngjarje shënon fillimin e një serie të aktiviteteve gjatë Javës së Tolerancës dhe Pajtimit për të promovuar dialogun e vazhdueshëm dhe mirëkuptimin në Kosovë dhe më gjerë.
Këto aktivitete përfshijnë promovimin e librit “Shkatërrimi i trashëgimisë islame në Luftën e Kosovës 1998- 1999” në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës më 27 Maj dhe një ligjëratë publike nga Madhëria e Tij Princ Ghazi Bin Muhammad i Jordanisë në temën “Kur’ani dhe Dashuria” më 29 maj.