Iftar madhështor në Tiranë

Minibashkia Bajram Pasha e Stambollit, në bashkëpunim me Komunitetin Mysliman dhe Bashkinë e Tiranës, organizoi më 12 korrik 2014, një iftar të hapur në pedonalen “Murat Toptani” në kryeqytet.

Me qindra besimtarë e banorë të kryeqytetit kishin mbushur tryezat e shtruara, duke pritur çastin e këndimit të ezanit të akshamit, pas të cilit lutjet dhe urimet drejtuar njëri-tjetrit për një agjërim të pranuar dhe iftar të këndshëm ishin evidente. Ajo që binte në sy dukshëm ishte prania e shumtë e fëmijëve, të cilët tepër të entuziazmuar shijonin këtë vakt iftari në shoqërinë e të rriturve.

Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, në fjalën e tij drejtuar pjesëmarrësve theksoi se Komuniteti Mysliman ka shtruar dhe do të vazhdojë të shtrojë iftare në bashkëpunim me partnerë të ndryshëm, me qëllim që muaji i Ramazanit të përjetohet nga i madh e i vogël. Ai falënderoi drejtuesit e minibashkisë Bajram Pasha për këtë dhuratë të çmuar, që sipas tij i kontribuuon gjallërimit të jetës fetare në Ramazan dhe luan një rol të madh në rritjen dhe forcimin e frymës vëllazërore mes dy popujve tanë miq.

Fjalë përshëndetëse mbajtën edhe përfaqësuesi i Bashkisë së Tiranës, Ambasadori i Turqisë në Shqipëri, Hidajet Bajraktar dhe përfaqësuesi i minibashkisë Bajram Pasha.

Pjesë e aktivitetit ishte një program i pasur kulturor me këndim Kur’ani, ilahi dhe pjesë të folklorit e trashëgimisë osmane.

Për çdo vit minibashkia Bajram Pasha nis të ashtuquajturin “Karvani i bereqetit” në tetë shtete të Ballkanit, ku shtron iftare masive në kuadër të muajit të Ramazanit. Ndalesa e radhës ishte Shqipëria. Mikpritëse të kësaj sofre bujare krahas Tiranës ishin po ashtu Shkodra dhe Kavaja.


[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/4_1405418467.jpg[/img]

[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/3_1405418521.jpg[/img]

[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/2_1405418569.jpg[/img]

[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/1_1405418669.jpg[/img]