Nuk ka asgjë më të rëndësishme se dashuria e nënës, këtë e dëshmon më së miri nëna Kumrisan Gunes, nga Turqia, e cila për katër vite e dërgon në shkollë djalin e saj të paralizuar duke e mbajtur në shpinë.
Kumrisan ka tre fëmijë, ndërsa më i riu prej tyre, 14-vjeçari Ramazan, është i paralizuar që nga mosha 10-vjeçare.
Për të mos mbetur prapa në arsim, nëna 60-vjeçare Kumrisan Gunes të birin e mbart në shpinë të saj deri në shkollën që është një kilometër larg nga shtëpia e tyre.
Ramazan ka mbetur i paralizuar pavarësisht operacionit, ku mjekët tentuan t’ia kthejnë aftësinë për të ecur normal si të gjithë bashkëmoshatarët tjerë. Si dhuratë mori edhe karrocë për invalidë. Kumrisan Gunes thotë se bën gjithçka për birin e saj që të jetë i lumtur dhe të mos ndihet ndryshe nga fëmijët tjerë.
Bashkëshorti i saj ishte bari, por për shkak të problemeve shëndetësore është detyruar ta braktisë atë punë. Kështu që tani nëna Kumrisan kujdeset edhe për të birin edhe për shëndetin e bashkëshortit të saj.
Deri para një viti ka bartur në shpinë djalin e saj çdo kund që ishte nisur. Por, pasi që vitin e kaluar morën karrocën posaçërisht për invalid, tani, veçanërisht në ditët e verës, me të birin më shpesh do të mund të dalin jashtë. “E kam regjistruar në shkollë, sepse kështu donte. Për katër vite e dërgoj në shkollë duke mbajtur në shpinë. Nuk ndjehem pakëndshëm për këtë”, tregon Gunes për Anadolu Agency (AA).
Ajo thotë, kur e shikon fytyrën e birit, e gjithë lodhja e saj zhduket dhe shton se Ramazani nuk ka miq, prandaj kohën kryesisht e kalon me të, por edhe i ndihmon në punët e shtëpisë. “Nëna ime më rriti mua, më dërgon në shkollë, më kthen, lan rrobat e mia… Nëna ime është gjithçka për mua”, thotë 14 vjeçari Ramazan.