Këto ditë në kuadër të veprimtarisë botuese të Rijasetit të BFI-së nga shtypi doli vepra e shumëpritur MONUMENTET KULTURORE-FETARE ISLAME NË MAQEDONI.
Kjo vepër e realizuar në një dizajn specifik është e ilustruar edhe me fotografi në kolor të objekteve për të cilat bëhet fjalë. Materiali është i shtrirë në 244 faqe, është i ndarë në katërmbëdhjetë pjesë, respektivisht ofrojnë pasqyrën e kulturës islame të katërmbëdhjetë qyteteve të vendit tonë.
Në këtë libër janë të përfshira objektet e kulturës dhe trashëgimisë Islame – xhamitë më të rëndësishme dhe më të vjetra. Materiali i shkruar dhe fotot e ilustruara në këtë vepër, gjithsesi ofrojnë një mundësi shumë të mirë për ata që duan të njoftohen për së afërmi me objektet dhe kulturën islame në vendin tonë, të trashëguar nga Shteti Osman, e cila tani më ka mbushur mbi një shekull nga largimi i saj nga këto troje.
Objektet fetare të trashëguara nga periudha osmane, janë nën përkujdesjen e pronarit të tyre legjitim, Bashkësisë Fetare Islame të RM, e cila bën përpjekje që këto objekte të ruhen si sytë e ballit, sepse vërtetë ata paraqesin një bukuri të rrallë të arkitekturës islame.
Marrë parasysh se deri më tani për këtë trashëgimi kulturore islame shumë pak është shkruar, sidomos në gjuhën shqipe, libri në fjalë i autorëve Dr. Abas Jahjai dhe Abaz Islami, do ta pasurojë fondin e librave kushtuar trashëgimisë kulturore Islame.
Projekti për botimin e një vepre të këtillë parasheh që e njëjta të botohet edhe në gjuhen turke, maqedonase dhe angleze. Botimi në fjalë në aspektin material është përkrah nga Muftinia e BFI-së Shkup, Manastir edhe Strugë./BFI/