Butësia dhe vetëpërmbajtja

Sedat Islami


Të nderuar vëllezër besimtarë!
Robërit e sinqertë të Allahut edhe sot janë protagonistë kryesorë të ligjëratës sonë. Edhe në këtë hutbe ata kanë pushtuar hapësirën tonë, dhe vëmendja, e tëra, është e përqendruar tek ata. Nëse javën e kaluar patëm filluar përshkrimin e tyre, një përshkrim që kufizohej, thënë disi, brenda vetvetes; patëm folur për modestinë, e cila, siç nënvizon Kardavi1, ka të bëjë vetëm me njeriun dhe vetveten e tij, - sot do të flasim për tiparin e dytë të tyre, që është i një rëndësie jashtëzakonisht të veçantë, jo vetëm sepse në aspektin e marrëdhënieve tejkalon njeriun, por edhe për faktin se ka të bëjë me një shtresë njerëzish, që kanë karaktere të ulëta: arrogantë, sharlatanë, huliganë, etj.. Më konkretisht, lëndë shtjellimi e ligjëratës sonë sot është pjesa e dytë e ajetit 63 të kaptinës el-Furkan:“… e kur atyre me fjalë u drejtohen injorantët, ata thonë: “Paqe!”.Por të rikujtojmë më parë rëndësinë e moralit në Islam. Islami moralin e ka bërë sinonim. Salimi, i biri i Abdullahut, transmeton prej babait të tij (Ibni Umerit), se Pejgamberi, alejhi’s selam, kishte kaluar pranë një medinasi që këshillonte vëllanë për turp-moral, të cilit i kishte thënë: “Lëre, sepse turpi është pjesë e besimit”. (Buhariu) Ndoshta këtu qëndron edhe sekreti pse besimtari më i mirë është ai që e ka moralin më të mirë. Pejgamberi, alejhi’s selam, ka thënë: “Besimtarët me besim më të përkryer janë ata që janë më të moralshmit”2.

Besimtarë të dashur!
(Botëkuptimet reale të butësisë dhe vetëpërmbajtjes) Përvetësimi i karakterit dhe cilësive të robërve të Allahut është moral, që për bazë ka fuqinë. As modestia, për të cilën folëm në hutben e kaluar, por as butësia, të cilën jemi duke e shtjelluar tani, nuk janë imazhe të dobësisë, por të fuqisë dhe dinjitetit. Ky (përshkrim) është një lavdërim për ta – sqaron Sa’diu në tefsirin e tij3 – për arsye se ata nuk e kthyen të keqen me të keqe dhe as që ranë në shkallën e injorantëve. Prandaj, butësia (në arab. El hilmu) është shpjeguar si vetëpërmbajtje nga hidhërimi. Butësia, në fakt, është mesatarja e dy ekstremeve: hidhërimit, ku ashpërsia tejkalon kufijtë, dhe budallallëkut, ku butësia më nuk ka kuptim. Se me butësi synohet fuqia shpirtërore dhe zhveshja nga vetitë e urryera, dëshmojnë tekste të shumta fetare. Kur përdoret si cilësi e Allahut, ajo vjen paralelisht me cilësi të tjera, që dëshmojnë për ekskluzivitetin e saj si tipar morali e fuqie, dhe assesi e kundërta. Mu për këtë, në Kuran, ajo është shoqëruar edhe me cilësi të tjera, si: gafur, alim, ganijj, shekur.
Thotë Allahu: “... All-llahu është i butë dhe fal shumë.” (El-Bekare, 225). Kurse Pejgamberi, alejhi’s selam, duke folur për këtë moral, kishte thënë: “Nuk është i
fortë ai që ka fuqi fizike në mundje, por i fortë është ai që vetëpërmbahet gjatë hidhërimit”. (Transmetim unanim)
Dr. Kardavi, duke folur për këtë tipar të lartë morali, jep komente shumë të mira, një pjesë prej të cilave do t’i shkëpusim këtu për t’jua sjellë juve –të dashur vëllezër- si një buqetë parimesh, me të cilat besimtari do të duhej të ndërtonte personalitetin e tij.

1- Nuk e kthejnë të keqen me të keqe, po me të mirë, edhe pse kjo në fakt është e drejtë e tyre dhe kanë mundësi hakmarrjeje. Allahu ka thënë: „Nuk është e barabartë e mira dhe e keqja. Andaj, (të keqen) ktheje në mënyrën më të mirë, se atëherë ai, me të cilin kishit njëfarë armiqësie, do të bëhet mik i afërt.“ (Fussilet, 34)
Enes b. Maliku qe pyetur për domethënien e këtij ajeti dhe pati thënë: “Kjo është kur njeriun e fyen vëllai i tij, ndërsa ky ia kthen: Nëse jam kështu, atëherë
Allahu më faltë, e nëse ti je duke gënjyer, edhe ty Allahu të faltë”!
2- Fjalori i tyre është i pastër, i zhveshur nga banalitetet dhe shprehjet që sjellin dënimin në zjarre të Xhehennemit. Ata thonë: Paqe! Paqe!
3- Rrugët janë të ndara. Besimtarët janë të ndryshëm jo vetëm nga jobesimtarët, por edhe nga mëkatarët. Rruga e tyre nuk të shpie kurrë tek arrogantët.
4- Urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja, janë pjesë e jetës së besimtarit. Të motivuar nga Kurani dhe Syneti, ata urdhërojnë namazin, agjërimin, haxhin, zekatin, kurse të këqijat i ndalojnë në tërësi.
5- Besimtari është kureshtar për kohën e tij. Duke e ditur se vdekja është e pashmangshme dhe se pas saj më kthim nuk ka, ai nuk ndalet të humbasë kohë me tekanjozë e moralprishur, por shfrytëzon çastet dhe bën diçka për të qenë sa më afër Allahut. (Kush janë injorantët?) Kështu, nëse i kemi të qarta sado pak këto, atëherë përfundimisht mund të konstatojmë se Xhahil (injorant, arrogant) është çdokush që kundërshton Allahun, çdokush që teka i ka mbizotëruar mbi të vërtetën dhe epshi ka ngadhënjyer mbi mendjen e tij.

Muslimanë të respektuar!
(Rëndësia e butësisë) Se sa e rëndësishme është prania e këtij tipari moral në personalitetin e besimtarit, argumentojnë edhe veçoritë e tij, prej të cilave do të veçoja:
1- Si tipar, është edhe Cilësi e Allahut. Allahu ka thënë: “... Ai është i butë dhe fal shumë.” (el-Isra, 44.)
Buhariu dhe Muslimi transmetojnë se Pejgamberi, alejhi’s selam, ka thënë: “Nuk kam parë askënd që duron të këqijat më shumë se Allahu; i shpifin fëmijë, kurse Ai i ushqen, ua shuan etjen, i furnizon dhe u jep shëndet”.
2- Tipar i profetëve, alejhimu’s selam. Kur Allahu përshkruan Ibrahimin, alejhi’s selam, thotë: “...S’ka dyshim, Ibrahimi ishte shumë i ndjeshëm dhe i butë.”
(et-Teubeh, 114.)

Vëllezër të nderuar!
Përmbylljen e këtyre fjalëve të pakta dhe modeste për këtë moral madhështor, do të doja ta bëja me momente të mrekullueshme dhe qëndrime mahnitëse legjenda të gjalla, të cilat para nesh sjellin heronj që arritën butësinë ta përkthejnë në vepra, ta jetësojnë në praktikën, sjelljet dhe veprimtaritë e tyre… S’do mend se këtë listë e kryeson vula e profetëve, mësuesi i njerëzimit, mëshira e botëve, Muhammedi, a.s.. Allahu jo vetëm që mbolli butësinë në shpirtin e tij, por atë ia bëri pjesë të programit: “Ti ishe i butë ndaj atyre, ngase All-llahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do shkapërderdheshin prej teje, andaj ti falua atyre dhe kërko ndjesë për ta, e konsultohu me ta në të gjitha çështjet, e kur të vendosësh, atëherë mbështetu në All-llahun, se All-llahu i do ata që mbështeten.” (Ali Imran, 159.)
Ibni Mes’udi, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se pas betejës së Hunejnit, Pejgamberi, alejhi’s selam, ndau plaçkën e luftës. El-Akre’ b. Habisit dhe Ujejnes u dha nga 100 deve, disa nga preja u dha edhe disa esnafëve arabë dhe i veçoi - favorizoi me pre (kjo, për tua zbutur zemrat). “Me këtë ndarje nuk u tregua drejtësi dhe as që u synua kënaqësia e Allahut me të”- tha një njeri. Pasha Allahun! Unë do t’ia përcjell Profetit, a.s., këtë që the - tha Ibni Mes’udi. Shkova –vazhdon Ibni Mes’udi - dhe ia rrëfeva ngjarjen, kurse ai tha: “E kush bën drejtësi nëse Allahu dhe i dërguari i Tij nuk bëjnë drejtësi? Allahu e mëshiroftë Musanë; qe sprovuar edhe më shumë e duroi! (Buhariu)
Muaviu, Allahu qoftë i kënaqur me të, njëherë u pati ndarë ca rroba myslimanëve. Një plaku të moshuar nga Damasku i dha një rrobë, e cila nuk i pëlqeu. Plaku, i hidhëruar e plot zemërim, u zotua se do t’ia jepte për koke (do ta godiste me) atë rrobë. U ngrit dhe shkoi tek Muaviu dhe i rrëfeu për zotimin. “Kryeje zotimin tënd
dhe le të jetë i butë plaku me plakun (nëse më godet, atëherë bëje, mos më lëndo shumë)”- i tha Muaviu.
Omer b. Abdu’l Azizi një natë, derisa po vëzhgonte gjendjen e Ymetit, hyri në një xhami të errët dhe këmba i zuri në këmbën e një njeriu që ishte fjetur aty dhe që
nuk dukej. Je i çmendur ti a çfarë?- e pyeti njeriu me hidhërim. Omeri iu përgjigj: Jo. Polici e shoqëronte, deshi të përdorte dhunën ndaj tij, por Omeri e ndaloi me arsyetimin se e kishte pyetur vetëm nëse ishte i çmendur apo jo, për se i kishte thënë - jo. Një njeri e fyeu Shabiun, ndërsa ky ia ktheu: Nëse jam ashtu siç thua ti, atëherë Allahu më faltë, e nëse nuk jam, atëherë Allahu të faltë ty!

Vëllezër besimtarë!
Kjo është rruga jonë dhe ky është misioni ynë. Le të jenë këto parime dhe këta shembuj një motiv dhe shtytje drejt pastrimit dhe zhveshjes së moralit nga injoranca dhe imazhet e saj. Le të bindemi, tash ose kurrë, se të jesh i fortë d.m.th. të falësh, të edukohesh, të jesh krenar për të vërtetën dhe të mos e kthesh kokën nga injorantët. Nëse vrazhdësia na i sulmon zemrat, atëherë ta lajmë atë me ujin e traditës profetike. Ta kujtojmë profetin tonë të dashur dhe butësinë e mirësjelljen e tij, ngase kjo na mjafton!O Zoti ynë! Na zbukuro zemrat tona me besim dhe moral, na vdis si besimtarë dhe na bashko me vepërmirët!

--------------------------------------

1. Hutabu’sh Shejhi’l Kardavi, vell.2, f. 19.
2. Hadithi është autentik. Shih: Es-Silsiletu’s sahihah, 1/511.
3. Tejsiru’l Kerimi’rr Rrahman fi tefsiri kelami’l Mennan, Abdurrahman b. Nasir es-Sa’dijj, libraria esh-
Shamileh.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme