Në Gostivar u organizua manifestimi tradicional “Mirëserdhe o Resulall-llah”

Me një manifestim impozant të organizuar nga Myftinia e Gostivarit e nën patronatin e Reisul Ulemasë së BFI në Republikën e Maqedonisë, H. Sulejman ef. Rexhepi, ka përfunduar “Java e Muhamedit a.s.”, nën moton, “Mirë se erdhe o Resul-All-llah”

Më 20 prill (dita e hënë) me fillim prej ora 17, në Palestrën sportive “Rinia”, u mbajt manifestimi qendror dedikuar ditës së lindjes së Pejgamberit a.s.

Në këtë manifestim të transmetuar drejtpërdrejtë nga MTV2 - Programi në gjuhën shqipe, të pranishmëve, përfaqësuesve më të lartë të pushtetit vendor, mysafirëve si dhe mbarë opinionit të vendit i është drejtuar Reisul Ulema i BFI në Republikën e Maqedonisë, H. Sulejma ef. Rexhepi.

Pasi i përshëndeti të pranishmit dhe ua uroji këtë ditë të bekuar, efendi Rexhepi foli edhe mbi personalitetin e Pejgamberit, Muhamedit a.s., si përhapës i Dritës së Vërtetë, i Fesë Islame. Me këtë rast, Reisul Ulema ka nënvizuar se do të mposhten të gjitha tendencat e fundit për ta shtrembëruar dhe për ta njollosur Islamin. Ai i kritikoi qarqe të caktuara që financojnë grupe të ndryshme për të spekuluar me fenë Islame. “Të pranosh se në Islam ka radikalizëm, se në Islam ka terrorizëm kjo është një fatkeqësi, kjo është çmendur dhe është atak mbi fenë Islame. Andaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm, mos të bëhemi shkaktar ne si individë dhe si popull që të akuzohet Islami dhe të identifikohet Islami me sjellje brutale, çnjerëzore dhe mbi të gjitha anti-Islame dhe anti-njerëzore. Nëse e lejojmë këtë, ne në fakt do ta tradhtojmë amanetin e pranuar nga ana e Pejgamberit a.s.. Atëherë nuk do të kishin kuptim as manifestimet e këtilla në të cilat ne e përkujtojmë Pejgamberin tonë, vulën e pejgamberisë”, ka thënë veç të tjerash, Reisul Ulema i BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi.

Me këtë rast, të ftuarit janë përshëndetur nga Myftiu i Myftinisë së Gostivarit, Shaqir ef.Fetahu, i cili në fjalën e vet përshëndetëse ka vënë theks në përkujtimin e jetës dhe veprës së Pejgamberit më të Madh të njerëzimit.

Në prezencë të përfaqësuesve të pushtetit vendor dhe qendror, subjekteve politike si dhe shumë mysafirëve të tjerë, ndër të cilët edhe myftiu i Ankarasë, Mefail Hizlis si dhe myftiu i Tiranës Ylli Gurra, u prezantua një program i bujshëm artistik i përgatitur nga kori i vajzave të Medresesë dhe kori i myftinisë së Gostivarit.
Programi u hap me këndimin e pjesëve nga Kur’ani i Shenjtë nga ana e njërit prej zërave më të mirëve në botë, imam Riza Gynaj nga Republika e Turqisë.
Në këtë manifestim performoi, në mënyrë të shkëlqyeshme, edhe artisti i popullit shqiptar, Reshat Arbana.
Për personalitetin e Pejgamberit a.s. foli nga këndi i profesionit piktor edhe karikaturisti i mirënjohur shqiptar, z. Bujar Kapexhiu.
Myftiu i Gostivarit, në shenjë falënderimi për personalitetet e lartë të jetës fetare e publike si dhe për mysafirët e nderuar, shtroi një koktej dhe më pastaj edhe darkë, duanë e së cilës e bëri Myftiu i Tiranës, z. Ylli Gurra.
Në fund të nënvizojmë faktin i cili flet se kjo Myftini, edhe njëherë u dëshmua për afinitete organizative, për pritje dhe kujdes të veçantë ndaj mysafirëve të ftuar. /bfi.mk/

[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/1_1429706479.jpg[/img]

[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/2_1429706492.jpg[/img]

[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/3_1429706505.jpg[/img]