Në Shushicë të Istogut është inauguruar xhamia “Mehmet Akif Ersoy”

Në Shushicë të Istogut është inauguruar xhamia “Mehmet Akif Ersoy”, e ndërtuar në vitin 1861, ndërsa e djegur më 4 prill të vitit 1999, e tash e restauruar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).

Pjesë e inaugurimit ishte edhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i cili nëpërmjet video lidhjes ka dërguar mesazhin e urimit për mbi një mijë personat e pranishëm në ceremoninë solemne të rihapjes së Xhamisë Mehmet Akif Ersoyit në fshatin Shushicë të komunës së Istogut
Përveç autoriteteve komunale të Istogut, në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë edhe ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Songül Ozan, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava, kryetari i kontingjentit të trupave turke në Kosovë si dhe ministri nga Qeveria e Kosovës.
Kryetari i Istogut, Haki Rugova falënderoi qeverinë turke për bashkëpunimin e deritanishëm që kanë pasur, për ndërtimin e shkollës në fshatin Shushicë si dhe restaurimin e xhamisë “Mehmet Akif Ersoy”, si dhe ofroi bashkëpunim edhe në të ardhmen.
“Ne ju jemi shumë mirënjohës, për investimet të bëra nga ana juaj në komunën tonë, përkatësisht në fshatin Shushicë, e cila është edhe vendlindja e veprimtarit të shquar shqiptar Mehmet Akif Ersoy”, tha ndër të tjera kryetari Rugova.
Ambasadorja e Turqisë në Kosovë, Songül Ozan falënderoi kryetarin Rugova për mbështetjen e vazhdueshme që iu është ofruar nga ana e tij. Ajo tha se Mehmet Akif Eroy është vlerë e përbashkët e Kosovës dhe Turqisë, duke rikujtuar vizitën e saj në Shushicë, në vitin 2011, bashkë me kryeministrin e tashëm Davutoglu, kur kishin parë vetëm dy mure të djegura të xhamisë së shkatërruar
“Falënderojmë kryetarin e komunës së Istogut për mbështetjen e vazhdueshme që na është dhënë neve si ambasadë dhe si shtet turk. Ne kemi qenë të brengosur për shkak të gjendjes së xhamisë dhe TIKA, atëkohë, ishte në fazën e përgatitjes së rindërtimit të këtij objekti. Sot, jam shumë e lumtur që jam këtu dhe që po e shoh këtë xhami, këtë vepër tonë historike në këtë gjendje”, ka thënë ambasadorja Ozan.

* * *

Xhamia në fshatin Shushicë të Komunës së Istogut ishte ndërtuar nga banorët e fshatit, në vitin 1861, në kohën e Perandorisë Osmane. Ajo ishte ndërtuar me qëllim që pas kthimit të babait të poetit të famshëm turk me origjinë shqiptare, Mehmet Akif Ersoy-it nga Stambolli, ku ishte për shkollim, ai të kryej detyrën e imamit. Mirëpo, Tahir Efendiu kurrë nuk u kthye në vendlindje pasi që u bë profesor (müderris) dhe mbeti për të shërbyer në Stamboll, ndërsa detyrën e imamëve të xhamisë së fshatit e kishin vazhduar kushërinjtë e Mehmet Akifit.
Në vitin 1999, gjatë luftës në Kosovë, forcat ushtarake dhe policore serbe e kishin djegur xhaminë dhe pjesa më e madhe e saj ishte rrënuar. Në këtë gjendje të shkatërruar, xhamia kishte mbetur deri në fillim të punimeve në mars 2014.
Gjatë rindërtimit të murrit të rrënuar të xhamisë, janë përdorur gurët origjinal dhe kulmi i shkatërruar është ndërtuar në formën dhe me materialin origjinal i cili ishte përdorur para një shekulli e gjysmë.
Bahçja e xhamisë Mehmet Akif Ersoy në Shushicë është shtruar me gurrë dhe janë ndërtuar dy tualete të mbyllura dhe abdeshane.
Po ashtu, në oborrin e xhamisë është ndërtuar edhe një çezme ndërsa është rindërtuar edhe bunari që gjendet jashtë oborrit.
Përndryshe, oborri i xhamisë është rrethuar me murr prej gurit të bukur dhe të stolisur me rrethoja të hekurta të punuara në mënyrë artistike.
Në fund dhe shumë e vlefshme nga aspekti i ruajtjes së trashëgimisë historike dhe kulturore në Kosovë, është vendosur në vendin e vet mbishkrimi origjinal i cili i ka shpëtuar shkatërrimit të xhamisë së Mehmet Akif Ersoyit nga forcat serbe, në të cilin shkruan “Ya müfettih bil ebvab iftahlena hayrel esbab” ose “O ju që i hapni dyert, na i hapni neve dyert e mirësisë”. Këtë mbishkrim, kushërinjtë e Mehmet Akif Ersoyit e kishin ruajtur me kujdes dhe e kishin kthyer aty ku e ka vendin, pas restaurimit.

[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/3_1431082054.jpg[/img]

[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/1_1431082069.jpg[/img]

[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/4_1431082083.jpg[/img]

[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/5_1431082096.jpg[/img]

[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/2_1431082109.jpg[/img]