Myderriz Musa ef. Gashi (1906-1980)

Në radhën e gjatë të myderrizëve të shquar të Pejës, që jetuan e vepruan në shekullin XX dhe që lanë gjurmë jo vetëm në vendlindjen e tyre, por edhe më gjerë, pa dyshim se bën pjesë edhe hoxha, alimi e myderrizi Musa ef, Gashi.

I cilësuar nga kolegët e tij si ”Hoxha i Sheriatit", për shkak të njohjes së mirë të së drejtës së Sheriatit, dhe nga bashkëvendësit dhe xhematlinjtë si "Një hoxhë që s'do të ketë tjetër si ai në vendin e tyre”, Myderriz Musa ef. Gashi, u lind në fshatin Dubovë të Pejës, në një familje atdhetare, patriotike, kombëtare e fetare dhe arsimdashëse.
Mulla Musa që në fëmijëri mbeti jetim. Ai u rrit pa nënën e tij, Gjyke Zogajn, kurse në moshën gjashtë vjeçare ai humbi edhe babanë, Mehmetin, i cili u ekzekutua nga malazezët, në vitin 1912. Po atë ditë, përveç babait Mehmetit, Mulla Musa humbi edhe xhaxhanë Ramën dhe kushëririn Ferizin, që po ashtu u ekzekutuan nga malazezët. Kështu, mbikëqyrja e familjes do t'u mbetet katër djemve të Mehmetit.(1):
Haxhiut - i cili shërbeu si myezin xhamie dhe vdiq në moshën 94 Vjeçare; Kadriut - i cili i vazhdoi studimet në Gjakovë, por nuk i përfundoi sepse vdiq nga sëmundja e kolerës; Sadriut - i cili kreu Medresenë në Pejë dhe shërbeu si imam Ramazani në fshatin Ozdrim; dhe Musait - i cili kreu Medresenë "Atik" në Pejë, ku edhe punoi si edukator për një kohë, për shkak të gjendjes jo aq të mirë ekonomike që e kishte. Ky i fundit studimet i vazhdoi në "Medresenë e Madhe” në Gjakovë, të cilën e kreu me sukses dhe mori ixhazetnamenë/diplomën te myderrizi i shquar Fahri ef. Ilajzi.(2)
Mulla Musa, sa ishte talebe në medrese shërbeu si imam i Ramazanit në disa fshatra të komunës së Istogut.
Me vonë ai u martua me Rabie Kastratin nga Baica, me të cilën patën katër fëmijë: Abdullahun, Sabrijen. Jusufin dhe Subien.
Ndërsa, kur ai mbaroi studimet në Gjakovë, punoi tetë vjet me radhë si imam në Krushë të Madhe të Rahovecit.

[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/1_1444379250.jpg[/img]
Mulla Musa ef. Gashi pas diplomimit në "Medresenë e Madhe" të Gjakovës, në vitin 1940.


Ne vitin 1954 Mulla Musa emërohet imam në fshatin Vrellë të Istogut, fshat në të cilin më parë kishte shërbyer si imam Mulla Jashar ef. Gogaj.(3)
Në detyrën e imamit në xhaminë e fshatit Vrellë, Myderriz Musa ef. Gashi shërbeu deri në pension. Gjatë kësaj kohe, ai u shqua për përkushtimin e tij për xhaminë dhe xhematin e Vrrellës dhe jo vetëm, gjë që atë e bëri të dashur, të respektuar dhe të nderuar nga të gjithë. Mirëpo, puna dhe suksesi i Mulla Musës jo se i pëlqeu edhe pushtetarëve të asaj kohe, dhe për këtë ai nuk u prit mirënia ata. Kjo bëri që imami i nderuar gjatë punës së tij të përballej me vështirësi e keqtrajtime nga regjimi i asaj kohe, sikurse shumica e imamëve që e patën fatin e njëjtë. Kështu, gjatë viteve 1949-1950 Mulla Musën e dërgojnë në komitet për shkak të mbulesës së femrave myslimane, dhe i drejtohen në këtë mënyrë: ”Hoxhallarët e Prizrenit na kanë thënë se: "Nëse Mulla Musa thotë me hek ferexhenë, atëherë edhe ne themi, po."
Mulla Musa kishte nxjerrë një qitap dhe si përgjigje u kishte thënë atyre të Komitetit: "Unë tregoj/them vetëm atë çfarë thotë ky qitap". Kjo përgjigje nuk i kishte kënaqur pushtetarët e kohës, për se edhe e kishin burgosur. Mirëpo, për fat të mirë të Hoxhës dhe të gjithë shqiptarëve, atë natë kur u burgos Hoxha, po atë natë ra edhe pushteti i Rankoviqit. Në vendin ku edhe ishte i burgosur Hoxha shkon një polic shqiptar duke i thënë: "Qou e dil, o Hoxhë, se atë që të ka burgosi ty po e burgosin".
Hoxha u burgos përsëri, në vitin 1972, mirëpo për shkak se iu keqësua gjendja e tij shëndetësore ai qëndroi disa ditë në burg, dhe më pas u dërgua për në spital.(4)
Shkaku i burgosjes ishte me pretekstin se kishte bërë agjitacion dhe propagandë kundër shtetit. Ne fshatin Vrellë, në një dasmë, pasi që këngëtarët kishin kënduar një këngë, Hoxha kishte thënë: ”Vëllezër, ka ardh koha me mësue në shkollë, se a po e shihni serbin çka po na bën!?” Ishte një këngë për famëkeqin Savë Bataren, i cili kishte bërë kërdi dhe kishte kryer krime mbi shqiptarët.(5)
Myderriz Musa ef. Gashi, ishte njohës i mirë i gjuhës arabe, perse dhe turke. Ai kishte një biblioteke të pasur me libra, pjesën më të madhe të së cilës më vonë ia dhuroi Mulla Musa ef. Avdiut.

[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/2_1444379272.jpg[/img]
Mulla Musa në vitet e fundit të jetës

Mulla Musa ef, Gashi vdiq në moshën 74 vjeçare, më 1980. Allahu e shpërbleftë me Xhenet Hoxhën tonë!


______________________
(1) Nga arkivi i pasardhësve të Mulla Musës; Bisedë me nipin e Mulla Musës, Nijazi Jusuf Gashin nga Peja. Biseda është bërë në Pejë, më 15 shkurt 2015.
(2) Bisedë me nipin e Mulla Musës, Nijazi Jusuf Gashin nga Peja. Biseda është bërë në Pejë, më 15 shkurt 2015.
(3) Po aty.
(4) Po aty.
(5) Bisedë me djalin e axhës së Mulla Musës, Mehmet Gashin (85 vjeç) nga fshati Dubovë, bërë më 27 shkurt 2015, në Pejë.



Vehbi Shatri