Punimet për zgjerimin dhe konservimin e xhamisë ”Mustafa Celebiu”një nga objektet sakrale nga më të vjetra të besimit islam në qytetin e Strugës janë drejt përfundimit.
Myftiu i Strugë, Salim Sulejmani potencon se tashmë nga kompania që është përzgjedhur për këtë qëllim pjesën më ta madhe të punëve rinovuese në xhaminë ”Mustafa Celebiu” i ka drejt përfundimit dhe po me këtë ritëm kompania ka punuar në ndërtimin e selisë së Myftinisë saktëson ai.
Sipas Sulejmanit përveç zgjerimit dhe konservimit të xhamisë ”Mustafa Celebiu” donatorët nga shteti turk kanë kontribuar edhe në ndërtimin e Selisë së Myftinisë së Strugës.
Myftiu i Strugës tepër entuziast për finalizimin e punimeve potencon se pas çdo vështirësie vjen lehtësimi dhe ky padyshim është sukses i mundimit kur pyetet për të kaluarën problematike dhe debatin që para disa vjetëve u shkaktua rreth kësaj xhamie.
”Pas vështirësive që kaloi ”Mustafa Celebiu” më në fund jemi afër finalizimit të punimeve për zgjerimin dhe konservimin e kësaj faltore të rëndësishme islame. Në këtë drejtim falënderoj Reis.Ulema. Sulejaman ef Rexhepi i cili në takimet e tija sidomos me figurat fetare të Turqisë ka ngritur çështjen e ”Mustafa Celebiut” gjë që po ndodh tani me kontributin e tyre. Falënderoj institucionet shtetërore, ministritë, komunën e Strugës drejtorinë e Muzeut dhe në veçanti Agjencionin ‘Tika’ që mori përsipër financimin e këtij projekti. Duke ditur rëndësinë dhe historikun e kësaj xhamie dhe identifikimin e saj me Strugën, ku bie në sy elementi kombëtar dhe ai fetar finalizimi i këtij projekti merr një rëndësi të veçantë. Pas çdo vështirësie vjen lehtësimi dhe ky padyshim është sukses i mundimit”, tha Myftiu i Strugës.
Ndërkohë, nga Komuna e Strugës në lidhje me këtë çështje në vazhdimësi janë prononcuar se ata si pushtet vendor mirëpresin finalizimin e këtij projekti në një nga xhamitë më të vjetra në Komunën e Strugës. Tashmë pjesa më e madhe e punimeve rinovuese dhe zgëruese në kompleksin e Xhamisë ”Mustafa Çelebiu” janë kryer ndërsa kanë mbetur edhe disa punë të vogla periferike. Ajo që bien në sy tashmë pas ndërhyrjes është fakti që Struga fitoi një xhami mbresëlënëse dhe dinjitoze në respekt të arkitekturës burimore. Ndërhyrja, që u bë në Xhaminë “Mustafa Çelebiu” gjatë verës së vitit 2012 me qëllim zgjerimin e këtij objekti fetar ngjalli debate të shumta dhe provokoi një serë ngjarjesh të tjera të karakterit politik, fetar por edhe diplomatik. (KOHA/Strugalajm)