Ibtihaj Muhammad, sportistja e parë amerikane me mbulesë në Olimpiadë

Javën e shkuar, skermistja nga Nju Xhersi (SHBA), Ibtihaj Muhammad, mori pjesë në kampionatin botëror me shpata në Athinë, ku u shpërblye me medaljen e bronzit, e mjaftueshme që ajo të sigurojë një vend në ekipin amerikan që do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike.

Dhe kështu, ajo do të bëhet atletja e parë amerikane që do të garojë në Lojërat Olimpike me mbulesë.
"Me këtë, dua të dëshmoj se me punë mund të arrihet çdo gjë dhe dua që të jam shembull për të gjithë pa marr parasysh gjini, fe apo racë”, është shprehur e kënaqur 30-vjeçarja myslimane që garon në sportin e skermës.
Lojërat Olimpike do të zhvillohen në Brazil gjatë gushtit të këtij viti, dhe megjithëse ekipi amerikan do të shpallet në fillim të prillit, skermistja me mbulesë i ka mbledhur pikët e nevojshme për të qenë pjesë e tij.
Ibtihaj Muhammad me sportin e skermës filloi nga mosha 13-vjeçare, pasi prindërit e saj kërkonin një sport ku ajo do t’i përmbahej veshjes muslimane. Dhe skerma është një sport i tillë, që kërkon mbulimin tërësor të trupit.