Intervistë me imamin veteran, Bedri ef.Kidën

Intervistë me imamin veteran Bedri ef. Kida, ish imam në fshatin Cermjan, në xhaminë e Re, xhaminë e Hadumit, të Sofës, të Sefës dhe së fundmi në xhaminë e fshatit Lipovec, ku flet për ditët e tij të fëmijërisë, rinisë, shkollimit të mesëm, superior, inkuadrimin në detyrën e imamit, ballafaqimin e tij me forcat paramilitare serbe, angazhimin e tij në detyrën e imamit në xhaminë e fshatit Cermjan, takimin e tij të parë me ushtarët UÇK-se, angazhimin me shoqatat arabe për kthimin e kosovarëve nga Shqipëria për në Kosovë, caktimin e tij në detyrën e anëtarit të KBI-së etj.

Esat Rexha: Bedri Efendi do të kisha dashur që në pika të shkurta të na njoftoni me biografinë tuaj.

Bedri ef.Kida: Kam lindur në fshatin Xërxe të Komunës së Rahovecit, me ta thënë të vërtetën nuk e di datën e saktë, sepse në kohën kur kamë lindur babai im ishte duke iu prirë xhematit në luftë kundër partizanëve në vendin e quajtur „Vau i Rogovës së Hasit“, diku ka viti 43-44. Më vonë kur erdhi koha të regjistrohem në shkollën fillore, babai më ka regjistruar me dëshmitar më 15.01.1945, në zyrën e vendit në Xërxe, nga babai Mulla Asllan ef. Kida dhe nëna Emine.
Xhaxhai i babës tim, Mulla Bekë efendi Kida, ka qenë hoxhë, më pas djali i tij Mulla Avdullah efendi Kida, kanë qenë hoxhë, por nuk ka shërbye si imam i rregullt, vetëm për muajin e Ramazanit, ne fshatin Krelan. Babai im rahime hullah, ka qenë imam i njohur, i cili që nga viti 1933 e tutje ka shërbyer si imam, në fillim në fshatin Xërxe e pastaj në fshatin Pastasel KK Rahavec. Unë kamë qenë i vetmi fëmijë (djalë hasreti).
Njohurit e para të fesë dhe kulturën Islame e kamë marr në familje. Shkollën fillore e kamë filluar në fshatin Drenovc KK Rahavec, e pastaj tetëvjeçaren në fshatin Cermjan KK Gjakovë.

Esat Rexha: Na jepni një kronologji të gjenezës së familjes tuaj?

Bedri ef.Kida: Sipas tregimeve të pleqve tanë thuhet se jemi familja e parë që jemi vendosur në fshatin Cermjan, të ardhur nga larg, thuhet se nga Tataristani. Familja e jonë ishte familje e gjerë, më vonë familja jonë është ndarë në dy pjesë, një pjesë e familjes tonë është shpërngulur nga fshati Cemjan dhe është vendosur në fshatin Hade KK Obiliq, me mbiemrin Morina, sepse ne jemi fis Morinë. Familja Morina njihet si familje shumë e madhe, e ne nuk i kemi shkëputur lidhjet me këtë familje ende edhe sot e kësaj dite vazhdojmë të mbajmë kontakte.

Esat Rexha: Sa hoxhallarë ka dhënë familja e juaj?

Bedri ef.Kida: Me sa e di unë, e që i kamë mbërri, janë: Mulla Beka, Mulla Asllani - babai im, Mulla Avdullahi, dhe unë Bedriu. E tani nga gjeneratat e raja e kemi Adnan Kiden, i cili është para doktoraturës në Jordan – Aman. Thuhet se i pari ynë ka qenë myfti në Prishtinë, dhe varri i tij gjendet në varrezat e fshatit Cermjan, në oborr të xhamisë. Rahmetliu nuk ka lënë trashëgimtar.

Esat Rexha:Nga cili hoxhë i keni mësuar njohurit themelore të Islamit dhe shkronjat e para të Kur'anit?

Bedri ef.Kida: Shkronjat e para i kamë mësuar nga babi i im, kamë filluar që në moshën 5 vjeçare.

Esat Rexha: A keni vazhduar shkollimin e mëtutjeshëm pas përfundimit të shkollës fillore?

Bedri ef.Kida: Pasi përfundova shkollën fillore jam regjistruar në Medresenë e ulët „Alaudin“ në Prishtinë, e cila ishte e vetmja shkollë fetare për të gjitha trojet shqiptare, Malit të Zi, Sanxhakut, Maqedonisë dhe Preshevës, të cilën mezi e lejoi pushteti i atëhershëm totalitar.

Esat Rexha: Cilës gjeneratë të kësaj Medreseje i takoni?

Bedri ef.Kida: Unë i takoi gjeneratës së fundit të Medresesë së ulët dhe gjeneratës së parë të Medresesë së Mesme.

Esat Rexha: Mulla Bedri, a mund të na thoni cilët kanë qenë mësimdhënësit tuaj në atë kohë?

Bedri ef.Kida: Mësimdhënësit, që na kanë dhënë mësim në atë kohë kanë qenë: Hafiz Bajram ef. Agani, rahime hullah (kam respekt të veçantë për të), i cili ka qenë edhe hoxha themelues i Medresesë, Hasan ef.Nahi, Mulla Rashit ef.Osmani, pastaj Hfz. Muharrem ef.Adili, Kurse nga mësimdhënësit që na jepnin lëndët e përgjithshme – shoqërore kanë qenë: Porf.Selatin Shala, e më vonë Muhamet Fahri Iljazi nga Gjakova, në lëndën e Biologjisë e të tjerë.

Esat Rexha: A ju kujtohet ndonjëri prej shokëve të gjeneratës së tuaj?
Bedri ef.Kida: Shokët e gjeneratës kanë qenë: Dr.Feti ef. Mehdiu, Ismail ef.Rexhepi, Avdi ef.Shabani etj.

Esat Rexha: Çfarë ndikoi që të regjistroheni në Medrese?

Bedri ef.Kida: Tradita dha edukata familjare, unë kamë qen i vetmi në atë kohë i nahijes Gjakovës dhe të Rahavecit.

Esat Rexha: Si ka qenë sistemi i mësimdhënies në kohën tuaj, a ka dallim me sistemin e mësimdhënies të kohës së sotme?

Bedri ef.Kida: Baza është e njëjtë, por metodologjia e mësimdhënies, plan programi etj., kanë pësuar ndryshime të mëdha – janë në hap me kohën.

Esat Rexha: A ju kujtohet kush ka qenë drejtori i parë, edukatori ....?

Bedri ef.Kida: Në atë kohë drejtor i Medresesë ka qenë Hafiz Ismail Haki Ustaibo. Edukator ka qenë Tefik Shala (babai i Abdurrahman Shalës, artistit të merituar) ekonom ka qenë (Xajë Komoni – Baca Xajë, nga Gjakova)...
Esat Rexha: Sa vjeçare ka qenë Medreseja e ulët në atë kohë?

Bedri ef.Kida: Medreseja e ulët në atë kohë ka qenë 4 vjeçare.

Esat Rexha: A mund të shkëputni ndonjë kujtim të veçantë nga jeta në Medresenë e ulët?

Bedri ef.Kida: Po, nga Medreseja kamë shumë kujtime, konvikti në atë kohë ishte i vogël, flinim në një dhomë 30-40 veta, kushtet kanë qenë të vështira.

Esat Rexha: Sa nxënës – talebe keni qenë në Medrese?

Bedri ef.Kida: Kemi qen diku 40-50 nxënës, ishin tri dhoma gjumi dhe dy klasë.

Esat Rexha: Gjatë muajit të Ramazanit a jeni angazhuar në ndonjë fshat si imam i ramazanit dhe ku?

Bedri ef.Kida: Gjatë muajit të Ramazanit, si nxënës, kamë qenë për herë të parë në fshatin Bretatin KK Rahovec, në Llapqevë dhe së fundmi kamë qenë në Mal të Zi në fshatin Vrajë afër Tuzit.

Esat Rexha: Si jeni pritur nga xhemati, meqenëse keni qenë shumë i ri?

Bedri ef.Kida: Jam pritur shumë mirë, më kanë nderuar, respektuar si të isha burrë, kjo duke iu falënderuar autoritetit të babait tim.

Esat Rexha: Pas përfundimit të Medresesë së ulët, ku i keni vazhduar mësimet?

Bedri ef.Kida: I kam vazhduar ne Medresenë e Mesme, edhe 5 vjet.

Esat Rexha: Po pas përfundimit të Medresesë mesme?

Bedri ef.Kida: Në fakultetin filologjik dega e orientalistikës në Beograd, prej aty kam vazhduar në Sudan, në Al Az-har.

Esat Rexha: Pas kthimit tuaj nga tokat arabe, keni konkurruar për vend pune në KBI të Gjakovës, si jeni pritur nga hoxhallarët e vjetër, ju si kuadër i ri?

Bedri ef.Kida: Meqenëse nuk kishte vend në qytet më propozuan të shkojë imam në fshatin Pobergjë të Komunës së Deçanit. Nuk pranova sepse ishte shumë larg shtëpisë dhe unë isha i vetmi fëmijë për prindërit e mi. Në atë kohë m’u ofrua shansi të inkuadrohem në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë.

Esat Rexha: Gjatë kësaj periudhe sa keni punuar në Pallatin e Kulturës, a jeni angazhuar edhe në ndonjë rol të ndonjë drame, nëse po, atëherë sa role keni luajtur dhe a mund të na veçoni ndonjërin prej tyre?

Bedri ef.Kida: në dramën televizive “Rropullari” në regji të Sefo Bejto Krasniqit, i cili në Revistën “Zëri i rinisë’’ pati shkruar: “...me ndihmën e B.Kides e kam realizuar” me ceremonitë fetare mortore, plejbekun e mevludit e kam luajtur unë. Pastaj “Unë Halil Garija, “Personi i dyshimtë”, “Epoka para Gjyqit”, “Pirroja”, “Aksioni i pushkëve”, me Nimon Muqën etj. Kam luajtur edhe si etatist, e herë herë edhe ndonjë rol të vogël

Esat Rexha: Pas Pallatit të Kulturës jeni inkuadruar si imam, kur keni filluar dhe në cilën xhami?

Bedri ef.Kida: Punën e imamit e kamë filluar në fshatin Cermjan, në vitin 1991, e më pas jam transferuar në xhaminë e Re të Gjakovës , në qendër të Gjakovës, pastaj në xhaminë e Hadumit, e së fundmi kamë shërbyer në xhaminë e Sefës.

Esat Rexha: Gjatë kohës sa keni qenë imam në fshatin Cermjan, jeni ballafaquar me policinë serbe?

Bedri ef.Kika: Udhëtoja për çdo ditë, në këtë periudhë ishin masat e dhunshme në Kosovë, ishte kontroll i madh, policët serbë kishin ngritur postblloqe në pikat kryesore të rrugëve. Vazhdimisht më kontrollonin. Mbaj mend, një herë më thanë a ke armë. I thash jo. Më kontrolluan makinën. Kisha literaturë fetare që ua dërgoja xhematit. Më thanë ti je terrorist. I thash jo. Çka i ke këto libra, thash këto janë kundër terrorizmit, kundër dhunës, kundër armëve, këto janë porosi për paqe.

Esat Rexha: Po takimi i parë më UÇK-në?

Bedri ef.Kida: Ka qenë fillimi i muajit mars i vitit l998, ushtria serbe kishte vrarë në pritë tre djem të ri. Njëri ishte i familjes Mazreku i fshatit Drenovc KK Deçan, dy të tjerë kanë qenë të fshatit Prilep, njëri i familjes Tolja dhe tjetri i familjes Dabiqëve. Me të marr lajmin për varrimin e gjetëm një makinë dhe jemi nisur rrugëve dytësore, rrugë pa rrugë, diku afër fshatit Dobrigje kemi hasur në ushtar të UÇK-së. Prej gëzimit që i pashë djemtë tanë ushtar, i thash: “ma jep atë pushkë t’ia puthi tytën” dhe e luta Allahun xh.sh. që t’i ndihmojë. Më pas vazhduam rrugën drejtë fshatit Prilep, për të marr pjesë në varrim, aty e kam mbajtur një fjalim rasti, para të pranishmëve që ishin shuamë.

Esat Rexha: Si ka qenë të jesh imam në atë kohë?

Bedri ef.Kida: Të ishe imam në atë kohë nuk ka qenë e lehtë. Ishe vazhdimisht në vëzhgim të pushtetit të atëhershëm dhe jo aq i respektuar si imam, nga një kategori e caktuar njerëzish.

Esat Rexha: Më pas në jeni caktuar redaktor i bibliotekës së KBI-së, na përshkruani bibliotekën e para luftës?

Bedri ef.Kida: Kur e kam pranuar Bibliotekën, librat kanë qenë të pasistemuara, të grumbulluara në vende të ndryshme. U desh të angazhohem shumë për rregullimin, renditjen dhe sistemimin e librave (ia dhamë bibliotekës pamjen e vërtetë). Ka pas, përveç librave edhe dorëshkrime të vjetra, të shkruara aty këtu me ngjyrë të arit, me kaligrafi të përsosur, edhe libra shkollor në gjuhën turke. Por, personat përgjegjës në atë kohë nuk e kishin mbikëqyrur sa duhet dhe ka raste ku shumë dokumente me vlerë janë marr nga njerëz të ndryshëm nga Prishtina, Beogradi etj.

Esat Rexha: D.m.th., krahas detyrës së redaktorit të Bibliotekës, keni kryer edhe detyrën e imamit, cilën e keni kryer më me ëndje?

Bedri ef.Kida: Të them të vërtetën, më me dëshirë dhe më me ëndje e kamë kryer detyrën e imamit.

Esat Rexha: Një periudhë keni kryer edhe detyrën e arkëtarit?

Bedri ef. Kida: Po, meqenëse arkëtari i rregullt Avdi ef.Shabani u shpërngul nga Kosova për në vendlindje, në Kumanovë, vendi i punës së arkëtarit mbeti vakant, më ofruan mua që përkohësisht ta kryej këtë detyrë, kështu që prej vitit 1997 deri në vitin 2000. Kam qenë edhe anëtar i KBI-së nga viti 1994 deri në vitin 2012, d.m.th. 3 mandate.

Esat Rexha: Si imam a keni mbajtur mësim besim ?

Bedri ef. Kida: Po, kam mbajtur mësim besim dhe kamë pasur sukses të madh. Ishte kënaqësi e pa përshkruar të punosh me zemra të pastra fëmijësh. Sa kam qenë imam në xhaminë e fshatit Cermjan ka shumë prej të rinjve që sot janë aktiv në kryerjen e riteve fetare. Ka prej tyre që janë edhe imam, si Ahmet ef. Hoxha (kryetar i tashëm i KBIGJ-së dhe Adnan ef.Kida. Po ashtu në xhaminë e Re në Gjakovë, kamë mbajtur mësim besim me të rinj, kam pasur një numër të konsideruar fëmijësh, bile disa prej tyre sot janë imam, si Pleurat ef. Krasniqi nga Gjakova dhe Afrim ef.Halilaj nga fsh.Guri i Kuq (i ish Petkoviq).

Esat Rexha: Lufta e fundit iu ka detyruar të shpërnguleni për në Shqipëri. Si e gjetët vetën gjatë qëndrimit në Shqipëri, a jeni marr me aktivitete fetare?

Bedri ef.Kida: Me rastin e luftës së fundit jemi shpërngulur për në Shqipëri, bashkë me familjen Rexha. Problemi më i madhi i imi ka qenë frika për djalin tim Armandin, sepse e kërkonin policia serbe, ngase kishte qenë pjesëtarë i UÇK-së, por falë ndihmës së Allahut xh.sh. shpëtuam pa kurrfarë problemi. Gjatë qëndrimit tim në Shqipëri, kamë kaluar shumë mirë, fal njohjes së gjuhës arabe jam angazhuar si përkthyes me shoqata humanitare arabe. Jam angazhuar edhe si imam në kampin e Tiranës te Liqeni (për çdo ditë jam lutur për babën tim që u bë sebep e më ka lënë në këtë drejtim, inshalla Allahu na takon në Xhenet).

Esat Rexha: A jeni dëmtuar gatë luftës?

Bedri ef.Kida: Falënderimi i takon Allahut Fuqiplotë, i cili na shpëtoi mua, familjen dhe pasurinë time. Më së shumti më janë dhimbsur dokumentet arkivore, librat e bibliotekës, dorëshkrimet si dhe dokumentet e mia dhe literatura të ndryshme që i kisha sjellë për t’i ruajtur në bibliotekë.

Esat Rexha: Sa keni qenë në moshën e re a keni menduar se një ditë do të bëheni imam dhe a keni pasur vështirësi prej rrethit – gjeneratës tuaj?

Bedri ef.Kida: Babai im, rahmet pastë, ishte i flaktë që të bëhem imam, por mjerisht nuk ia arriti ymri që ta përjetoj atë kënaqësi. Vështirësitë, pengesat, sfidat ishin të mëdha, por sabri – durimi i mundi të gjitha.
Esat Rexha: A do të veçonit ndonjë moment nga ajo kohë si imam?

Bedri ef.Kida: Po, kënaqësia ime më e madhe ishte kur vepronim bashkë me ty para luftës, kur organizonim tribuna fetare në fshatra dhe në qytet, në atë kohë ishte edhe Mulla Ismail ef.Rexhepi nga Prizreni, imam në xhaminë e Hadumit dhe ushtrues i detyrës së kryeimamit. Organizonim takime me intelektual, me prijës të Kishës katolike, me përfaqësues te tarikateve etj. Pas luftës aktivitetet me studentët në fshatrat e Rekes së Keqe, Dushkajës dhe të Hasit, diku nja 20 fshatra, i mbulonim me mësim besim. Kemi mbajtur mësim besim edhe nëpër shkolla fillore (kuptohet gjatë pushimeve verore) si më poshtë vijon: në shkollën fillore të fshatit Berja, ka mbajtur mësim besim Fatmir Iljazi, në fshatin Smolicë: Esat ef.Rexha, në Batushë: Namik ef.Vehapi, në çerdhen e fëmijëve në fshatin Shishman të Rrafshit: Arsim ef.Morina dhe Abdurrahman ef.Bejtullahu, në fshatin Lipovec dhe Demjan: kamë mbajtur unë bashkë me Namik ef. Vehapin. Në fsh. Sheremet dhe Dobrigje: Enes ef.Rexha etj. Nga kjo punë pres që Allahu të mi falë mëkatet dhe t’më merr në Mëshirën e Tij të pa matur dhe t’më bashkoi me prindërit e mi, duke shpresuar në duatë – lutjet e nxënësve të mi, të cilëve ua kamë mësuar së paku shehadetin.

Esat Rexha: Na e përshkruani pak gjendjen e KBI-së, kur e keni pasur takimin e parë dhe në çfarë gjendje e keni gjetur kur keni filluar si imam?

Bedri ef.Kida: Në takimin e parë timin me KBI-së si ri ka pas më shumë hoxhallar – imam të gjeneratës së babait tim, të cilët të lenin një përshtypje të mirë në pamjen e tyre të jashtme, të veshur me uniformë të hoxhës (shall, xhybe, disa me shallvare dhe me mjekër), por objekti ku punonin ka qen karakteristik në pikëpamje arkitektonike, por me hapësirë të vogël... me inventarë të vjetër.... Më vonë kur jam inkuadruar si imam, të them të vërtetën, ka qenë ndryshim i madh, si në pikëpamje të kuadrit punonjës, ku numri ka qenë i vogël.

Esat Rexha: Bedri efendi, na tërhiqni një paralele në mes gjeneratës së hoxhallarëve të vjetër dhe gjeneratës tuaj?

Bedri ef.Kida: Gjenerata e hoxhallarëve të vjetër më gjeneratën time ka dallim të madh, në të gjitha aspektet, si intelektuale, morale, humane etj. Kurse gjenerata e tanishme ka dallim të madh me gjeneratën time, janë më të shkolluar, më të zellshëm, normal kemi pak dallime ne mendime, por ato janë kaluese, por burrni kemi pas më shumë ne gjenerata e vjetër.

Esat Rexha: Sfidat me të cilat është ballafaquar KBI në Gjakovë në kohën tuaj?

Bedri ef.Kida: Sfida më e madhe ka qenë mungesa e kuadrit të imamëve, gjendja e rëndë ekonomike, ishte kohë e masave të dhunshme, nuk funksiononte ligji, nuk kishte siguri as fizike as shëndetësore.

Esat Rexha: Si keni arritur t’i tejkaloni ato sfida?

Bedri ef.Kida: Me optimizëm, mund dhe sakrificë të madhe, e me mbështetje në Fuqinë e Allahut të Madhërishëm


Esat Rexha: Keni bërë ndryshime në aspektin e organizimit të jetës fetare, na thuani cilat janë ato?

Bedri ef.Kida: Po, kemi bërë disa ndryshime si p.sh. organizimi i tribunave fetare jashtë xhamisë, organizonim programe kulturo fetare, tryeza shkencore etj.

Esat Rexha: Si ka qenë gjendja e jetës fetare në fshatra, gjendja e objekteve fetare – xhamive?

Bedri ef.Kida: Jeta fetare në fshatra ishte pothuajse e mjerueshme, shumica e xhamive nuk funksionin fare, ishin të mbyllura. Gjendja e xhamive kuptohet nuk ka qenë e mirë.

Esat Rexha: Jeni nismëtarë për ndërtimin e dy xhamive, në Rekë të Keqe dhe në Has?

Bedri ef.Kida: Po ma bëri Allahu nasib që të jem nismëtari i parë për ndërtimin e xhamisë në fshatin Lipovec KK Gjakovë, e cila tani i mbulon mbi 12 fshatra të asaj zone. Ju pata thënë xhematit të fshatit Lipovec, gjeni një tokë – truall, dhe unë do të përpiqem që ta ndërtojmë një xhami. Deshi AllahuFuqiplotë, Halil Berisha na dhuroi 10 ari truall, m’u në qendër të fshatit, afër shkollës fillore dhe ambulantës. Është bërë një punë shumë e madhe, shkaktar ka qenë mësim besimi me fëmijë. Për hir të respektit, sot jam imam, ditën e xhumasë, në këtë fshat. Pastaj jam nismëtarë për ndërtimin e xhamisë së re në fshatin Smolicë KK Gjakovë, edhe aty ka qenë shkatarë mësim besimi me fëmijë.

Esat Rexha: Na thoni sa jeni të kënaqur me xhematin – gjeneratën e re, si e shihni perspektivën e të rinjve të Gjakovës ?

Bedri ef.Kida: Elhamdulilah jam shumë i kënaqur me gjeneratën e re, qysh e di unë e qysh e mbajë mend Gjakovën, shumica e xhamive kanë qenë të mbyllura, disa prej tyre ishin depo, tani të gjitha funksionojnë dhe çka është më kryesore, janë pothuajse të mbushura me të rinj. Gjakova ka perspektivë të mirë, sepse e ka bazën e mirë, në Gjakovë sot funksionon Instituti i hivzit në Medresenë e Madhe.

Esat Rexha: Çfare ishin raportet me bashkësitë tjera fetare?

Bedri ef.Kida: Mirë, shkëmbenim vizita, takoheshim nëpër t’pame – për ngushëllime, në manifestime të ndryshme, qoftë fetare apo shtetërore...

Esat Rexha: A keni ndonjë planë për të ardhmen?

Bedri ef.Kida: Kam pas dëshirë të flaktë që djemtë e mi të bëhen hoxhallarë, por nuk paska qenë kader i Allahut. Planet e mia kanë qenë që ta ngjallim jetën fetare në fshatrat e Rekës së Keqe, edhe sot e kësaj dite edhe pse jam i shtyrë në moshë, po të më epej mundësia do të veproja sidomos me fëmijë...

Esat Rexha: Tani si po ju duket jeta në pension?

Bedri ef.Kida: Elhamdulilah, më ka dhënë Allahu shëndetin, familjen e kamë në rrugë të drejtë, edhe shokët nuk më kanë harruar po më përkrahin, më angazhojnë nganjëherë kur ka mungesë të imamëve. Lus Allahun që të japë shëndet dhe pleqërinë e mirë, dhe in sha Allah momentin e vdekjes me iman e me kallajllëk. Amin!

Esat Rexha: Mesazhi i juaj për imamët e rinj dhe xhematlinjtë?

Bedri ef.Kida: Mesazhi im për imamët e rinj është: Punoni sa më shumë me gjeneratën e re, se nëse ju nuk punoni me ta, do të merret dikush tjetër me ta, e pastaj do të jetë vonë. Ndërsa xhematin i porosis: Mos u përçani, mos u ndani, respektoni imamët e mos u bëni grupe.

Esat Rexha: Bedri efendi, ju faleminderit shumë për këtë intervistë të dhënë, gjatë së cilës kemi ndier kënaqësi të veçantë. Ju dëshirojmë shëndet dhe suksese?

[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/imag0215_1457041407.jpg[/img]

Intervistoi Esat Rexha.
Gjakovë, o2.03.2016