Bashkësitë Islame në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni dënojnë sulmet terroriste në Bruksel

Pas sulmeve të djeshme terroriste në Bruksel, Bashkësitë Islame shqiptare kanë reaguar përmes deklaratave të tyre.

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka dënuar aktet terroriste që ndodhën në Bruksel, ku humben jetën qytetarë të pafajshëm.
“Duke u solidarizuar me popullin dhe shtetin belg, lusim Zotin që njerëzimi mos të përballet me veprime të tilla të tmerrshme. Aktet e tilla, të cilat sjellin viktima, terror e dhunë janë vepra antinjerëzore dhe si të tilla paraqesin rrezik e sfidë për njerëzimin, para të cilave bota nuk duhet të dorëzohet e gjunjëzohet. Sot, në Bruksel edhe njëherë u atakuan qytetarët e pafajshëm, jeta e tyre si dhe vlerat qytetëruese e civilizuese të njerëzimit.
Para terrorit e terroristëve duhet të jemi të bashkuar të gjithë, pavarësisht ku ndodh ajo. Në këto momente të rënda solidarizohemi dhe ndajmë dhimbjen e pikëllimin me popullin mik belg, familjarët e viktimave të cilat sot humbën më të dashurit e tyre, ndërsa të lënduarve u dëshirojmë shërim të shpejt. Lusim Zotin e Madhëruar për paqe, qetësi e mirëkuptim”, thuhet në deklaratën e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës

* * *

Komunitetit Mysliman i Shqipërisë, përmes Kryetarit Skënder Bruçaj, ka reaguar pas sulmeve terroriste të ndodhura në Bruksel.
“Mallkuar qoftë terrori dhe terroristët në Bruksel dhe kudo në botë. Lusim Zotin e Madhëruar për Paqe”, ishte reagimi i Kryetarit të KMSH, Skënder Bruçaj në Twitter.

* * *

Edhe Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë i është bashkangjitur botës demokratike në luftë kundër terrorizmit
“Dita e djeshme në historinë më të re të njerëzimit do të ngelë si ditë e ngjarjeve më vendimtare për mbarë botën! Terroristët dje ia mësynë kryeqendrës botërore, Brukselit, duke vrarë mbi 30 vetë e duke plagosur me qindra tjerë. Terroristët dje morën guximin që t’i shpallin luftë qendrës botërore të sigurisë, të paqes, të civilizimeve, të kulturave, të lumturisë, të harmonisë si dhe bashkëjetesës më të përkyer. Terroristët nuk i duan këto vlera!
Dje, mbarë bota u trondit nga aktet terroriste që u kryen mu në zemër të Europës, fatkeqësisht, në emër të fesë islame. Terrorizmi, vrasja e njerëzve të pafajshëm, është akti më i papëlqyer, më i shëmtuar, më i papranueshëm dhe i mallkuar në islam. Prandaj, askujt nuk i lejohet të manipulojë e të veprojë në mënyrë kriminale në emër të islamit. Dita e djeshme, pa dyshim që do të shënojë një kthesë historike në bashkimin e të gjitha forcave të shteteve perëndimore që do t’i dalin përballë kësaj të keqe, duke e shpëtuar njerëzimin por, nga ana tjetër, edhe islamin nga kjo etiketë terroriste e papranueshme dhe e mallkuar. Në ajetin 32 të sures El Maide thuhet: “Kush vret ndokënd, që s’ka vrarë njeri ose që nuk ka bërë çrregullime në Tokë, është sikur të ketë vrarë të gjithë njerëzit. Dhe, nëse dikush shpëton një jetë, është sikur të ketë shpëtuar jetën e krejt njerëzve .” Prandaj, Bashkësia Fetare Islame në RM, edhe një herë fuqishëm ngrit zërin kundër këtyre akteve terroriste dhe i fton të gjithë besimtarët myslimanë, anekënd globit, që të bashkohen me faktorët perëndimorë e t’i bashkërendojnë të gjitha veprimet kundër të gjithë terroristëve. Ata nuk kanë fe, nuk kanë komb, nuk kanë ideologji. Ata kanë për synim vrasjen masovike të njerëzve të pafajshëm. Allahu Mëshirëplotë i porositë myslimanët që ta duan njeriun, ta duan të mirën, ta duan mirëqenien. BFI në RM, duke shprehur dhembje të thellë për të gjitha viktimat e terrorizmit, për të plagosurit e të dëmtuarit, përcjell ngushëllimet më të thella deri te udhëheqësit e shtetit të Belgjikës, deri te qytetarët e këtij shteti si dhe te familjarët e viktimave. BFI në RM lutet që sa më shpejt të rikthehet paqa dhe siguria në botë, kurse nga myslimanët gjithandej globit kërkon që të japin maksimalisht kontributin e vet për mirëqenie dhe harmoni në përputhje të plotë me porositë e shenjta kuranore", tha mes tjerash Reisul Ulema i BFI në Republikën e Maqedonisë