Ceremoni me rastin e 100 vjetori të institucionalizimit të Islamit në Kroaci

Muslimanët kanë shënuar 100 vjetorin e njohjes së Islamit si fe zyrtare në Kroaci. Edhe pse përfaqësojnë vetëm 1.5 për qind të popullsisë në vend, ata janë shembull i integrimit më të suksesshëm të pakicave muslimane në Evropë, thonë udhëheqësit musliman dhe ekspertët në Kroaci.

Në mesin e presidentëve, ministrave përfaqësuesve të vakëfeve, në ceremoni të pranishëm ishin edhe kryetari i Dianetit nga Turqia, Mehmet Gormez, Reis-ul-ulema i Bashkësisë Islame nga BeH Husein ef. Kavazoviç, Reis-ul-Ulema i Maqedonisë Sulejman ef.Rexhepi, i Malit të Zi Rifat Fejziç dhe përfaqësues të Komunitetit Musliman të Shqipërisë dhe Bashkësisë Islame të Kosovës.

Ceremonia filloi me leximin e pjesëve nga Kurani, e më pas të pranishmëve iu drejtua Myftiu i Zagrebit, Aziz ef. Hasanoviç i cili njëherësh edhe kryeson Bashkësinë Islame në Kroaci.

Hasanoviç tha se përvojat e tyre dhe format ligjore mund t’iu shërbejnë të gjithëve në zgjidhjen e çështjes së statusit dhe rregullimin e marrëdhënieve mes komuniteteve fetare dhe shoqërisë.

“Evropa nga ne kërkon partnerë si dhe besimtarët tanë, sepse ata ndjehen të pafuqishëm. Dua që nga Zagrebi në këtë event të madh jubilar të nis një kërkim për të gjetur zgjidhjen më të mirë të statusit të muslimanëve dhe çfarë do çështje tjetër në Evropë”, tha Hasanoviç.

Presidentja e Republikës së Kroacisë Kolinda Grabar-Kitaroviç falënderoi besimtarët musliman për çdo gjë që ata kanë bërë për të mirën e Kroacisë. "Muslimanët janë pjesë integrale e shoqërisë dhe kulturës kroate, ndërsa jeta fetare dhe bindja morale janë baza e këtij kontributi", tha ajo dhe shtoi se kultura kroate, shkenca, arti, arsimi ... nuk paramendohen pa pjesëmarrjen e muslimanëve. "Në mesin e tyre duhet të numërohen disa ministra në qeveritë kroate, duke përfshirë ministrin aktual të kulturës", tha ai.

Ndërsa Ministri i Jashtëm dhe Çështjeve Evropiane Miro Kovaç, tha se ky përvjetor ka një fuqi dhe simbolikë të jashtëzakonshme, sidomos në rrethanat historike në të cilat ndodhet Kroacia, Evropa, por dhe bota. Sipas tij, Kroacia dhe komuniteti islam, marrëdhëniet e tyre i kanë ndërtuar për shekuj me radhë.

Ai kujtoi se Kuvendi kroat më 27 prill 1916 zyrtarisht kishte njohur statusin e fesë islame dhe me këtë akt e barazoi me të gjitha grupet dhe bashkësitë fetare të deri atëhershme: katolike dhe hebreje. Ai tha se ata duhet të jenë krenarë për marrëdhëniet midis qeverisë dhe bashkësisë islame në këtë vend.

Sipas regjistrimit të fundit në Kroaci, 62,977 qytetarë janë deklaruar si muslimanë. Shumica prej tyre janë boshnjakë, 27,959, 9647 kroatë, shqiptarë 9594, 5039 romë dhe grupe tjera etnike.

[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/1_1461831225.jpg[/img]

[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/2_1461831240.jpg[/img]

[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/3_1461831252.jpg[/img]