Intervistë me Myftiun e Kosovës, Naim ef. Tërnava
KosovaPost: Myfti i nderuar, jemi në prag të muajit të shenjt të Ramazanit. Bashkësia Islame e Kosovës, të cilën e drejtoni ju, a ka bërë përgatijet e duhura për këtë muaj?
Myftiu Naim Tërnava: Bismilahirr-rrahmanirr-rrahim!
Së pari shfrytëzoj rastin që të ju uroj të gjithë besimtarëve përmes Portalit tuaj KosovaPost muajin e shenjt e të bekuar të Ramazanit, duke lutur Zotin xh.sh.që të na lehtësojë agjërimin, të na e pranojë agjërimin dhe adhurimet, të cilat i bëjmë gjatë këtij muaji vetëm në shenjë madhërimi të të madhit Zot!
Bashkësia Islame e Kosovës, sikurse edhe viteve të tjera, është munduar që të bëj përgatitjet e duhura, që besimtarët tanë sa më mirë ta presin këtë muaj kaq domethënës që është për besimtarët kudo që ata jetojnë e veprojnë në këtë nënqiell.
Bashkësia Islame e Kosovës përmes drejtorive të saj që i ka, përmes digastereve të saj, përmes Këshillave të Bashkësive Islame nëpër komuna, përmes tubimeve të shumta të cilat i ka pasur, në veçanti gjatë këtij muaji, si muaji parapërgatitës për muajin e shenjt të bekuar të Ramazanit, me kontaktet tona të vazhdueshme që kemi qenë edhe me imamët anë e kënd Kosovës, po thuaj se kemi bërë një përgatitje të mirë, në raport me përgjegjësitë, të cilat duhet t’i kenë imamët.
Mirëpo, edhe Këshillat e Bashkësive Islame, mirëpo edhe punën që duhet ta kryej edhe më gjatë këtij muaji vetë Kryesia e Bashkësisë Islame, duke i dhënë edhe më shumë domethënie këtij muaji, muajit të Kur’anit, muajit pra të mëshirës, rahmetit, faljes, sakrificës, muajit i cili ngërthen në vete ngjarje me rëndësi jashtëzakonisht të mëdha që kanë ndodhur gjatë historisë islame.
Për këtë muaj kemi edhe kthesa të shumta në vetë historikun e Islamit, është Lufta e Bedrit, është Çlirimi i Mekës, është Nata e Kadrit, janë ditët dhe netët, të cilat e kanë një vlerë jashtëzakonsht të madhe, krahasuar me netët dhe ditët tjera jashtë këtij muajit të shenjt të të bekuar të Ramazanit, duke e patur parasysh se i vetmi muaj që përmendet me emër në Kur’an, është vetëm muaji i Ramazanit, prej 12 muajve që i ka viti.
KosovaPost: Bashkësia Islame e Kosovës, pos që merret me çështje fetare dhe të besimit, me aktivitete që kanë të bëjnë rreth këtyre çështjeve, merret edhe me aktivitete humanitare, duke i ndihmuar njerëzit që janë në gjendje jo të mirë sociale përmes Shoqatës Humanitare “Bereqeti”. Sa është ndihma e kësaj Shoqate në kohët e fundit dhe a do të ndihmojë familjet në nevojë edhe gjatë muajit të Ramazanit?
Myftiu Naim Tërnava: Bashkësia Islame e Kosovës, sidoqoftë, pos aktiviteteve fetare, ka përgatitur segmentin tjetër, që ka të bëj me humanitet dhe ndihmë për njerëzit. Pra, përmes Shoqatës “Bereqeti” që e ka, është përgatitur që t’u dalë në ndihmë edhe të varfërve, t’u dalë në ndihmë skamnorëve. Deri më tash kemi bërë shpërndarjen e 8500 pakove ushqimore.
Ndërkaq, brenda këtij muaji, pra me fillimin e muajit të Ramazanit, do të shpërndajmë edhe 2000 pako të tjera, për të vazhduar edhe më tutje edhe me pako të tjera të shumta dhe ndihma të ndryshme, ndihma këto që do të arrijnë deri në 10.000 familje brenda këtij muaji.
KosovaPost: Ndihmat a shpërndahen vetëm për familjet në nevojë të komunës së Prishtinës apo edhe për familjet në nevojë që gjinden nëpër komunat tjera?
Myftiu Naim Tërnava: Jo. Ne nuk i ndihmojmë familjet në nevojë vetëm në komunën e Prishtinës, por ne i ndihmojmë edhe familjet në nevojë edhe në të gjitha komunat tjera, pra në gjithë Kosovën. Ne e kemi shtrirë këtë aktivitet gjithkund në trevat e Kosovës, në të gjitha vendbanimet. Ne funksionojmë si një trup në të gjitha komunat dhe ndihmat janë të shpërndara përmes Këshillave të Bashkësisë Islame, ku brenda Këshillave funksionojnë Degët e Shoqatës “Bereqeti”.
Për neve shpërndarja e ndihmave për familjet në nevojë është një punë shumë e madhe dhe është një ndihmë shumë e madhe karshi vëllezërve dhe motrave tona, të cilët kanë nevojë që t’i begatojnë sofrat e tyre gjatë muajit të Ramazanit, pra gjatë iftarit dhe gjatë syfyrit.
KosovaPost: Myfti i nderuar, çka e bën madhështor këtë muaj të Ramazanit?
Myftiu Naim Tërnava: Allahu në Kur’an na ka mësuar kur thotë se “Muaji i shenjt i bekuar i Ramazanit është muaj në të cilin i madhi Zot e zbriti Kur’anin”. Pra, ky muaj është muaj i Kur’anit, muaj i ibadetit, i adhurimit, muaj udhërrëfyes i njeriut, ngase e pastron edhe prej mëkateve që kanë bërë njerëzit, etj. Ky muaj pastron çdo gjë që është shpirtërore, por edhe fizikën e vetë njeriut.
KosovaPost: Muaji i shenjt i Ramazanit është edhe muaj i afrimit, bashkimit, pajtimit dhe tolerancës mes njerëzve. Në këtë muaj a do të ketë ligjërata apo tribuna që do të kontribuojnë rreth kësaj?
Myftiu Naim Tërnava: Karshi përgatitjeve që përmendëm më herët, Drejtoria e Kryeimamit, pra, në bashkëpunim me të gjitha Drejtoritë, digasteret dhe segmentet e tjera, në mbledhjen e fundit të Bashkësisë Islame të Kosovës është marrë vendimi që të formohet një grup, diku mbi 50 imamë, hoxhallarë, të cilët do të ligjërojnë në të gjitha xhamitë e Kosovës.
Ata do të jenë më afër xhematit, ata do të ligjërojnë në të gjitha xhamitë e tyre dhe pastaj Këshillat e niveleve komunale kanë aktivitetet e tyre me ligjërata dhe veq kanë filluar këto aktivitete. Kësaj do t’i bashkëngjitet edhe një numër prej 50 imamëve të tjerë që anë e kënd Kosovës do të ligjërojnë gjatë këtij muajit të shenjt të Ramazanit.
Do të kemi edhe një numër prej mysafirëve që do të na vijnë nga Turqia, të cilët do të begatojnë me faljen e namazit të teravihëve, veçanërisht nëpër xhami, me të cilët në këtë kohë do të bashkëjetojmë dhe do të bashkëveprojmë në këtë muaj të rahmetit dhe të bereqetit, këtë muaj të faljes së mëkateve.
Pra, këtij muaji që njeriu shpëton nga dënimet e të madhit Zot, derisa shejtanit të mallkuar i është mbyllur dera dhe është i lidhur, derisa në anën tjetër dyert e xhenetit janë hapur, derisa xheneti posedon tetë (8) dyer, kurse një derë e xhenetit është e posaçme, ajo derë quhet me emrin ‘Rijan’, në të cilën do të hyjnë vetëm ata të cilët kanë agjëruar muajin e shenjt të bekuar të Ramazanit.
KosovaPost: Myfti i nderuar! Pasi që jemi në prag të fillimit të muajit të shenjt të Ramazanit, cili do të ishte mesazhi i Juaj për bersimtarët për këtë muaj?
Myftiu Naim Tërnava: Mesazhi im, sikurse edhe herave të tjera, pra drejtuar besimtarëve tanë brenda trojeve tona etnike shqiptare, mirëpo edhe në diasporë, kudo që jetojnë dhe veprojnë ata, është një mesazh i cili del nga dy fundamentet e Islamit, nga Kur’ani dhe nga Syneti i Pejgamberit a.s.
Dihet mirëfilli që Kur’ani është libër që i përmbush të gjitha nevojat tek individi, familja dhe shoqëria. Dihet se Kur’ani reflekton vetëm gjëra të mira, reflekton paqe, lumturi, harmoni, mirëqenie, ndihmë, sakrificë për tjetrin, pra është një muaj, i cili është muaj i solidaritetit, muaj i bëmirësisë, muaji që me të vërtetë njeriun e obligon edhe më shumë se sa gjatë muajve të tjerë, që të jetë më afër Zotit, të jetë më afër adhurimit.
Andaj, mesazhi im do të ishte që të gjithë njerëzit, që i madhi Zot ju ka dhënë mundësi, që ata posedojnë pasuri, t’u ndihmojnë të varfërve, t’u ndihmojnë jetimëve, t’u ndihmojnë të gjithë atyre të cilët janë në nevojë dhe të shtojnë ibadet në adhurim, të vizitojnë xhamitë, të bëjnë adhurim më shumë nëpër xhami, të vizitojnë njëri tjetrin, të shtrijnë dorën e pajtimit me njëri tjetrin, të respektohen mes veti, të kenë mirëbesim mes veti, të jenë tolerant mes veti, të kenë harmoni, sinqeritet, bujari,…etj.
Të gjitha këto veti dalin nga Kur’ani ynë, dalin nga thëniet e Muhamedit a.s. dhe kjo është krenaria që e ka feja jonë islame, kudo që muslimani jeton dhe vepron. Pra, edhe një herë urime muaji i shenjt i Ramazanit! /Intervistoi: Ahmet Pllana /KosovaPost