Në shtetin e amerikano-latin, Haiti, ku jetojnë afërsisht pesë mijë muslimanë, u hap xhamia e parë me minare për adhurim.
Fondacioni Turk i Çështjeve Fetare (TDV) ka përfunduar dhe hapur për adhurim xhaminë e parë me minare në Haiti, Boukman Buhara, ndërtimin e së cilës e kishte filluar në vitin 2014, raporton Anadolu Agency.
Drejtori i Përgjithshëm i TDV-së, Mustafa Tutkun, tha se xhamia ka rol të rëndësishëm për zhvillimin në aspektin shoqëror dhe kulturor. Ndërtimi i saj për pakicën muslimane kishte hyrë në rend dite pas tërmetit në vitin 2010 në Haiti i cili mori jetën e 300 mijë personave.
“Në kuadër të strategjive për ndërtimin e xhamive dhe qendrave arsimore nën çatinë e TDV-së, në vitin 2014 filluam me ndërtimin e Xhamisë Boukman Buhara në Haiti. Xhaminë e përfunduam në muajin e Ramazanit dhe e hapëm për besimtarët. Boukman Buhara gëzon cilësinë e xhamisë së parë me minaret në këtë vend”, u shpreh ai.
Duke u shprehur se xhamia posedon madhësinë në të cilën muslimanët mund t’i kryejnë adhurimet e tyre, Tutkun tha se kjo shtëpi adhurimi zë vend në një lokacion të rëndësishëm në qytetin Cape Haitien.
Tutkun bëri të ditur se xhamia ka kushtuar 130 mijë dollarë dhe se në vendin ku ndodhet gjithashtu gjendet edhe shkolla “Cape Haitien Children of Hope (Fëmijët e Shpresës)” e cila është ndërtuar nga TDV dhe në të cilën arsimin e ndjekin fëmijët e familjeve muslimane në Haiti.