Javën e kaluar në Karaçi ndërroi jetë filantropi i madh, pakistanezi 92 vjeçar Abdu Settar Edhi.
Edhi është përkujdesur për më shumë se 35.000 foshnje të braktisura. 50.000 jetimë janë strehuar në qendrat Edhi. Një milion foshnje kanë lindur në maternitetin Edhi, ku janë trajnuar mbi 40,000 motra medicinale.
Fondacioni Edhi udhëheq tetë spitale që ofrojnë kujdes shëndetësor falas, një numër të madh të materniteteve, jetimoreve, klinikave, shtëpi pleqsh, shtëpi sigurimi për gra, qendra për rehabilitim nga droga, kuzhina publike, etj.
Për shkak të lindjeve jashtë martesore, një numër i madh i grave pakistaneze shpeshherë i vrasin foshnjat e tyre në lindje, prandaj para secilës qendër Edhi janë vendosur krevate, me mbishkrim: "Mos bëni mëkat – lini fëmijën tuaj në kujdesin tonë" Në këtë mënyrë, Edhi ka shpëtuar më shumë se 35.000 foshnje, dhe gjysma e këtyre foshnjave kanë gjetur familjet që i kanë pranuar ato. Për fëmijët të cilët nuk janë adoptuar Edhi dhe gruaja e tij Belkisa janë nënshkruar si birësues të tyre. Sipas vlerësimeve qifti kujdeset për kujdesin dhe arsimimin e më shumë se 16.000 fëmijëve.
Fondacioni Edhi nuk ka pranuar kurrë para nga politikanët, grupet fetare apo qeveritë, ai financohet vetëm nga donacionet personale.
Edhi ishte një musliman shumë i devotshëm. Në një nga deklaratat e tij të paharrueshme, u pyet pse i transporton krishterët dhe hindusët me makinat e ambulancës. Pyetja i është referuar konceptit të rremë të pastërtisë në Pakistan, ku një numër i madh i muslimanëve pakistanezë besojnë se kontakti me një jo-muslimanë i bënë ata të papastër. Kësaj pyetje Edhi iu përgjigj: "Ngase makina e ambulancës është më muslimane se ju."
Në një intervistë Edhi kishte thënë se zotëron vetëm dy palë rroba të cilat vetë i pastron, kjo është një traditë që e mbanë për vite me radhë. Ai jetoi në një apartament të vogël, mbi zyrat e organizatës së tij humanitare.
"Ai kurrë nuk ndërtoi shtëpi për fëmijët e tij", ka thënë gruaja e tij Belkisa.
I motivuar nga kërkimi shpirtëror për drejtësi, qëllimi i Edhit dhe ekipi i tij ishte t’i ndihmojnë ata që nuk mund ta ndihmojnë veten e tyre në shoqëri dhe të intervenojnë aty kur shërbimet e kufizuara qeveritare kanë ngecur.
Edhi është fitues i disa çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Ka qenë i nominuar disa herë për çmimin Nobel për punën e tij humanitare.
Por, Edhi nuk ishte një mbështetës i madh i çmimeve dhe shpërblimeve, prandaj shpeshherë thoshte se puna e tij është më e madhe se çdo çmim.
"Puna ime është që t’i shërbej njerëzimit. Puna më frymëzon dhe më jep kënaqësi", thoshte ai.