Të enjten, ligjvënësit grek kanë miratuar ndërtimin e një xhamie në qendër të Athinës e cila do të financohet nga shteti, propozim që shkaktoi mosmarrëveshje brenda qeverisë së koalicionit në një debat të nxehtë publik mbi atë se si të menaxhohet kriza me emigrantët.
Propozimi i miratua me 206-24 vota në Parlament, erdhi pas disa përpjekjeve të pasuksesshme se si të zbatohet projekti i cili më parë ishte kundërshtuar fuqishëm nga Kisha ortodokse e Greqisë.
Partia radikale e majtë Syrizia, që është në pushtet, mbështeti projektin me vlerë 950,000 euro në krahasim me partnerin e saj të koalicionit, të Grekëve të Pavarur.
Dhjetëra mijëra emigrantë muslimanë jetojnë në Athinë. Ata janë duke i shfrytëzuar hapësirat informale rreth qytetit, shumica bodrume dhe ndërtesa të fabrikave të mbyllura, që t’i kryejnë pesë namazet ditore dhe atë të së premtes.
Xhamia e parë në Athinë do të ndërtohet në një zonë kryesisht industriale në periferi të qendrës së qytetit, në afërsi të një kampi refugjatësh të drejtuar nga Kombet e Bashkuara.
Duke folur në favor të ndërtimit të xhamisë, ministri i Arsimit dhe Çështjeve Fetare, Nikos Filis tha se Greqia ka nevojë t’i shmang gabimet e ligjvënësve tjerë evropian që lanë shumë komunitete emigrantesh të izoluara, të kërcënuara dhe të rrezikuara nga terrorizmi.
"Me të vërtetë kjo është çështje për të cilën askush nuk dëshiron të flasë, Evropa nuk e ka pranuar Islamin, në realitet", tha ai në Parlament. "Ekzistenca e xhamive të improvizuar në Athinë është një turp për vendin tonë."
Para votimit të enjten, partia ekstreme e krahut të djathtë Agimi i Artë ka thënë se do të vazhdojë të kundërshtojë xhaminë dhe do të mbështet protestat kundër ndërtimit të saj.
"Ne nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë. Agimi i Artë do të bëjë gjithçka për të ndaluar ndërtimin", tha përfaqësuesi i partisë Yiannis Lagos.
Greqia, pothuajse katër shekuj është sunduar nga Perandoria Osmane, por të gjithë xhamitë dhe elemente tjera islame janë larguar nga Athina në shekullin e 19-të.