Edukimi i fëmijëve në Islam

Para se të flasim për rëndësinë e edukimit të fëmijëve në Islam, do t'ia rikujtoj fillimisht vetes, e pastaj edhe juve, një thënie të Pejgamberit a.s., që thotë: "Edukimi i fëmijës bëhet njëzet vjet para se ai të ketë lindur.“(1)

Kjo nënkupton që, secili njeri duhet ta ketë vëmendjen para se të bëhet prind, pra të ketë kujdes në zgjedhjen e personit me të cilin do ta ndërtojë
familjen e tij, ngase po dështoi në këtë pikë, atëherë ka dështuar që në hapin e parë.

Sadakaja rrjedhëse

Benifitet në edukimin e mirëfilltë të fëmijëve janë shumë. Një e mirë tejkohore është edhe sadakaja rrjedhëse, pasi nga hadithet e Muhamedit a.s. kemi mësuar se prindërit që lënë pas fëmijët e edukuar dhe në rrugën e Zotit, kanë benifite të shumta edhe në këtë botë por edhe në tjetrën.
Fëmijët janë amanet në qafën e prindërve të tyre, dhe prindërit do të pyeten për këtë amanet. Mangësia në edukimin e fëmijëve është një problem i qartë dhe një gabim i rëndë. Është tradhti ndaj amanetit dhe lëshim në fe.
Shtëpia është shkolla e parë për secilin fëmijë, dhe tulla që së bashku me simotrat e saj, shkollën e shoqërinë, merr pjesë në ndërtimin e një shoqërie të mirëfilltë.
Burrat dhe gratë e këtij umeti, udhëheqësit dhe viganët e mëdhenj, kanë dalë nga familjet e ndershme dhe të udhëzuara drejt, të cilat i kanë qëndruar besnikë ruajtjes së kufijve të Allahut, dhe kanë mbajtur të gjallë dashurinë dhe miqësinë, mëshirën dhe altruizmin, si dhe përkrahjen e njëri tjetrit. Këta gjithashtu ruajtën dhe e kultivuan edhe devotshmërinë, që është uji i kultivimit të bimës së edukimit të mirëfilltë.
Para se fëmijën ta edukojë shkolla dhe shoqëria, atë e edukon shtëpia dhe familja e tij. Ndërsa, fëmija është borxhli ndaj prindërve të tij, për sjelljen dhe edukatën që ata kanë transmetuar tek ai, siç janë edhe prindërit për çdo anomali në edukatën e tij.
Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: "Sa ka të atillë që fëmijën e tyre, loçkën e zemrës së tyre, e kanë shndërruar në të dështuar-fatkeq, në dynja dhe në ahiret, për shkak të pakujdesisë dhe lënies pas dore të edukimit të tij, për shkak të përkrahjes që ia dhanë në përmbushjen e epsheve të tij! Pretendon se po e nderon atë, ndërsa e ka tradhtuar, dhe se po e mëshiron atë por veç i ka bërë padrejtësi, kështu që e ka humbur dobinë nga fëmija i tij, dhe ia ka humbur fëmijës hisen e tij në dynja dhe në ahiret; dhe nëse i lidhen një shikim shthurjes që ka ndodhur të fëmijët, e sheh se shumica e kësaj shthurjeje ka ardhur nga ana e prindërve.”(2)
Prandaj, o prindër, edukojini fëmijët ashtu që të jenë sadaka rrjedhëse për ju!

Qëllimet e edukimit

Përse duhet ta edukojmë fëmijën? Cili është qëllimi që duhet të synohet me edukimin e fëmijës? Për çfarë duhet përgatitur fëmija? Këto janë vetëm disa nga pyetjet që secili prind duhet t'ia shtrojë vetes ende pa u bërë prind, pasi që kur të bëhet, ndoshta mund të jetë pak vonë.
Me edukimin e fëmijëve ne synojmë përgatitjen e tyre për të qenë mëkëmbës në tokë, dhe njëkohësisht adhurues të Zotit që i krijoi. Ne duhet t'i edukojmë fëmijët tanë me frymën e besimit në Zot, dhe me pasionin për ta adhuruar atë siç duhet.
Babai duhet të shfrytëzojë kohë dhe energji, me qëllim që fëmijën ta formojë që t'i përshtatet misionit të njeriut mbi tokë, mision që konsiston në adhurimin e Zotit të Madhëruar, dhe mbarëvajtjen e jetën në tokë. Zoti thotë në Kuranin famëlartë: "Nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit për asgjë tjetër, vetëm të më adhurojnë.” (Edh Dharijat, 56).
Procesi i edukimit nuk është aq i lehtë sa e paramendojnë shumë njerëz. Ne mund ta krahasojmë atë me mjeshtërinë që kërkon gdhendja e gurëve. Një gurskalitës, sa herë që gdhend në gurin e synuar, e kthen nga të katër anët, e vështron me vëmendje, e përsëri i kthehet punës, gjithmonë duke punuar me kujdes tepër të madh. Me këtë punë ai përpiqet t'i japë një formë të caktuar gurit që ka përballë. Ai duhet të ketë shumë kujdes dhe përpikëri gjatë gdhendjes, e njësoj si ky duhet të jetë i kujdesshëm dhe i përpiktë edhe edukuesi i fëmijëve. Prindi apo edukatori gjithmonë duhet të jetë i kujdesshëm me fëmijët. Ai duhet që gjithmonë t'i kontrollojë sjelljet, dhe çdo sjellje të pahijshme duhet ta gdhendë me urtësi, derisa ta eliminojë. Gjithë këto përgjegjësi një edukim të fëmijës e bëjnë më të vështirë sesa duket.
Zoti e ka krijuar njeriun nga balta, dhe veçoria e baltës është se ajo ndikohet nga faktorët e jashtëm. Ndodh shpeshherë që fëmija të refuzojë një sjellje apo vlerë që është në interes dhe dobi të tij. Ne duhet të përpiqemi në të gjitha format derisa fëmija ta përfitojë çdo sjellje dhe vlerë të mirë. Pa dyshim se diçka e tillë është edhe art. Dhe këtë art më së miri e gjejmë të mishëruar në jetëshkrimin dhe traditën e Muhamedit a.s.(3)

Mangësitë në edukimin e fëmijëve

Ashtu siç prindërit kanë të drejta ndaj fëmijëve të tyre, edhe fëmijët kanë të drejtat e tyre ndaj prindërve. Ashtu siç Allahu i Madhëruar na ka urdhëruar për mirësi ndaj prindërve, Ai po ashtu na ka urdhëruar edhe për mirësi ndaj prindërve tanë. Mirësia ndaj fëmijëve dhe vullneti për edukimin e tyre është përmbushje ndaj amanetit, ndërsa neglizhenca ndaj tyre dhe mangësia në plotësimin e të drejtave të tyre është mashtrim dhe tradhti.
Pejgamberi a.s. na ka porositur: "Të gjithë ju jeni barinj, dhe jeni përgjegjës për kopenë tuaj."
Në ditët e sotme prindërit jo shumë po përkushtohen ndaj edukimit të fëmijëve. Ata, edhe pse dashurinë ua shprehin më shumë se prindërit e kohëve të mëhershme, prapë nuk veprojnë mirë që dashurinë ndaj tyre nuk e racionalizojnë edhe me pasojat e mundshme të një mosedukimi. Sot prindërit, për të fituar kohë të lirë, fëmijët i lënë të shikojnë televizorë për kohë të gjata, pa ndonjë orar apo mbikëqyrje të programeve që ndjekin, dhe kështu ndodh që më shumë influencë në edukimin e fëmijëve të ketë televizori sesa vetë prindi. E nëse ndodh që prindit t'i kujtohet se fëmija i tij po shikon televizorin për një kohë të gjatë, dhe i thotë ta ndërpresë dhe të bëjë ndonjë gjë tjetër, është po prindi që qetësohet-pajtohet kur fëmija nis një lojë në telefonin e tij të mençur, të modelit të fundit, e të cilin ia ka blerë si dhuratë pa ndonjë shkak, meritë. Fëmijët duhet edukuar dhe motivuar që dhuratat t'i fitojnë, qoftë me sjellje të mirë, apo edhe me sukses në mësime. Nëse nuk ndodh kështu, ata nuk do t'ia dinë vlerën asnjë dhurate, pavarësisht kostos, si dhe nuk do të kenë edukatë të mirë, qoftë edhe për të thënë faleminderit, e lëre më ndaj Allahut, që është shkaktari kryesor për çdo gjë që kemi në jetë.
Prindërit shpesh edhe luten kundër fëmijëve, e kjo gjë vërtet është në krye të listës së mangësive dhe ndalesave gjatë edukimit. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e ka alarmuar rrezikun e kësaj vepre.
Xhabiri, i biri i Abdullahut, r.a. rrëfen: "I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: "Mos bëni lutje kundër vetes, mos bëni lutje kundër fëmijëve, mos bëni lutje kundër shërbëtorëve, mos bëni lutje kundër pasurisë suaj, dhe që të ndodhë që ato t'i bëni në kohën kur Allahu i pranon lutjet, dhe ato (lutje kundër personave dhe gjërave të numëruara) të realizohen” (Transmeton Muslimi).
Një njeri erdhi tek Abdullah b. Mubareku dhe u ankua nga mosbindja dhe rebelimi i fëmijës së tij. Ibën Mubareku e pyeti: "A ke bërë lutje kundër tij?" Tha: ”Po.” Ibën Mubareku tha: "Ti e ke prishur.”(4)


___________________
(1) http: / / www.bebaime.com/nenat-shkruajne/-do-f-mij-sht-ndryshe-dhe-i-ve-ant.
(2) Ibën El-Kajim, Një buqetë lulesh për fëmijën tuaj, f. 146-147. Gjithashtu edhe te libri Edukimi i fëmijëve, mangësitë, lëshimet, metodat parandaluese dhetrajtimi sipas Islamit, Dr. Muhamed bin Ibrahim El-Hamed, f. 8.
(3) http: / / ardhmeriaonline.com / artikull / article / edukimi-i-femijeve-ne-islam/ #,Vg8CEHqqqko.
(4) http://www.femijetislam.com/islami/udhezime_per_prinderit/ mbaresonijemijet_tuaj_melutje.html_



Qamile Musliu-Malsiu


Artikulli i kaluar
Familja dhe njeriu