Mësimdhënësja e matematikës, Fatmire Bajrami, për shkak të shamisë së saj është detyruar të largohet nga shkolla fillore “Visar Krasniqi’’ në Drenoc të Malishevës dhe të transferohet në shkollën e mesme profesionale ekonomiko-juridike “Lasgush Poradeci” në Kijevë.
Ky transferim vjen pas vendimit të Drejtorisë së Arsimit të Komunës së Malishevës si pasojë e bojkotit një javorë të nxënësve të shkollës së Drenocit dhe shqetësimit të shfaqur nga prindërit me arsyetimin se mësimdhënësja bart shami gjatë orëve mësimore.
Komuna e Malishevës ka thënë se transferimi është bërë në bashkëpunim mes dy shkollave dhe ky ka qenë një vendim i nevojshëm.
“Me kërkesën e palëve dhe me pajtimin e tyre, kemi bërë zgjidhje, ku është bërë një transferim i brendshëm, nga shkolla në shkollë”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Malishevës.
Pas këtij transferimi nxënësit kanë ndërprerë bojkotin dhe i janë kthyer mësimit.
“Procesi edukativo-arsimor ka filluar dhe gjithçka është në rregull. Zgjidhja është bërë nga Drejtoria e Komunës së Malishevës për arsim, duke e transferuar mësimdhënësen në një shkollë tjetër”, ka thënë drejtoresha e shkollës Bukurie Krasniqi
Sipas saj, të gjitha orët e humbura të Matematikës do të zëvendësohen në ditët e fundjavës.