Të paktë janë qytetarët e Mitrovicës dhe rrethinës që nuk e kanë takuar, nuk e njohin apo nuk e mbajnë mend një këshillë dhe një udhëzim nga mulla Milazimi, hoxha i nderuar që për 55 vjet të plota ka udhëhequr në mësim- besim, në namaz dhe në ceremonitë tjera fetare që janë zhvilluar në Mitrovicë dhe në fshatrat e saj.
Mulla Milazimi, djali i Fejzullah Jasharit, siç e njohin qytetarët e qytetit buzë Ibrit edhe sot e kësaj dite, ndonëse në moshën 77 vjeçare vazhdon të jetë aktiv dhe të jetë pranë hoxhallarëve të rinj dhe kreut të Këshillit të Bashkësisë Islame në Mitrovicë, përherë i gatshëm për udhëzim, këshillë por edhe për tërheqje të vërejtjeve në rast nevoje.
I lindur në vitin e largët 1939, ndonëse sikur ishte asokohe traditë që fëmijët regjistroheshin me vonesë mund të jetë edhe më i vjetër, gjë që e pranon edhe vetë, mësimet e para në kohët thuajse më të vështira në vitin 1957 i mori te hoxha i njohur mulla Mustafa, ndërsa pas dy vjetëve iu mundësua kualifikimi me provim për hoxhë në Prishtinë.
Në vitin 1959, mulla Milazimi nis shërbimin në xhamitë që asokohe nuk ishin shumë, duke shërbyer sipas nevojës, posaçërisht në raste të festave por edhe shërbimeve tjera fetare që kërkoheshin, duke mos pasur një vend - xhami si imam i saj.
Pas plotë gjashtë vjetëve punë e angazhim në shumë zona brenda e jashtë qytetit, mulla Milazimit në vitin 1965, sikurse shumë imamëve të tjerë anekënd ish-Jugosllavisë iu lëshua vendimi për punë nga Kryesia e Bashkësisë Islame që asokohe selinë e kishte në Sarajevë.
"Përgjithësisht koha kur nisa punën dhe derisa na u lëshuan vendimet nuk kanë qenë aspak të lehta, jo vetëm pse kushtet sociale të popullatës sonë ishin jo të mira, por edhe niveli i arsimit nuk ishte në nivelin e kërkuar dhe nevojshëm. Përveç kësaj, ne pothuajse në çdo hap kemi qenë të përcjellë, kontrolluar edhe vëzhguar në ligjëratat tona, nëse do ndërlidheshin me çështje politike të kohës apo edhe më çështjen kombëtare, ku gjendja e popullit shqiptar ishte larg drejtësisë e barazisë", kujton sot hoxha, që ende duket shumë i kthjelltë në rezonim, në përkujtim, por edhe në këshilla.
Duke qenë pjesë e shumë zhvillimeve, por edhe nga vetë nevoja për shërbime kam "shkel" padyshim secilin lokalitet të komunës së Mitrovicës, shprehet mulla Milazimi, duke përmendur se përherë ka insistuar në ligjërata që të dëgjohen edhe kuptohen mirë, pasi ka shumë rëndësi interpretimi dhe mënyrat si janë transmetuar, ndërkohë që ka kërkuar që zakonisht të flitet me emër dhe jo me përgjithësim në secilën ligjëratë apo këshillim.
"Për herë të parë jam emëruar imam në xhaminë e Ibrit, në vitin 1975, kjo xhami ka qenë jo shumë e madhe në hapësirë, por e madhe me besimtarë të të gjitha komuniteteve që praktikojnë islamin. Aty kam shërbyer deri në vitin 1999, kur jemi dëbuar nga qyteti dhe kur u dogj xhamia" kujton duke medituar hoxha.
Edhe mulla Milazimi, sikur i gjithë Këshilli i Bashkësisë Islame në Mitrovicë, kërkojnë me ngulm nga institucionet vendore edhe ndërkombëtare që të ndërmerren masat e nevojshme që fillimisht të hulumtohen dyshimet e bazuara (sipas deklaratave të dëshmitarëve), se vendi i ish-xhamisë mund të jetë varrezë masive, ndërsa më pas të rindërtohet xhamia ngjitur me urën kryesore të Ibrit, aty ku ishte dhe ku shërbeu për ritet fetare me dekada të tëra.
"Edhe sot e kësaj dite sa herë afrohem apo kaloj pranë vendit ku ishte xhamia, më rrjedhin lotët, kthehem shumë prapa me kujtime, me punën, takimet, ligjëratat edhe mësim-besimin që kemi zhvilluar në atë objekt, pasi nuk është pak të jesh pjesë e saj për mbi 25 vjet të plota" thotë mulla Milazimi.
[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/xhamia-e-ibrit2_1480070340.jpg[/img]
Vetëm gjatë kohës që ka shërbyer në xhaminë e Ibrit, mulla Milazimi ka mbajtur kurse të mësim-besimit, ku mësimet e para, besimin, kushtet e namazit edhe duatë e ndryshme i kanë mësuar më shumë se 60 persona të të dy gjinive dhe të përkatësive të ndryshme etnike të besimit islam qofshin ata shqiptarë, turq apo boshnjakë.
"Secila kohë ka rrethanat e veta, por edhe secila betejë ka trimat e vetë", vetëm njeriu i arsimuar edhe i brumosur me besimin në Krijuesin Një, që respekton dhe niset nga vetja mund të jetë i drejtë dhe mos t'i hyj në hak askujt, mirëpo kjo do i ndihmojë edhe të ju bëjë ballë sfidave të kohës edhe jetës shprehet mulla Milazimi.
Duke përfunduar ai shpreh kënaqësinë, që sot në krahasim me kohën kur ai nisi rrugën për mësues feje, gjeneratat e reja kanë mundësi që të mësojnë, edukohen, arsimohen dhe të përgatiten për punë dhe për jetë, ndonëse përpara besimtarët ishin të lidhur fortë mes vete, ndërsa tash jo vetëm në besim, por as në familje nuk është situata që ka qenë më herët në familjet shqiptare.
Feta Beka
Dituria Islame 312