Kontaktet e para me Islamin në Ballkan janë zhvilluar para ardhjes së osmanëve në fund të shekullit 14-të dhe gjatë shekullit 15-të.
Historiani nga Sarajeva, Muhammad Haxhiaxhiç, tregon se në afërsi të Mostarit janë gjetur monedha nga periudha e kalifit Mervan II (745-750), monedhat në Bosnjë kanë arritur përmes tregtarëve arabë, të cilët në masë të madhe kanë tregtuar në Mesdhe, në kohën kur Dubrovniku ishte qendër shumë e rëndësishme tregtare.
Kështu, është e mundur, që për shkak të rrugëve tregtare me Dubrovnikun, në fshatin Mlike të Kosovës, në vitin 1289, njëqind vjet para betejës së Kosovës, emigrantët nga qyteti sirian Halep, kanë ndërtuar xhaminë më të vjetër në Ballkan – xhaminë e Haxhi Huseinit. Në pllakën e gurit, në gjuhën arabe, shkruan se xhamia është ndërtuar në vitin 1289, ndërsa e ka rinovuar në vitin 1822, Ahmed al-Aga.
[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/xhamia1_1482500822.jpg[/img]
Xhamia e Haxhi Huseinit në fshatin Mlike (Kosovë)
Sipas informatave historike, familja al-Aga në periudhën prej vitit 1095 në kërkim të një jete më të mirë erdhi deri në Kosovë, por duke pasur parasysh se bëhej fjalë për një familje të madhe, herë pas here, në intervale të caktuara kohore, ata janë vendosur në pjesët jugore të Kosovës, dhe pas përshtatjes me mjedisin e ri ata vendosën të qëndrojnë aty më gjatë, dhe në vitin 1289 ndërtuan edhe xhaminë.
Sipas gojëdhënave popullore dhe dokumenteve besohet se emigrantët ishin kryesisht nga provinca dhe qyteti i Halepit, madje pasardhësit e tyre të sotëm ende e mbajnë mbiemrin familjar Halepovci (Aljabakovci), dhe jetojnë në Mlike, Krushevë, Dragash dhe Restelicë. Ata, gjithashtu, mund të gjenden edhe në Prizren, duke punuar si farkëtarë dhe zejtarë, por edhe në pjesë të tjera të Kosovës dhe Maqedonisë. Ekzistenca e zanateve individuale në Gorë (zejtaria dhe farkëtaria) lidhet pikërisht me këto familje.
[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/mlike_1482500945.jpg[/img]
Dokument nga viti 1995 , i cili tregon për emigrantët nga Halepi, të cilët janë vendosur në Kosovë.
Si konfirmim i kësaj teze është dokumenti që muslimanët e këtij vendi e kanë marrë nga Damasku në vitin 1995 nga Ministria e vakufeve të Republikës Arabe të Sirisë, në të cilin në përkthim thuhet:
“Ne Muftinia e Qarkut të Halepit, në Republikën Arabe të Sirisë, konfirmojmë se familja al-Aga është një familje e njohur dhe e lashtë, anëtarët e së cilës kanë emigruar në vitin 1095, ndërsa emigrimi i tyre ka vazhduar deri në vitin 1291, ku ndërtuan xhaminë në fshatin e tyre Mlike, si vend për kryerjen e riteve fetare. Në bazë të kësaj, kjo xhami është vërtetë pronë e këtyre familjeve, respektivisht familjeve të muslimanëve arabë të zhvendosur dhe nuk është nga objektet osmane. Ne vërtetojmë pronën e tyre dhe kërkojmë nga autoritetet që t’u ndihmojnë në këtë.”
[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/natpis_1482500965.jpg[/img]
Gjatë historisë së trazuar të Kosovës kjo xhami është djegur dy herë, por pllakën e gurit me mbishkrim në gjuhën arab vendasit e kanë ruajtur me kujdes, duke e fshehur atë në tavanet e shtëpive dhe vendet tjera. Në këtë mënyrë është ruajtur fakti se xhaminë e parë në Ballkan e kanë ndërtuar emigrantët selxhuk nga Halepi, njëqind vjet para betejës së Kosovës.