Krishteri 80 vjeçar nga Egjipti, Ayad Shaker Hanna, ua mëson fëmijëve muslimanë leximin e Kur’anit. Me këtë veprim, ai ka fituar zemrat e njerëzve në botën arabe, e më gjerë, pasi historia e tij u shpërnda në shumë media dhe në rrjete sociale.
Ayad ka ndihmuar fëmijët muslimanë në fshatin e tij Akoris që ta mësojnë Kur’anin përmendësh për dekada të tëra, njofton Al Jazeera.
Në shtëpinë e tij Ayad ka improvizuar një klasë të vogël për mësimin e aftësive shumëllojshme, përfshirë këtu edhe leximin dhe shkrimin. Ai thuhet se është personi i parë që ka mësuar të lexojë në Akoris, pjesë kjo e provincës Minya të Egjiptit të Epërm.
“Ne nuk bëjmë dallim mes muslimanëve dhe të krishterëve. Të krishterët pasojnë Krishtin, ndërsa muslimanët profetin Muhamed, por kur vjen puna te dhënia, marrja dhe nevojat, është dashuria ajo që ne kemi ndarë në këtë fshat për një kohë të gjatë”, thotë 80 vjeçari Ayad.
Imami lokal thotë se: “Për një kohë të gjatë i kemi drejtuar fëmijët tanë që të shkojnë te mësues Ayad, pasi është dëshmuar si njeri që kultivon parimet dhe kujdeset për edukimin e drejtë të fëmijëve.”
Ayad e pranon se gjatë leximit të Kur’anit, të cilin ai e ka mësuar në shkollë, ndihet i afërt me Zotin, sepse siç thotë ai Kur’ani përmban mesazhe dashurie dhe mëshire.
[youtube][/youtube]