Ishte njëherë një trapar i cili me trapin e tij barte njerëzit përtej lumit.
Një ditë në trapin e tij hipi një profesor, njeri kryelartë dhe mburravec.
Duke lundruar në lumin e gjerë, njeriu i ditur e pyet traparin: “A të ka ndodhur ndonjëherë, po të pyes në imperfekt, që koha e keqe të është vërsulur derisa ke qenë duke lundruar?”
Trapari e shikoi me sy duke u përpjekur të kuptojë se a është normal ky njeri. Atëherë miqësisht i tha: “Nuk i kuptoj këto pyetje të vështira.”
“Ha-ha, a nuk e ke mësuar gjuhën në shkollë?” - i tha mësuesi me mburrje.
“Jo.” - tha trapari.
“Atëherë gjysmën e jetës e ke harxhuar kot zotëri, ngase shkenca është ajo që e ngrit njeriun në jetë.” - i tha mësuesi me gisht të ngritur.
Trapari heshti.
Nuk kaloi gjatë dhe u paraqit një erë e fortë, qielli u errësua, uji u turbullua, dhe trapi filloi të humb orientimin, pa marrë parasysh përpjekjet e traparit.
Filluan bubullimat dhe shiu rrëke.
Trapari u drejtua kah profesori: “A di të notosh?”
“Jo, nuk di.” - tha i çuditur profesori.
“E njeri “hyjnor”, zotëri profesor, ti e paske harxhuar tërë jetën kot, ngase ne po zhytemi.” - i tha trapari.
Mesazhi i tregimit:
Në kohën e sodit ne më së shumti kujdesemi që fëmijëve tanë t’u fusim në kokë ide të pakuptimta, t’ju mësojmë dhjetëra profesione të padobishme. Por, askush nuk kujdeset si ta mësojë fëmijën për jetën. Atëherë, vinë gjërat e pakëndshme në jetë dhe shkatërrimi i sistemeve... njerëzit drogohen, dehen, rrihen, divorcohen, ndërrojnë punët, dhe qindra gjëra tjera për të zgjidhur problemet. Në fund edhe më tepër ngatërrohen dhe të palumtur e presin vdekjen duke menduar se nuk kanë pasur fat në jetë.
Mund të keni dituri dhe të dini shumë, por të jeni të çmendur, sepse dituria dhe mendja nuk e bëjnë të mençurin. Të jeni të mençur, nuk duheni të dini shumë dhe të jeni inteligjent. Mençuri d.t.th. të dini si të jetoni jetën. Për këtë, mençuria mund të fshihet tek bariu në livadh, tek nëna pranë oxhakut, tek pastruesja në fakultetin filozofik. Njëjtë, poashtu çmenduria mund të gjendet në mesin e profesorëve dhe doktorëve, qoftë edhe tek ata që e dinë përmendësh tërë teologjinë e filozofinë dhe flasin dhjetëra gjuhë të huaja.
Andaj, mëso gjuhën e jetës!
Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi