AAG e FRI dënojnë sulmin e vajzës me mbulesë në qendër të Shkupit

Asociacioni për Afirmimin e Gruas (AAG) dënon ashpër rastin e fundit të sulmit verbal dhe fizik ndaj dy vajzave të pafajshme në qendër të qytetit të Shkupit, njëra studente muslimane dhe tjetra e krishtere, nga tre maqedonas.

Ngjarje kjo shqetësuese për faktin se ndodhitë e tilla shkelin seriozisht dinjitetin njerëzor, cenon të drejtën elementare të lëvizjes së lirë dhe sigurisë si dhe shton krimin e urrejtjes. Askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, gjendja ekonomike, arsimore dhe sociale. Mbrojta e lirive dhe të drejtave të njeriut janë shtyllë kryesore në funksionimin normal të shteteve demokratike sepse nga respektimi i të drejtave dhe lirive varet drejtpërdrejt zhvillimi politik, ekonomik dhe juridik i një shteti demokratik.
AAG bën thirrje deri te organet kompetente që që të jenë më vigjilent dhe të përshpejtojnë hetimet për të denuar dhunuesit e kësaj ngjarje.
Një dhunë e përsëritur është Krim!

Edhe Forumi Rinor Islam e veçanërisht Departament i Femrës, si organ i kësaj organizate rinore, kanë shprehur pakënaqësi dhe reagim me rastin e sulmit të një femreje myslimane dhe me mbulesë në qendër të Shkupit, nga ana e tre bashkëqytetarëve tanë, me pretekstin se ajo dhe të ngjashmit me të sjellin rrezik dhe pasiguri në vendin tonë.
"Çdo njeri mbi tokë ka të drejtën e lirisë, veprimit, të folurit dhe vendimit mbi përkatësinë fetare e politike. Maqedonia, e deklaruar si shtet demokratik, medoemos duhet që çdo një qytetari t’i dhurojë sigurinë dhe të drejtën e të jetuarit në këtë vend, pa e kushtëzuar mbi përkatësinë dhe identitetin. Bukurinë e multikulturalizmit që e posedon vendi ynë, duhet ta ruajmë me dinjitet dhe ndershmëri të lartë, duke respektuar çdo qenie dhe llojllojshmërinë e dallimeve. Duke e shfrytëzuar për të mirë këtë mirësi, qytetarët së bashku kanë fuqi që t’ia rikthejnë shkëlqimin këtij vendi, duke e bërë Maqedoninë shtet më të zhvilluar në aspektin ekonomik, arsimor, politik, social dhe kulturor", deklaron përgjegjësja e këtij departamenti, Zubejda Murtezi.
Ndërsa, gjuha e urrejtjes dhe nënçmimit duhet të dënohet me çdo kusht, në mënyrë që të gjithë të jetojnë në paqe dhe harmoni.