I nderuar president i Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani
I nderuari nderuar Kryetar i KMSH, z. Skender Bruçaj
I nderuari Shaqir ef. Fetahu nga B. Islame e Maqedonisë
I nderuari kryegjysh i Bektashinjve Haxhi Mond Ibrahimi
Të nderuar studiues,
Zonja dhe zotërinj;
Në emrin tim personal dhe në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, kam kënaqësinë, që sot t'ju drejtohem e t'ju përshëndes në këtë aktivitet të rëndësishëm për fjalën e shkruar shqipe, në përgjithësi, dhe atë islame, në veçanti. Përvjetorët si ky janë një rast i mirë që të shohim, e të analizojmë rrugën, arritjet, sukseset, po edhe sfidat në për të cilat ka kaluar dhe më të cilat është përballur revista "Drita Islame", e cila nisi rrugëtimin e saj këtu e 25 vjet më parë, pikërisht në kohën kur në Shqipëri filluan të frynin erërat e demokracisë dhe të lirisë së mendimit e të besimit.
Nisma dhe vendimi për nxjerrjen dhe botimin e revistës "Dritës Islame" në vetvete paraqet njëra ndër ndërmarrjet më të guximshme dhe më të rëndësishme të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë që asokohe udhëhiqej nga Hafiz Sabri ef. Koçi. Ky vendim, si të thuash, ishte marrë për të vazhduar misionin e nisur, por të cilin ia kishin ndërprerë në gjysmë, dekada më parë pararendësve të "Dritës Islame" revistave "Zani i Naltë" dhe "Kultura Islame". Prandaj, me plotë bindje themi se "Drita Islame" është vazhdimësi e frymës, mendimit, konceptit, filozofisë e misionit të revistave "Zani i Naltë" dhe "Kultura Islame" dhe literaturës islame në gjuhën shqipe që ishte botuar deri kur u ndalua me ligj liria dhe manifestimi i fesë në Shqipëri.
Kështu, me botimin e saj në këtë kohë, "Drita islame" iu bashkua simotrave të saj që botoheshin në tri qendrat kryesore të shqiptarëve jashtë Shqipërisë, përkatësisht, revistës "Dituria islame" në Prishtinë, "Hëna e re" në Shkup, dhe "Elif" në Podgoricë, të cilat tashmë kishin krijuar një traditë të mirë në këtë drejtim.
Me një fjalë, "Drita islame", duke qenë pasardhëse e revistave "Zani i Naltë" dhe "Kultura islame" dhe e tri revistave të sipërpërmendura, u bë, si të thuash, jo vetëm urë lidhëse midis brezave, por edhe trevave shqiptare.
Të nderuar të pranishëm,
Në këtë përvjetor të rëndësishëm, duhet thënë edhe një fakt, se nismëtar për botimin e "Dritës Islame", po edhe disa ndërmarrjeve të tjera të rëndësishme për rithemelimin dhe riorganizimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar, janë brezi i ish-nxënësve të Medresesë së Tiranës, të cilët me gjithë se kishin kaluar kohë jo të mira gjatë ish-sistemit, ata për asnjë çast nuk hoqën dorë dhe nuk u hamenden nga bindjet dhe formimi që kishin marrë nga pedagogët e shquar atdhetar e fetar sa ishin nxënës në Medresenë e Tiranës, gjë që kontributi i atij brezi duhet çmuar e vlerësuar drejtë dhe në mënyrë meritore.
Është kontribut i atij brezi prandaj që "Drita Islame" që në numrat e parë të saj të konceptohet asisoj që të lejoj hapësirën për të kultivuar mësimet mbi traditën, fenë dhe të kaluarën e populli tonë. Dhe jo vetëm kaq, por ndër parimet kryesore të "Dritës islame" ishte kthimi dhe kultivimi i shpresës për një të ardhme më të mirë, më pastaj kultivimi i tolerancës, mirëkuptimit, mirëbesimit, edukimit e arsimimit të lexuesve të saj, por gjithnjë pa harruar misionin parësorë e primarë ofrimin e njohurive themelore për njohjen e mësimeve e udhëzimeve të fesë islame.
Të nderuar vëllezër e motra,
Gjatë këtij çerek shekulli të veprimtarisë së saj, "Drita Islame" ka arritur që të kryej me shumë sukses misionin e saj, të jep kontributin e saj të veçantë në mësimin, edukimin dhe informimin e drejtë të lexuesve të saj dhe në fisnikërimin, emancipimin dhe ngritjen kulturore e shpirtërore të popullatës shqipfolëse.
Kështu "Drita islame" sot zë vend meritor në fushën e fjalës së shkuar shqipe e posaçërisht në literaturën islame shqiptare.
Sigurisht, që për këto suksese dhe për këto të arritura më meritorët janë ata që u bënë sebeb dhe e nxorën "Dritën islame", më pastaj drejtuesit e saj, redaktorët, bashkëpunëtorët dhe sidomos lexuesit besnik të revistës.
Të nderuar të pranishëm,
Në fund më lejoni që nga zemra të uroj Komunitetin Mysliman Shqiptar me Haxhi Skender Bruçaj në krye për këtë manifestim kaq dinjitoz, kurse "Dritës islame" i urojmë jetë të gjatë sa edhe vetë emri i saj. Lus Zotin e Madhirëshëm që këtë revistë konform emrit të saj ta bëjë "Nûrun 'alâ nûr", dritë përmbi dritë; ta bëjë dritë shkëlqyese dhe një fanar ndriçues për popullin dhe vendin tonë.
Naim ef. Tërnava
Tiranë, 28 shkurt 2017 Myftiu i Kosovës