Duke ngritur zërin për muslimanët në Athinë të cilët nuk kanë një zgjidhje tjetër përveçse të kryejnë namazin dhe lutjet në kushte joadekuate nëpër bodrume, një klerik i lartë musliman nga Greqia ka shprehur nevojën e madhe për një xhami në kryeqytetin grek, Athinë.
"Greqia është i vetmi vend në BE pa një xhami në kryeqytetin e saj", deklaroi në një intervistë për Anadolu Agency, myftiu i Komotinit (Gumylcine), Ibrahim Sherif.
Sipas tij, aktualisht në Athinë jetojnë rreth gjysmë milionë muslimanë. “Këta njerëz falin namazin nëpër bodrume dhe vende të papërshtatshme”, tha ai.
Sherif thotë se në vazhdim e sipër po kryhen punimet për ndërtimin e xhamisë, por siç tha, nuk do besojë përderisa të përfundojnë punimet dhe xhamia të hapet për besimtarët. “Mendoj se punimet do të zgjasin me vite”, shtoi Sherif.
Sipas planeve, punimet në xhaminë e parë zyrtare në Athinë pas shekullit të 19-të do të duhet të përfundojnë në fund të këtij viti.