Organi më i lartë për këshillime fetare në Egjipti Dar al-Ifta’ dje lëshoi një fetva ku thuhet se valuta virtuale Bitcoin është e ndaluar në Islam.
"Bitcoin mund të jetë i dëmshëm për sigurinë shoqërore dhe ekonomike të vendit", thotë Dar al-Ifta’.
Këshilltari i myftiut të Egjiptit, Magdi Ashour, tha se monedha 'përdoret drejtpërsëdrejti për financimin e terroristëve', duke shpjeguar se transaksionet e saj po shkaktojnë dëme të mëdha për ekonominë.
"Ajo nuk ka rregulla të caktuara, që konsiderohen si anulim i kontratës në Islam, prandaj është e ndaluar," shtoi Ashouri.
Ai më tej shtoi se është e ndaluar të kryhen transaksione ose ndonjë shkëmbim financiar, sepse mbart shumë rrezik. Ashouri tha se Banka Qendrore e Egjiptit (CBE) kurrë nuk ka miratuar një ligj që rregullon biznesin me Bitcoin, prandaj nuk ekziston garanci për asnjërën palë.
Kohët e fundit dijetari Saudit, Assim el-Hakim ka njoftuar se monedha është e ndaluar, sepse është një 'formë kriptografike parash që është e paqartë dhe i siguron anonimitet mashtruesve'.
"Ne e dimë se bitkoinët mbeten anonim kur ju bëni biznes me ta ... që do të thotë se ka një derë të hapur për pastrimin e parave, para për drogë dhe para të ndaluara", tha ai. "Muslimanët nuk duhet të përfshihen në transaksione të tilla të dyshimta vetëm për të marrë para të shpejta dhe për të krijuar fitim të shpejtë. Ky nuk është një koncept islam", paralajmëroi Hakim.
Gjithashtu në nëntor, Presidenca Turke për çështje fetare (Diyanet) ka lëshuar një njoftim zyrtar, ku këshillon turqit kundër investimit në kriptovaluta të tilla si Bitcoin.
Bitcoin është një kriptovalutë e pavarur nga bankat tradicionale, e cila filloi të qarkulloj në vitin 2009. Aktualisht vlera e një Bitcoin është 14,100 dollarë.