Japonia është duke planifikuar vendosjen e “xhamive lëvizëse” në vendngjarjet, kampet stërvitëse dhe në vende të tjera ku pritet të zhvillohen Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike të Tokios të vitit 2020 për përdorim nga atletët muslimanë dhe pjesëmarrësit tjerë.
Xhamitë do të vendosen në kamionë të mëdhenj, duke u mundësuar atyre që të zhvendosen kudo në çdo kohë për të qenë në shërbim të myslimanëve si vende të sigurta të adhurimit.
Ideator i kësaj është 58-vjeçari Yasuharu Inoue nga Tokio, president i një kompanie e cila organizon ngjarje të tilla. Inoue prezantoi “footbath”-in në Olimpiadën Verore 2004 në Athinë dhe organizoi një ngjarje në Lojërat e Londrës 2012 për të shprehur mirënjohjen për mbështetjen e ofruar nga vendet e huaja pas tërmetit të madh në Japoni.
Përmes këtyre dhe ngjarjeve tjera, Inoue ka përdorur Olimpiadën si një mundësi për të bashkuar atletë dhe pjesëmarrës të huaj dhe japonezë.
Ideja më e fundit e Inoue u nxit nga një projekt kulturor japonez që ai ndihmoi të organizohet në Katar.
“Falja e namazit është një praktikë esenciale për muslimanët. Unë dua t’i mirëpres ata në Lojërat 2020 në Tokio me mikpritjen japoneze, duke siguruar një ambient të rehatshëm për adhurim”, tha ai.
Inoue po punon me prodhuesit vendas dhe entitete të tjera për të krijuar xhamitë e lëvizshme, dhe i ka kërkuar një projektuesi të brendshëm nga Katari për të planifikuar brendësinë e xhamive.
Modeli i parë pritet të përfundojë këtë vit, me plane që deri në vitin 2020 të prodhohen pesë deri në 10 njësi.
Derisa Katari do të jetë nikoqir në Kupën e Botës së futbollit 2022, Inoue tha se po bisedon edhe me komitetin e tij organizues rreth vendosjes së xhamive të lëvizshme për këtë ngjarje.
“Dua që Lojërat e Tokios të jenë një mundësi për të zgjeruar kontributin e Japonisë për shoqërinë islamike në nivel global dhe në të ardhmen të përdorin xhamitë në kampet e refugjatëve, zonat e konfliktit dhe fusha tjera për shkaqe paqësore”, tha ai.