Kuptimet nga fjalori për kryelartësinë janë: mendimi së tepërmi i lartë për cilësitë e meritat personale, qëndrim ose sjellje arrogante ndaj të tjerëve. Sqima, arroganca, të qenët së tepërmi krenar për veten, egotizmi [kulti për veten (Shën. i përkthyesit)], mburrja e fryrja janë që të gjitha sinonime për kryelartësinë.
Përkundrejt kësaj, përulësia, butësia e modestia janë antonimet e saj.
Objektet mbi të cilat shkon kryelartësia janë: origjina, përkatësia fisnore, pasuria, fuqia, forca fizike, bukuria, të mësuarit dhe dituria, statusi social e arritjet personale. Madje, kryelartësia shkon edhe në shërbimin të tepruar ndaj Zotit. Tipi më i keq i kryelartësisë është ajo që shprehet ndaj Zotit, të Dërguarit dhe fesë. Iblisi, Nemrudi, Faraoni, Karuni, Shedadi e prijës fisesh që kundërshtuan të Dërguar të ndryshëm janë shembuj që janë dhënë nga Kurani për këtë lloj kryelartësh. Tipi tjetër më i keq, pas këtyre, është ajo kryelartësi që shprehet në lidhje me njerëzit. Kështu, të pasurit, të fuqishmit, të fortët, ndikuesit e ngjashëm, të diturit, ata që u përkasin familjeve feudale etj., përçmojnë të varfrit, më pak të fuqishmit, të dobëtit, më pak të lidhurit, të pashkolluarit, si dhe njerëzit me prapavijë më të ulët.
Çdo formë e kryelartësisë është e ndëshkueshme ndaj cilitdo që bëhet. “Kryelartësia përmbyset doemos” shkon thënia e përgjithshme. Asnjë fe a asnjë sistem morali nuk lavdëron kryelartin a mburravecin që njollos gjësendet, njerëzit, fenë e institucionet.
Islami e konsideron kryelartësinë si një nga vetitë më të këqija të njerëzimit. Kurani na tregon se si Iblisi qe përjashtuar nga Xheneti dhe qe dëbuar për shkak të kryelartësisë dhe si njerëzit si Faraoni nga Egjipti, Karuni i Beni Israilëve dhe Nemrudi nga Iraku qenë nënçmuar për shkak të arrogancës së tyre kundrejt Zotit dhe të Dërguarit të Tij. Sipas Kuranit, Zoti nuk i do kryelartët e mburravecët dhe se njerëzit e tillë do të hyjnë në Xhehenem dhe do të mbesin aty përgjithmonë. Ndërkaq, në bazë të një hadithi të të Dërguarit të Allahut, krenaria është shtroja e Allahut dhe madhështia është mbuloja e Tij dhe kushdo që matet (rivalizon) me Allahun në këto të dyja, Allahu do ta hedhë atë në zjarr. E sipas një thënieje tjetër të të Dërguarit të Allahut, nuk do të hyjë në Xhenet një njeri që ka kryelartësi sa një grimcë.
Argumente nga Kurani
1) “... Allahu nuk e do atë që është kryelartë dhe atë që lavdërohet!” (Kuran, 4: 36).
2) “E, për sa u përket atyre që besuan dhe vepruan mirë, atyre do t’u përmbushet shpërblimi i merituar, por edhe do t'iu shtohet prej dhuntisë së Tij. Për sa i përket atyre që u tërhoqën dhe mbajtën veten kryelartë, ata do t'i ndëshkojë me një ndëshkim fort të dhembshëm... !” (Kuran, 4: 173).
3) “(Allahu) Tha: “Çka të pengoi ty të bësh sexhde, kur Unë të urdhërova?” Ai (Iblisi) tha: “Unë jam më i vlefshëm se ai, mua më krijove nga zjarri, e atë e krijove nga balta!” (Allahu) Tha: “Zbrit nga ai (Xhenneti), nuk të takon të bësh kryelartësi në të, dil jashtë, s'ka dyshim se ti je i poshtëruar!”” (Kuran, 7: 12-13).
4) “E ata që i konsideruan të rreme faktet Tona dhe me kryelartësi u larguan prej tyre, ata janë banues të Zjarrit dhe aty do të mbeten!” (Kuran, 7: 36).
5) “Nuk ka dyshim se ata që përgënjeshtruan argumentet Tona dhe nga mendjemadhësia u larguan prej tyre, atyre nuk u hapen dyert e qiellit dhe nuk do të hyjnë në Xhennet derisa të përbirojë deveja nëpër vrimën e gjilpërës. Ja, kështu i shpërblejmë kriminelët!” (Kuran, 7: 40).
6) “Zoti juaj (që meriton adhurim) është një Zot, e ata që nuk e besojnë botën tjetër, zemrat e tyre janë mohuese (të njëshmërisë së Zotit) dhe ata janë kryelartë. Është e vërtetë se Allahu e di atë që e fshehin dhe atë që e shfaqin haptazi dhe se Ai nuk i do arrogantët!” (Kuran, 16: 22-23).
7) “Andaj, hyni në dyert e Xhehenemit, aty do të jeni përjetë: sa vend i keq është ai i kryelartëve!” (Kuran, 16: 29).
8) “Dhe mos ec nëpër tokë me mburrje, se as nuk mundesh ta çashë tokën e as nuk mundesh ta arrish lartësinë e maleve!” (Kuran, 17:37).
9) “Më pas, Ne dërguam Musanë dhe vëllain e tij Harunin me mrekulli dhe argumentet Tona të qarta te Faraoni dhe rrethi i tij, po ata u treguan kryelartë, sepse ishin popull mendjemadh. Dhe thanë: “Si t'u besojmë dy njerëzve që janë si ne, kur populli i tyre është në shërbimin tonë?” Kështu, ata i përgënjeshruan që të dy, andaj me të drejtë i shkatërruam!” (Kuran, 23: 45-48).
10) “Dhe mos shtrembëro fytyrën tënde prej njerëzve, mos ec nëpër tokë kryelartë, se Allahu nuk do asnjë mendjemadh e që shumë lavdërohet!” (Kuran, 31: 18).
11) “Ashtu që të mos dëshpëroheni tepër për atë që ju ka kaluar, e as të mos gëzoheni tepër me atë që Ai jua ka dhënë, se Allahu nuk do asnjë arrogant që lavdërohet para të tjerëve!” (Kuran, 57: 23).
Argumente nga Suneti
1. Harise ibën Vehab (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “A t’ju informoj për banorët e Xhenetit? – Çdo njeri i butë e modest. Nëse këta i kërkojnë diç Zotit, patjetër se Ai do t’ua përmbushë. A t’ju informoj për banorët e Xhehenemit? – Çdo njeri i poshtër dhe çdo i pasjellshëm e kryelartë!”
[Shënon Buhariu dhe Muslimi]
2. Ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Nuk do të hyjë në Zjarr asnjë prej atyre që në zemër kanë besim (iman) sa peshon një farë mustardeje [Mustardë: Lloj salce e fortë, që bëhet me farë sinapi, me miell, me uthull, me musht e me erëza dhe që përdoret sidomos për të shoqëruar mezet prej mishi. (Shën. i përkthyesit)], dhe gjithsecili që zë zemër ka kryelartësi sa peshon një farë mustardeje nuk do të hyjë në Parajsë!”
[Shënon Muslimi]
3. Ibën Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Nuk do të hyjë në Xhenet ai që në zemër ka kryelartësi sa një grimcë. Një njeri pyeti për një i cili dëshiron që veshmbathja e vet të duket e mirë. Ai tha: “Allahu është i Bukur dhe e do bukurinë. Kryelartësi do të thotë të mos e pranosh të vërtetën dhe t’i nënçmosh njerëzit!”
[Shënon Muslimi]
4. Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë se Allahu i Lartësuar ka zbritur: “Krenaria është shtroja Ime dhe madhështia është mbuloja Ime. Prandaj, kushdo që Më rivalizon në lidhje me këto të dyja, do ta pranoj në Zjarr (Në një transmetim tjetër: Do ta hedh në Zjarr!)!”
[Shënon Muslimi]
5. Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Ka tre veta të cilëve Zoti nuk do t’u flasë në Ditën e Gjykimit dhe që nuk do t’i pastrojë (në një version tjetër: “të cilët nuk do t’i shikojë), dhe po këta do të kenë dënim të dhimbshëm: i moshuari që bën kurvëri, mbreti gënjeshtar dhe i varfri kryelartë!”
[Shënon Muslimi]
6. Amër ibën Shuajbi transmeton nga babai i vet e ky nga gjyshi i vet (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!) se e ka dëgjuar Pejgamberin, alejhi selam, të ketë thënë: “Në Ditën e Gjykimit, të gjithë do të mblidhen si fara në formë njeriu. Këta do të jenë të rrethuar me turpërim prej gjithkah. Të njëjtët do të dërgohen në një burg i cili quhet Bulas. Për ta do të ndizet zjarr i nxehtë. Për të pirë do t’u jepen lëngjet e shtrydhura të banorëve të Xhehenemit, që janë të helmëta!”
[Shënon Tirmidhiu]
7. Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) rrëfen se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Le të ndërprejnë së mburruri njerëzit për paraardhësit e tyre të vdekur të cilët janë thjesht lëndë djegëse në Xhehenem; përndryshe, me siguri se te Zoti do të jenë më pak të rëndësishëm se brumbulli, i cili rrokullis jashtëqitjen e vet me hundë. Zoti ka hequr nga ju kryelartësinë e periudhës paraislame dhe mburrjen në lidhje me paraardhësit. Njeriu o është besimtar i devotshëm, o mëkatar mizor. Të gjithë njerëzit janë nga Ademi, kurse Ademi është nga dheu!”
[Shënon Tirmidhiu dhe ebu Davudi]
Përktheu nga anglishtja: Arsim Jonuzi, 18.10.2010
Shkëputur nga libri Kodi Social dhe Moral në Islam
Autor: Muhamed el-Kudri