Mjedisi në Kur’anin famëlartë

Dr. Ibrahim Ozdemir

Problematika e mjedisit konsiderohet prej çështjeve më të rëndësishme me të cilat përballet njeriu i kohës moderne. Kjo problematikë nuk kërcënon vetëm njeriun e kohës së tashme, po edhe gjeneratat e ardhshme dhe jetesën e tyre, pa harruar dhe klimën shëndetësore. Një problematikë e tillë mund të themi se ka përfshirë gjithë globin. Njeriu bashkëkohor, i cili ka arritur zbulime të papara në fushën e shkencës dhe teknologjisë, nuk ka arritur një bashkëpunim të baraspeshuar me natyrën.
Me fjalën “mjedis” nënkuptojmë të gjitha kushtet natyrore, të cilat jetojnë në bashkëjetesë me krijesat e tjera. Gjithashtu, si pjesë përbërëse e mjedisit konsiderohet edhe mjedisi i njeriut, ajri që thithim, uji që pimë, qyteti në të cilin jetojmë, si dhe njerëzit që na rrethojnë. Në anën tjetër, pyjet, bjeshkët, lumenjtë dhe detet, në të cilët marrin pjesë njerëzit, konsiderohen një pjesë tjetër përbërëse e mjedisit.


Mjedisi nga këndvështrimi kur’anor

Gjatë periudhës së shpalljes së Kur’anit, arriti të ndryshohej ideja e të menduarit përballë çështjeve globale. Kur’ani solli ide të reja të ekzistencës, baza e së cilës ishte Njëshmëria –Tevhidi. Natyra për njeriun deri atëherë ishte e parëndësishme dhe pa ndonjë vlerë të veçantë. Me ardhjen e Kur’anit doli në shesh edhe një e vërtetë tjetër, si një argument prej argumenteve të Allahut xh.sh..
Urdhri i parë kur’anor ishte “Lexo”! Me këtë urdhër nuk nënkuptohej vetëm urdhri i të lexuarit të një teksti të shkruar a të ruajtur në një vend, por leximi në shumë aspekte. Në saje të këtij mendimi, bota e cila deri atëherë njihej si e pashpirt dhe e pakuptimtë, filloi të merrte një botëkuptim të ri, sepse edhe ajo ishte madhëruese e Allahut xh.sh.. Në fakt, të gjitha krijesat në këtë gjithësi të përsosur, I drejtohen Allahut me ndjenjën e tyre adhuruese, pa asnjë mangësi, si një zemër e vetme për të adhuruar Allahun.


Faktorët e mjedisit në Kur’an

1) Krijimi i ekzistencës
Argumenti i parë që bën lidhshmërinë e Kur’anit me ekzistencën, është realiteti i shprehur në të, se ajo është krijuar nga asgjëja. “Ai (All-llahu) është që krijoi (pa kurrfarë shembulli) qiejt dhe Tokën (e duke qenë i tillë), e si do të ketë Ai fëmijë kur nuk pati bashkëshorte? Çdo send e krijoi Ai, dhe është më i dijshmi për të gjitha sendet e krijuara”. (El-Enam, 101).

2) Uji si burim jete
Uji në Kur’an pasqyrohet si burim i jetës: ”… edhe ujin e bëmë bazë të jetës së çdo sendi; a nuk besojnë?” (Enbija, 30), duke mos harruar as shiun, që nga qielli vjen me një masë të caktuar: “Ne lëshuam me masë ujë nga qielli dhe atë e përqendrojmë në tokë. Po Ne kemi mundësi edhe ta humbim atë (ujin)”(Muminun, 18) Uji, i cili është prej nevojave të rëndësishme jetësore të njeriut, që nga momentet e krijimit të tij kur ishte baltë, është një dhunti e papërshkrueshme si dhe shkak për shfaqjen e shumë begative.

3) Detet dhe oqeanet
Allahu në Kur’an thotë: ”Pastaj, Ai është që nënshtroi detin, që prej tij të hani mish të freskët, e prej tij të nxirrni stoli që i vishni, e i sheh anijet si çajnë (lundrojnë) në të (me ushtimë çajnë ujin në det). Ua nënshtroi që të shfrytëzoni nga begatitë e Tij dhe ashtu të falënderoni (Zotin). (En-Nahl, 14). Allahu xh.sh. gjithashtu tërheq vëmendjen për dobitë e përfituara nga deti: ”Zoti juaj është Ai që për ju mundësoi lundrimin e anijeve në det, në mënyrë që të kërkoni nga të mirat e Tij. Vërtet, Ai është shumë mëshirues ndaj jush”. (Isra, 66)

4) Retë dhe shiu
Kur banorët e Mekës kërkuan nga Pejgamberi a.s. mrekulli, zbriti ajeti: ”Është fakt se në krijimin e qiejve e të Tokës, në ndërrimin e natës e ditës, të anijes që lundron në det që u sjell dobi njerëzve, në atë shi që e lëshon All-llahu prej së larti e me të ngjall tokën pas vdekjes së saj, dhe në të përhap gjallesa të çdo lloji, në qarkullimin e erërave dhe reve të nënshtruara në mes qiellit e Tokës, (në të gjitha këto), për një popull që ka mend, ka argumente”. (El-Bekare, 164) Kjo tregon që mrekullia më e madhe dhe e përhershme është bota që na rrethon, në të cilën mund të gjesh argumente të pafund për ekzistimin e Allahut dhe për Njeshmërinë e Tij, ndërsa shiu është vetëm njeri prej atyre argumenteve: ”Ai është që i lëshon erërat si myzhde pranë mëshirës (shiut) së Tij. E kur ato (erëra) bartin re të mëdha përsipër, Ne i sjellim mbi një tokë të vdekur dhe në të lëshojmë ujin (shiun), dhe me të (me ujin) nxjerrim të gjitha frytet. Kështu i nxjerrim (i ngjallim) të vdekurit, ashtu që të kujtoni (fuqinë e Zotit)”. (Araf, 57) Kur’ani kur flet për shiun, përcakton një vështrim universal drejt krijesave, duke e paraqitur botën e tyre si të ishte një vendbanim i përbashkët: “Ai, i Cili për ju bëri tokën shtrat, (vendbanim) e qiellin kulm, e prej qiellit ju lëshoi shi, me të cilin ju siguroi lloje të fryteve
si ushqim për ju, pra mos I shpifni Allahut shokë, duke qenë se ju e dini (që Ai nuk ka shokë)”. (El-Bekare, 22) Duke qenë pjesë përbërëse e ekzistencës, Toka është përgatitur për njeriun në një sistem të veçantë furnizues me ujë, e gjithë kjo për zhvillimin dhe jetesën e krijesave.

5)Bubullima dhe Vetëtima
Bubullima, vetëtima dhe rrufeja, nga këndvështrimi kur’anor, janë krijesa të Allahut, që E madhërojnë dhe përmendin Atë. Allahu në Kur’an ka bërë një krahasim mahnitës në mes bubullimës dhe engjëjve: ”Ndërkaq, murmurima madhëron (Zotin një) me falënderimin (që i takon) e Tij, (e madhërojnë) edhe engjëjt nga droja ndaj Tij”. (Rad, 13) Ajo bubullimë, e cila vjen bashkë me vetëtimën dhe dëgjohet pas saj në gjithësi, sikur nxjerr zemrat nga vendi. Megjithëkëtë, kjo qarje dhe ky zë që për ne duket tmerrues, i përhapur ngado nga një horizont në tjetrin, përveç të tjerash, madhëron Allahun, duke treguar për begatitë, mëshirën dhe madhështinë e Krijuesit.

6) Bjeshkët
-Ai që krijoi krijesat si dhe qiejt pa asnjë shtyllë, është Ai që ka krijuar bjeshkët me përforcime, vetëm e vetëm që të mos e dëmtojnë njeriun: ”Dhe Ai është, i Cili tokën e shtriu, dhe në të krijoi kodra e lumenj…”. (Rad:3) Në Kur’an tregohet që bjeshkët madhëronin Allahun bashkë me Davudin a.s.: “Ne i patëm dhënë Davudit dhuratë të madhe nga ana jonë: “O male dhe shpezë, lartësoni (me tesbih) së bashku me të”. Ne ia zbutëm atij edhe hekurin (si brumë)’’ (Sebe, 10). Sikur nëpërmjet këtij madhëromi arrinte shkallën e afërsisë tek Allahu dhe largimin nga vetvetja, duke zhdukur të gjitha pengesat në mes tij dhe ekzistencës, duke u bashkuar me të në madhërim. Në anën tjetër, përgjigja e madhërimit vinte nga zogjtë dhe bjeshkët.


Kafshët amaneti i Allahut për njeriun

Në realitet, koncepti i natyrës që e qartësoi Kur’ani, mbështetet kryekëput në faktin se të gjitha krijesat, qofshin ato të gjalla a të vdekura, përfshirë këtu dhe njeriun, janë krijesa të Allahut xh.sh.. Në këtë kontekst njeriu dhe natyra nuk janë elemente të ndara e të panjohura nga njëri-tjetri. Përkundrazi, ato janë një tërësi e krijuar nga Allahu xh.sh.. Njeriu është I obliguar që me natyrën dhe krijesat në të, të veprojë me përgjegjësinë më të madhe. Ismail R. Faruku bën një përmbledhje të bukur të boshtit të njeriut me natyrën, si vijon:
1)Natyra nuk është pronë e njeriut, por e Zotit.
2)Natyra i është nënshtruar njeriut që të veprojë në të, porse brenda kufijtë e rregullave të veçanta.
3)Njeriu, ndaj natyrës duhet të veprojë patjetër në një formë etike, aq sa të ketë dobi prej saj dhe ta përdorë atë.
4)Njeriu duhet të studiojë në shkencat natyrore dhe sistemin universal duke bërë përpjekje për të kuptuar ligjet delikate dhe të mrekullueshme në të.


Shpërdorimi i burimeve natyrore konsiderohet mëkat

Nga ky këndvështrim, kuptohet qartë se Allahu xh.sh. është Ai Që ka përcaktuar begatitë, prandaj falënderimi ndaj Tij, përveç të tjerash, është përgjegjësi morale. Shpenzimi i tepërt, nuk është vetëm shpërfillje ndaj burimeve natyrore, - ai njëkohësisht konsiderohet mosrespekt ndaj Krijuesit, i Cili është Krijues dhe Pronar I të gjitha këtyre begative. Një gjë e tillë nuk ndikon vetëm tek ne, po edhe tek gjeneratat që vijnë pas nesh: “Ne çdo send kemi krijuar me masë të caktuar “ (Kamer, 49) I tërheq vërejtjen njeriut në ruajtjen e një “caktimi” të tillë. Duke qenë mëkëmbës i Allahut në Tokë, njeriu ka të drejtë të përfitojë nga kjo natyrë me kusht të nënshtrueshmërisë ndaj Krijuesit të tij. Derisa njeriu t’i jetë nënshtruar Krijuesit të tij, të gjitha krijesat do të jenë në shërbim të tij.



Marrë nga: www..hiramagazine.com
përktheu nga arabishtja: Feim Hoxha


Artikulli i kaluar
Kryelartësia
Artikulli radhës
Hekuri i zbritur

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Në Gjakovë u bë përurimi i dorëshkrimit “Sahihu i Buhariut” – kopja e Juninit (Video)