Agjërimi, drite e mendjes dhe e zemrës


Motra dhe vëllezër, më lejoni qysh në fillim t’ju dëshiroj një kryengritje sa më të suksesshme kundër mëkatit, në muajin dhe ibadetin më të suksesshëm të kryengritjes kundër mëkatit.
Këtë do e bëjmë nëse mendja ime dhe e juaja na flasin dhe thërrasin t'i përgjigjemi thirrjes e cila na vjen nga mbi shtatë palë qiej:
"A nuk ka ardhur koha t'u nënshtrohen zemrat e besimtarëve përkujtesës së Allahut dhe së vërtetës që zbriti? Të mos bëhen si ata që iu ishte dhënë libri më parë dhe iu zgjat koha e u ngurtësuan zemrat e tyre. Shumë prej tyre janë të pabindur." (El Hadid, 16)
Po o Krijuesi ynë po, pa dyshim se ajo tashmë ka ardhur, dhe po na troket në derë e dritare neve dhe gjithë atyre që u shkoi jeta pa të njohur Ty-e qe në fakt kjo i bie pa e njohur veten, sepse: Ai që njohu veten, njohu dhe Krijuesin e tij. Ka ardhur për neve që na shkuan 11 muaj dhe zemrat tona nuk u dridhen për shkak të mënyrës, e cila na i mbuloi ato nga dita në ditë, nga java në javë dhe nga muaji në muaj.
Flladet e saj tashmë po i ndiejnë Shqipëritë tona, po i ndinë Ummeti ynë, po i ndinë globi dhe e gjithë Gjithësia! Eja natë e parë e ramazanit dhe na liro nga kthetrat e djajve, cytjet dhe vesveset që ata po na i bëjnë për 11 muaj resht:
Pejgamberi ynë a.s ka thënë: "Kur vjen muaji i Ramazanit – ose kur është nata e parë e Ramazanit – prangosen djajtë, mbyllen dyert e zjarrit, asnjë derë e tij nuk hapet, hapen dyert e xhenetit e nuk mbyllet asnjë derë e tij, dhe thërret një thirrës: “O ti që kërkon të mirën, eja! O ti që kërkon të keqen, largohu (nga ajo e keqe). Allahu liron nga zjarri çdo ditë.” (Tirmidhiu, Ibn Maxheh dhe Ibn Huzejmeh).
Ditët dhe netët e ramazanit janë ato që bëjnë pajtimin më paqësorë ndërmjet zemrës, mendjes dhe trupit. Janë ato që na i stërvitin unin e nefsin për t'iu nënshtruar shpirtit e zemrës, për ta gëzu dhe mendjen e cila 11 muaj e fton nefsin tonë dhe e informon se përdorimi i tepërt i sheqernave e dëmton shëndetin, yndyrat e shumë ushqime tjera gjithashtu, por nefsi ynë i pa bërë terbije, vazhdimisht refuzon dhe e bënë të kundërtën! Kjo na bënë me dije se idhulli mëndje, të cilin e adhurojnë jo pak njerëz bashkëkohor, të pamendurat e shumta që ndodhin në prani të saj, nuk do i ndalë pa ndodhur pajtimi i saj me zemrën dhe shpirtin.
Pejgamberi (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: "Me të vërtetë në trup ka një copë mishi, nëse ajo copë mishi është e mirë, i tërë trupi është i mirë dhe nëse ajo prishet atëherë prishet i tërë trupi, ajo copëz mishi është zemra”. (Buhariu dhe Muslimi).
E kush e qetëson dhe rehaton më mirë zemrën se sa Dhikri dhe Agjërimi?! Gjatë ditës në ramazan braktisim epshin dhe ushqimin, por ushqejmë zemrën dhe shpirtin.
Nga Ebu Hurejra r.a., përcillet se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Çdo vepër e mirë e birit të Ademit shumëfishohet në dhjetë herë deri në shtatëqind herë. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Përveç agjërimit, sepse ai është për Mua dhe jam Unë që shpërblejë për të, ai (njeriu) braktis epshin dhe ushqimin e tij për hatrin Tim.”” (Muslimi)
Pa këtë ushqim shpirtërorë, muslimanët nuk do regjistronin ato gjurmë të pashlyeshme në mejdane të ndryshme jetësore dhe as në mejdanin e betejave historike! Dr Mutafa Sibai thotë: "Shikoni muslimanët, të cilët në betejën e Bedrit qe u zhvillua ne ditën e 17 te Ramazanit, edhe pse ishin pakicë, korrën fitore te bindshme, te cilën e amshoi Kur'ani Famëlartë...
A mendoni se do korrnin sukses, sikur te mos e kishte përforcuar agjërimi në shpirtrat e tyre fuqinë, te vërtetën dhe lirinë e plotë shpirtërore?!
Ata (mbroheshin) dhe sulmonin me fuqinë e Zotit, qëllonin me fuqinë e Zotit, sulmi i tyre kishte për qëllim Të Vërtetën."
Pastaj shikoni fitoret tona në betejat e Jermukut, Kadisejjes, Ajn Xhalutit, Hittinit, Rodosit, çlirimit të Stambollit dhe sa betejave e fitoreve tjera në kohën tonë bashkëkohore e deri te sakrifikimi tejkohorë i familjes Jashari dhe Komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari! A do mund të ndodhnin në atë mënyrë mahnitëse, qe i habitnin edhe hulumtuesit më të mëdhenj, sikur të mos ishin fituar me karakteristikat e agjëruesve, si ndershmëria, krenaria, sakrifikimi, durimi ndaj vështirësive, nënshtrimi para Zotit dhe zhvlerësimi i fuqive destruktive.
Për fund i kujtoj vetes dhe juve ligjërimin që bëri Muhammedi a.s për Ummetin në ditët e fundit të muajit Shaban e në të cilat jemi edhe ne kur tha:" O ju njerëz, është afruar muaji famëlartë dhe i begatshëm, në të cilin është nata që vlerësohet më tepër se një mijë muaj, në të cilin obligohen agjërimi dhe lutja vullnetare (namazi natës), kush vepron pak, fiton shumë, dhe ai që kryen një farz në të, sikur ka kryer shtatëdhjetë farze në një kohë tjetër. Ky është muaji i durimit, kurse durimi shpërblehet me xhennet, ky është muaji i barazisë dhe i shtimit të furnizimit (rrizkut) të besimtarit, ai që ushqen ndonjë agjërues i falen mëkatet, shpëton nga zjarri dhe nuk i pakësohet shpërblimi fare."
Të shtunën do hymë në Ramazan, prandaj, ata që e trajtojnë atë si muaj i urisë së ditës, ngopjes së natës dhe leximit formal të Kur'anit dhe fjetjes ditore nëpër xhami, nuk do të kenë kurrfarë dobie prej tij!
Allahu na bëftë nga ata që e ngjallin atë dhe ia marrin bereqetet atij.


Artikulli i kaluar
Mesazhi për Muajin Ramazan
Artikulli radhës
Shkolla e Ramazanit

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Në Gjakovë u bë përurimi i dorëshkrimit “Sahihu i Buhariut” – kopja e Juninit (Video)