Këshilla që Ebu Bekri dhe Omeri r.a. ua jepnin njerëzve
Besimi dhe namazi janë dy shtylla themelore që e mbajnë gjallë lidhjen e besimtarit me Zotin. Në kohë të shkujdesjes shpirtërore, rikujtimi i tyre bëhet nevojë për zemrën dhe jetën e besimtarit. Këshilla e Ebu Bekrit dhe Omerit r.a. na rikthen pikërisht te këto dy themele të fesë.
Hyrje
Ngritja dhe rënia janë evidente edhe në çështjet shpirtërore. Njerëzit, kushdo qofshin, e përjetojnë një gjë të tillë. E kanë përjetuar edhe njerëzit më të mirë, sahabët, Allahu qoftë i kënaqur me ta. Kjo ndodh për shkaqe të shumta dhe jo çdoherë negative. Ndonjëherë rënien shpirtërore, në kuptim të shkujdesjes dhe gafletit, e shkaktojnë edhe gjëra që në parim nuk janë mëkate, si marrja me punët familjare, fëmijët etj.1 Për këtë arsye, rikujtimi kohë pas kohe është ilaç që ruan drejtpeshimin e shpirtit në rrugën drejt Zotit. Në Kuran, Zoti i Madhëruar na mëson: "Por këshillo, se vërtet këshilla u bën dobi besimtarëve." (Dharijat, 55).
Abdurrahman bin Nasir Sadi thotë se këshilla apo rikujtimi është dy llojesh:
• Rikujtimi për gjërat që njihen përgjithësisht në bazë të natyrshmërisë dhe mendjes, por jo edhe detajisht, dhe
• Rikujtim për gjërat që dihen, por që nga gafleti harrohen. Përsëritja e tyre bëhet me qëllim që të përforcohen në mendje dhe që të këndellen e të veprojnë sipas asaj që këshillohen.2
Allahu i Madhëruar po na flet edhe për efektin e këshillës, e cila pranohet te besimtari, i cili ka besimin, përuljen, pendimin; i cili ndjek rrugën e kënaqësisë së Zotit. Kjo e bën besimtarin të dallohet nga të tjerët, të cilëve mendjemadhësia, kryeneçësia, fudullëku u bëjnë t'i refuzojnë këshillat. Allahu i Madhëruar thotë: "Prandaj këshillo, nëse këshilla do të jetë e dobishme! Asaj do t'ia vërë veshin ai që (i) frikësohet (Allahut), e do t'i shmanget vetëm më i keqi." (El Ala, 9-11).
Këshilla që do t'ua prezantojmë është e kësaj natyre
Nuk ka të bëjë me gjëra që nuk dihen ose që besimtarët nuk janë njoftuar me to, në një ose mënyrë tjetër. Ka të bëjë thjesht me rikujtimin e dy gjërave që kanë rëndësi të madhe në fe. Fjala është për besimin dhe namazin. E veçantë e kësaj këshille është se ajo vjen nga dy burrat më të mirë të këtij ymeti, Ebu Bekri dhe Omeri - Allahu qoftë i kënaqur me ta!
Muhamed bin Sirini ka thënë: Jam informuar se Ebu Bekri dhe Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të dy!, i mësonin (këshillonin) njerëzit duke u thënë: "Ta adhurosh Allahun dhe të mos i përshkruash ortakëri në asgjë, dhe ta falësh namazin e obliguar në kohën e vet, sepse në shpërfilljen e namazit ekziston rreziku i shkatërrimit."3
Rëndësia e kësaj këshille qëndron në përmbajtjen e saj, respektivisht në trajtimin e besimit dhe namazit, si dy gjërat më të rëndësishme në fe. Për ta kuptuar peshën dhe pozitën e tyre, Ebu Hurejre r.a. përcjell se një malësor arab paskësh ardhur te Pejgamberi a.s. dhe i paskësh thënë: "Më udhëzo për një vepër që, nëse e bëj, hyj në Xhenet! Pejgamberi a.s. i kishte thënë: "Ta adhurosh Allahun dhe të mos i përshkruash ortak në asgjë, ta falësh namazin, ta japësh zekatin e obliguar dhe të agjërosh!"
Malësori tha: "Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, nuk do të shtoj kësaj asgjë më shumë." Pejgamberi a.s. (kur dëgjoi këto fjalë) tha: "Kush ka dëshirë që ta shohë një banor të Xhenetit duke ecur, le ta shikojë këtë burrë!"4
Këshilla e parë: ruajtja e besimit
Besimi i pastër nënkupton që ta besosh, t'i bindesh dhe ta adhurosh Allahun e Madhëruar dhe ta adhurosh ashtu siç Ai na ka mësuar në Kuran ose ashtu siç i Dërguari i Tij, Pejgamberi Muhamed a.s., na ka mësuar në hadithet e tij. Se sa i rëndësishëm është ky koncept, mësojmë edhe nga fakti se kushti i parë i besimit dhe shtylla e parë e Islamit janë pikërisht me këtë domethënie. Në hadithin e Xhibrilit, kur Pejgamberi a.s. ishte pyetur për imanin dhe Islamin, kishte thënë për kushtin e parë të imanit: "Ta besosh Allahun..." dhe për shtyllën e parë të Islamit: "Të dëshmosh se nuk ka zot të adhuruar me të drejtë përveç Allahut..."5
Siç kanë shpjeguar dijetarët, pa plotësimin e këtij kushti nuk vlen absolutisht asnjë vepër. Që të shpëtosh në botën tjetër, që ta fitosh Xhenetin, ashtu siç mësuam edhe nga hadithi i lartpërmendur, duhet të besosh Allahun e Madhëruar ashtu siç Ai kërkon. Nëse vepron ndryshe, ke bërë gabimin më të madh, i ke bërë vetes zullumin më të madh, sepse ke bërë gabimin më të madh. Kur Pejgamberi Muhamed a.s., u pyet për mëkatin më të madh tek Allahu, tha: "T'i përshkruash Zotit ortak ndërsa Ai të ka krijuar."6
Në fakt, është gabimi që nuk falet. Me tekst kuranor, gabimin e vetëm që Allahu i Madhëruar nuk e fal kurrë është shirku, t'i përshkruash Zotit ortak. "Vërtet, Allahu nuk fal që të adhurohet dikush apo diçka tjetër veç Atij, por gjynahet e tjera më të vogla ia fal kujt të dojë. Kushdo që i bën shok Allahut (në adhurim), ka bërë gjynah të tmerrshëm." (Nisa, 48).
Pejgamberi Muhamed a.s. ka thënë: "Kush vdes duke e lutur dikë pos Allahut, hyn në zjarr."7
T'i bësh ortak Zotit, d.m.th., të adhurosh idhujt, t'u lutesh atyre, të therësh kurbane për ta, të falesh apo agjërosh për idhujt, t'u lutesh të vdekurve dhe të kërkosh ndihmë prej tyre, t'u besosh fallxhorëve, etj.
Nga ajeti i lartpërmendur mund ta mësojmë se shirku nuk falet, sepse është shpifje e madhe ndaj Zotit, është të thuash për Zotin e të veprosh atë që Ai nuk e ka ligjësuar. Prandaj edhe është mëkat i këtillë çfarë është. Shirku i asgjëson veprat. Është material asgjësues i çdo të mire. Allahu i Madhëruar thotë: "Me të vërtetë, të është shpallur ty (o Muhamed), si dhe atyre që kanë qenë para teje: "Nëse i shoqëron Allahut diçka tjetër (në adhurim), me siguri që punët tua do të zhvlerësohen dhe do të jesh ndër të humburit." (Zumer, 65).
Në Kuran ka dhe një përshkrim tjetër figurativ të dëmit që shirku i bën besimit. Bëhet fjalë për përmasat e shkatërrimit dhe dëmtimit. "...Kush i shoqëron Allahut diçka (në adhurim), i ngjan atij që bie nga qielli e që e rrëmben zogu ose i ngjan atij që stuhia e erës e ka hedhur në një vend të largët e të humbur." (Haxh, 31). Pra, zogu e rrëmben dhe e bën copë-copë ose era e hedh diku larg ku nuk ka kushte për jetesë dhe nuk mund të mbijetojë.8 Kështu vepron shirku me besimin.
Këshilla e dytë: Përkujdesja për faljen e namazit në kohën e vet
Këshilla e dytë ka të bëjë me faljen e namazit në kohën e vet. Namazi është shtylla e dytë e fesë dhe absolutisht një ndër çështjet më të ndjeshme të saj. Falja e tij në përputhje me rregullat dhe etikën ka dobi të shumta. Për shkak të ndikimit fetar që ka, te brezat e parë trajtesat për namazin janë bërë më shumë nga aspekti i përkujdesjes për rregullat dhe etikën, e më pak për mosfaljen e qëllimshme të tij, sepse nuk është paramenduar që myslimani të mos falet. Imami Ebu Tajjib Magrebiu ka thënë se, çështjen e mosfaljes së qëllimshme të namazit, dijetarët e kanë ngritur vetëm hipotetikisht, ndryshe nuk ka ndodhur, ngase askush nga myslimanët nuk e braktis namazin qëllimisht.9
Përkujdesja për namazin është kërkesë kuranore. Allahu i Lartësuar thotë: "Faleni rregullisht namazin, sidomos atë të mesmin dhe qëndroni me devotshmëri para Allahut, duke iu lutur Atij." (Bekare, 238).
Pejgamberi Muhamed a.s. po kështu na ka mësuar për t'u përkujdesur për namazet. Sahabiu i nderuar, Ubade bin Samiti r.a., përcjell se Pejgamberi Muhamed a.s. ka thënë: "Allahu ua ka bërë obligim robërve pesë namaze. Kush vjen me to ndërsa nuk ka humbur asgjë prej tyre, nga neglizhenca dhe shpërfillja ndaj tyre, ka premtim nga Allahu se do ta fusë në Xhenet..."10
Përkujdesja për namazet, duke përfshirë me theks të veçantë këtu kohën, është detyrim. Allahu i Madhëruar thotë: "...sepse namazi është detyrë për besimtarët në kohë të caktuar." (Nisa, 103).
Nga këtu, shpërfillja e namazit, duke bërë që të kalojë koha e tij, është mëkat. Në Kuran janë qortuar ashpër ata që veprojnë kësisoj.11 Po kështu edhe në hadithe. Pejgamberi Muhamed a.s. ka përmendur se gjëja e parë prej veprave për të cilat merret në pyetje robi është namazi; nëse ka qenë në rregull, atëherë ajo që pason është e lehtë.12 E me të qenit 'në rregull' nënkuptohet, përveç të tjerash, edhe falja e tij në kohën përkatëse.
Ndërsa falja e namazit në kohën e vet, veç përmbushjes së detyrimit, ka dhe shpërblim të veçantë. Konsiderohet ndër veprat më të mira. Abdullah bin Mesudi r.a., rrëfen se Pejgamberi Muhamed a.s. ishte pyetur për veprat më të mira, ndërsa kishte dhënë këtë përgjigje: "Namazi në kohën e vet, mirësjellja me prindërit dhe xhihadi në rrugën e Allahut!"13
Përmbyllje
Besimi dhe namazi janë dy gjëra që përcaktojnë arsyen e ekzistencës sonë. Ne kemi ardhur në këtë botë për ta besuar Allahun dhe për t'iu bindur Atij. Kështu, ne e gjejmë vetveten dhe qëllimin e krijimit tonë. Kështu, luajmë rolin që duhet luajtur në këtë botë dhe shpëtojmë në botën tjetër.
________________________________________
1. Shih hadithin e Handhales r.a., në Sahihun e Muslimit, nr. 2570, në të cilin qëndron se si ai, bashkë me Ebu Bekrin r.a., ishin ankuar për faktin se, kur ishin me Pejgamberin a.s., ndiheshin ndryshe, ndërsa kur ktheheshin në shtëpi, nuk e kishin atë nivel besimi. Pejgamberi a.s. iu kishte treguar se vazhdimi me të njëjtën tempo ishte i vështirë prandaj e kishte këshilluar që të bëjë përputhjen ndërmjet aspektit shpirtëror dhe material duke ndarë kohë për secilën prej tyre.
2. Abdurrahman bin Nasir es Sadi, Tejsiru el Kerimi err Rrahman fi tefsiri Kelami el Mennan, red. shkenc. Abdurrahman bin Muala Luvejhak, (Bejrut: Muessesetu err Rrisale, 2000), f. 812.
3. Ebu Bekir Abdullah bin Muhamed bin ebi Shejbe, El Musannef, red. shkenc. Sad bin Nasir bin Abdulaziz ebu Habib el Shithri, (Rijad: Dar kunuz Ishbilija, 2015), nr. 3245, 3/191.
4. Buhariu, nr. 1397; Muslimi, nr. 14.
5. Shih: Buhariu, nr. 50; Muslimi, nr. 9.
6. Buhariu, nr. 4477; Muslimi, nr. 86.
7. Buhariu, nr. 4497; Muslimi, nr. 92.
8. Shih: Ismail bin Omer bin Kethir, Tefsiru el Kur'ani el Adhim, red. shkenc. Hikmet bin Beshir bin Jasin, (Arabi Saudite: Dar Ibën Xheuzi, 1431 h.), 5/409.
9. Abdurrahim bin el Husejn Zejnuddin el Iraki, Tarhu ettethrib fi sherhi Ettakrib, (Demmam: Dar Ibën Xheuzi, 1438 h.), 2/14.
10. Ebu Davudi, nr. 425; Nesaiu, nr. 461; Ibën Maxheh, nr. 1401. Albani e ka saktësuar këtë hadith.
11. Shih: Maun: 5; Merjem: 59.
12. Shih: Ebu Davudi, nr. 864; Tirmidhiu, 413; Nesaiu, nr. 465.
13. Buhariu, nr. 7534; Muslimi, nr. 85.