E lejuara (hallalli) – korniza më e gjerë e dispozitave islame

 


Islami nuk e ndërton jetën mbi ndalesën, por mbi një hapësirë të gjerë lejueshmërie, ku harami përcaktohet vetëm me argument të qartë. Ky shkrim shqyrton parimin juridik se "në origjinë, gjërat janë të lejuara" dhe paralajmëron se ndalimi i asaj që Allahu e ka lejuar është po aq i rrezikshëm sa lejimi i së ndaluarës.


Hyrje


Kurdo që njeriu thellohet për të kuptuar urtësinë dhe arsyen madhore të zbritjes së librave hyjnorë dhe të dërgesës së pejgamberëve nga i Gjithëdijshmi Absolut - Allahu, do të kuptojë që synim sublim e i palëkundur i Tij mbetet lehtësimi i jetës së njerëzve dhe lumturimi i tyre në dy botët. Për të na e lehtësuar këtë qëllim, Zoti ynë, pos njoftimit tonë me madhërinë e cilësitë e Tij të përkryera, Ai mori përsipër ligjësimin dhe vendosjen e normave që do t'ia lehtësonin njeriut veprimtarinë dhe jetën e tij në këtë botë. Andaj, në Islam, ligjësimi është ekskluzivitet i Zotit; Ai vendos ligje, Ai lejon dhe Ai ndalon atë që Ai, me dijen e Tij absolute, e di që është në të mirë të njeriut. Mandati i dijetarëve islamë është thjesht të thellohen e të hulumtojnë në tekstet hyjnore dhe në hadithet profetike, që pastaj nga të njëjtat të nxjerrin, t'i sqarojnë normëzimet dhe t'i detajizojnë ato, në mënyrë që ato të bëhen të aplikueshme për njeriun në jetën e tij të kësaj bote.
Këtë të drejtë Allahu Fuqiplotë ia jep Qenies së Tij Absolute me vetë faktin që Ai është Krijuesi. Ai në Kuran e konstatoi këtë ndërlidhshmëri ekskluzive në mes krijimtarisë dhe ligjvënies, kur tha: "...vetëm Atij i takon krijimi dhe sundimi-ligjësimi. I Madhëruar është Allahu, Zoti i botëve." (El Araf, 54). Pra, duke qenë se Ai është Krijuesi i njeriut, Ai ka të drejtën për krijesën e Tij të vendosë ligje.


Hallalli (e lejuara) në këndvështrimin e juristëve islamë


Para se të trajtohet korniza e gjerë e së lejuarës, duhet perceptuar drejt definimi i kësaj norme në bazat e jurisprudencës islame - Usuli Fikh.
Natyrisht, divergjencat në definicione janë të shumta, por njëra prej definicioneve më përmbledhëse për të lejuarën ose mubahin është: ajo vepër për të cilën Ligjvënësi ka përcaktuar zgjedhje të lirë për mukellefin (personin e ngarkuar juridikisht) ndërmjet kryerjes dhe moskryerjes së saj, pa i lidhur asnjërën prej këtyre dy alternativave me lavdërim a shpërblim, dhe as me qortim apo ndëshkim.1
Në këtë perspektivë, edhe Hasan el Basriu pati thënë se hallalli është çdo gjë e mirë (pra, që mund ta veprosh), apo ajo për të cilën njeriu nuk do të japë llogari në Ditën e Kiametit.2
Hasen el Basriu nuk kishte për qëllim që të përjashtonte faktin se shumë prej veprave të mira janë edhe të obliguara ose të preferuara, por synonte që të vinte theksin se dobia ose mungesa e dëmit janë arsyet themelore që një veprim t'i lejohet njeriut ta bëjë.
Andaj, në jurisprudencën islame, është Zoti ynë Ai që përcakton mirësinë, vlefshmërinë dhe dobinë e gjërave për njeriun, duke i bërë të njëjtat të lejuara. Natyrisht, disa prej këtyre mirësive e dobive mbase njeriu mund t'i dallojë edhe me mendjen e tij, e shumë të tjera mbeten ekskluzivitet në dijen e të Gjithëdijshmit Absolut, i Cili, nga mëshira e kujdesi i Tij hyjnor, i sqaron për njeriun.


Të ndalosh të lejuarën është po aq mëkat sa ta lejosh të ndaluarën


Duke qenë lejimi dhe ndalimi ekskluzivitet i Zotit tonë të Urtë, atëherë kujdesi ynë duhet të jetë i lartë e të mos lëshohet gjuha nxitimthi e pa u matur për ta deklaruar të kundërtën e asaj që e ka synuar Vetë Ai. Allahu ka tërhequr vërejtjen në ajet kuranor, duke thënë: "Mos theksoni me gjuhët tuaja rrejshëm: "Kjo është e lejuar, e kjo e ndaluar", që kështu të trilloni gënjeshtra për Allahun. Me të vërtetë, ata që trillojnë gënjeshtra ndaj Allahut, nuk do të shpëtojnë." (En Nahl, 116).
Në kontekst të këtij ajeti, Imam Ebu Hanifeja, r.a., siç trans meton edhe nxënësi i tij, kadiu Ebu Jusufi, pati thënë: "Kam takuar dijetarët tanë të mëdhenj dhe i kam parë se e konsidero nin të papëlqyeshme dhënien e fetvasë. Ata nuk thoshin: 'Kjo është e lejuar' ose 'kjo është e ndaluar', përveçse kur bëhej fjalë për diçka që ishte qartësisht e përcaktuar në Librin e Allahut të Madhëruar."
Gjithashtu, transmetohet nga Ibën es Saibi, i cili tregon nga Er Rebi ibën Huthajmi - një prej tabiinëve më të shquar - të ketë thënë: "Mos thotë askush: 'Allahu e ka bërë këtë të lejuar' ose 'Allahu e ka pëlqyer këtë', sepse Allahu mund t'i thotë: 'Ti ke gënjyer! Unë nuk e kam bërë të lejuar dhe as nuk e kam pëlqyer.' Po kështu, të mos thotë: 'Allahu e ka ndaluar këtë', sepse Allahu mund t'i thotë: 'Ti ke gënjyer! Unë nuk e kam ndaluar dhe as nuk kam urdhëruar që të ndalohet.'"
Për këtë arsye, kur Imam Ahmedi pyetej për ndonjë çështje, ai nuk nxitonte të thoshte: "Kjo është e ndaluar." Përkundrazi, thoshte: "Nuk më pëlqen", "nuk më duket e përshtatshme", "nuk e dua", ose "nuk e konsideroj të mirë".3
Vërehet qartazi se mëkati i ndalimit të së lejuarës është ekuivalent në peshoren e Sheriatit me atë të lejimit të së ndaluarës.
Pos drojës që po e ngushtonin kornizën e lejueshmërisë së Alla hut, ata i mbulonte edhe frika që të flisnin në emër të Allahut për atë çështje që nuk e dinin saktë, nëse ishte ose jo e ndaluar. Meqë ishte interferim në kompetencën e Tij hyjnore, e ata s'kishin të drejtë më shumë se të sqaronin e interpretonin, kujdesi i tyre sigurisht se ishte në nivel të lartë.


Lejueshmëria - horizonti më i gjerë i normave islame


Ndryshe nga ç'lënë të kuptohen shumë nga ajetet kuranore dhe ato të haditheve profetike, diskursi bashkëkohor i dëgjuar tashmë prej shumë thirrësve e prijësve fetarë krijon perceptimin se Islami është fe me një korpus të gjerë restriktiv, që në formë rixhide përbëhet kryesisht nga një sërë ndalesash e qortimesh, të cilat thuajse janë të paimplementueshme ose vështirë të braktisen nga ana e njeriut në cilëndo kohë.
Po të ishin ndalesat, e jo lejesat, ato dominueset në pakon legjislative të Tij, njeriu do të privohej nga mundësia e shfrytëzimit të gjithë asaj që Allahu e ka krijuar për të, në gjithë këtë univers.
Ligjvënësi i Urtë na e tërhoqi vëmendjen te ky fakt kur na tha: "Ai (Allahu) është që për ju krijoi gjithçka që ka në tokë..." (El Bekare, 29).
Andaj, krejt absurd duket versioni lajthitës i predikimit të Islamit që shpërfill faktin se Ai krijoi gjithçka ka në tokë për njeriun, pra i vuri ato në shërbim të tij dhe i konsideroi provë begatie për krijesën e Tij të privilegjuar, e më pastaj t'i thotë atij që shumicën e atyre që i krijova për ty të janë të ndaluara.
Në të vërtetë, Ai ndaloi vetëm veprime e gjëra të caktuara për arsye dhe urtësi specifike, disa prej të cilave i dimë e disa nuk i dimë. Andaj, me të drejtë duhet thënë se korniza e të ndaluarave në ligjin islam është ngushtuar së tepërmi, ndërsa hapësira e të lejuarës është zgjeruar tej mase.
Dëshmi e kësaj është se tekstet e sakta dhe të qarta që urdhërojnë ndalimin janë mjaft të pakta; e çdo gjë për të cilën nuk ka ardhur një tekst specifik që e lejon apo e ndalon, mbetet në origjinën e saj - e lejuar (ibahah) - dhe hyn te falja hyjnore.
Lidhur me këtë përmendet edhe hadithi profetik që transmeto het nga Ebu Derda, r.a.: "Çfarë ka lejuar Allahu në Librin e Tij është e lejuar (hallall), çfarë ka ndaluar është e ndaluar (haram), ndërsa për çfarë ka heshtur është (veprimtari) e toleruar falur, andaj pranojeni lehtësimin e Allahut, sepse Allahu nuk harron asgjë, pastaj e lexoi këtë ajet: "...dhe Zoti yt nuk është kurrë që harron."4 Edhe më e drejtpërdrejtë ka qenë një pjesë e hadithit tjetër të transmetuar nga Muhamedi, a.s., ku ai thotë: "... Ka heshtur për disa gjëra, si mëshirë për ju, jo nga harresa; prandaj mos hu lumtoni rreth tyre."5
E po, heshtja e Allahut, pa ndërhyrë në çdo detaj të jetës, duke qenë Ai i Gjithëdijshmi Absolut që e di se çka i duhet njeriut e çka nuk i duhet, rrëfen për mëshirën dhe vullnetin e Tij për t'iu lënë hapësirë të gjerë veprimtarie njerëzve, në mënyrë që ata të mos kenë ngushti e vështirësi në jetën e tyre.
I Dërguari i Allahut ka shkuar edhe më larg se kaq, ua ka ndaluar shokëve të tij që të pyetnin për ndonjë çështje rreth së cilës kishte heshtur Allahu, nga frika se po u përngjanin popujve të mëhershëm, që i kërkonin të dërguarit të Zotit detajizime e pyetje të panevojshme, e Zoti shtrëngonte normat e sillte ndalesat për shkak të pyetjeve të tyre.
Në hadithin e saktë të transmetuar nga Sad ibën ebi Vekasi, r.a., Muhamedi, a.s. ka thënë: "Vërtet, ndër myslimanët, më i rëndë në mëkat është ai që pyet për një gjë që nuk ishte e ndaluar, e pastaj ajo ndalohet për shkak të pyetjes së tij."6
Në kontekst të interpretimit të këtij hadithi, juristi hanefi El Madhharij esh Shirazij el Hanefij ka thënë: "Mëkati i këtij pyetësi ishte më i madh se ai i të tjerëve, sepse ai u bë shkak që të gjithë myslimanët të privoheshin nga ajo gjë. Sikur të mos kishte pyetur për të, ajo nuk do të ishte ndaluar; sikur të mos ishte ndaluar, myslimanët do të kishin përfituar prej saj... Dhe nuk ka dyshim se ai që kryen një veprim, dëmi i të cilit shtrihet mbi të gjithë myslimanët, ka një mëkat më të madh se ai që kryen një veprim, dëmi i të cilit kufizohet vetëm te një person ose te një numër i vogël njerëzish."7
Ndonëse pyetja është çelësi i diturisë dhe sigurisht që, në parim, gjithnjë mbetet e lavdëruar, prapëseprapë, në periudhën e shpalljes hyjnore, pyetjet e tepruara që do të mund të ndjellin ndalesa nga Zoti për gjithë njerëzimin, llogariteshin nga i Dërguari i Allahut si "mëkati më i madh" që do të mund ta bënte ndonjë mysliman.


"Parimisht në Islam, gjithçka është e lejuar"


"El Aslu fi el Eshja' el Ibahatu - األصل يف األشياء اإلباحة" (Parimi themelor në Islam është lejueshmëria), ky është teksti i një rregulli juridik islam, që e kanë cituar juristët pothuajse të të gjitha shkollave juridike islame. Gjejmë divergjenca në disa shprehje të tekstit, por kuptimisht ndoshta thuhet e njëjta gjë. Të shumtë ishin dijetarët që përpiluan parimet dhe rregullat e përgjithshme të fikhut, dhe ata përmendën se njëra prej atyre rregullave më gjithëpërfshirëse është edhe kjo. Te disa dijetarë gjejmë që pas këtij teksti bazik të lartpërmendur, ata shtojnë edhe pjesën "...përveç asaj që e ndalon argumenti tekstual." Natyrisht, kjo pjesë nuk e zhbën e as nuk e delegjitimon pjesën e parë të rregullit juridik madhor, por bën një detajizim, i cili në fakt edhe do të duhej të vetëkuptohej.
Andaj, parimi i lejueshmërisë së gjërave është një qëndrim i njohur në literaturën e Usuli Fikhut - bazave të jurisprudencës islame dhe asaj ndërdisiplinare të Kavaid el Fikhijje - rregullave juridike islame. Ai iu atribuohet medhhebit hanefi, por edhe medhhebit shafij, e natyrisht se ka dijetarë edhe të medhhebeve të tjera që thonë të njëjtën gjë. Madje, në literaturën hanefite gjendet i pranishëm edhe te disa prej usulistëve të hershëm. Me kalimin e kohës, ky parim u konsolidua deri në formatin e tij tashmë të sipërcituar, për t'u bërë një nga rregullat e njohura të fikhut islam. Andaj, kuptimi i tij nuk ka mbetur pjesë e dok trinës juridike të ndonjë shkolle të veçantë, por është universalizuar dhe numri i dijetarëve që e morën atë si të mirëqenë sa vjen e shtohet.
Për hir të korrektësisë, duhet thënë se kishte nga dijetarët islamë që e kishin menduar se parimisht në Islam gjërat janë të ndaluara. Apo, disa që thoshin se në Islam nuk krijohet qëndrim as për lejueshmërinë parimore e as për ndalueshmërinë, për aq kohë sa nuk vjen teksti përcaktues i normës së asaj çështjeje. Megjithatë, shumica e dijetarëve mbështesin qëndrimin e parë, pra se baza është lejueshmëria.
Rregulli juridik determinon faktin se parimi themelor është lejueshmëria, derisa të shfaqet një argument që ndryshon normën dhe sjell ndalimin; e nëse një ndalim i tillë vjen, atëherë gjëja bëhet e ndaluar.
Imami i shquar dhe studiuesi i thelluar hanefit, Shemsul Eimme es Serahsiu, Allahu e mëshiroftë, ka përmendur se: "Thelbi i kësaj çështjeje qëndron në faktin se teksti që përcakton ndalimin vjen vetëm pas atij që vendos lejueshmërinë. Kjo për arsye se argumenti që dëshmon lejueshmërinë nuk krijon një dispozitë të re, por thjesht e lë gjendjen fillestare në atë gjendje në të cilën ka qenë. Pikërisht mbi këtë metodologji mbështetet qëndrimi i disa prej dijetarëve tanë, të cilët lejueshmërinë e konsiderojnë si parim themelor në të gjitha gjërat, përderisa nuk ekziston një dëshmi e vlefshme që e zhvendos atë nga kjo gjendje fillestare dhe përcakton ndalimin e saj."8
Pra, në çështjet e zakonshme të jetës apo që ne e quajmë fushë e marrëdhënieve ndërnjerëzore, njeriu nuk detyrohet që brenda korpusit normativ të porosive hyjnore të gjejë një tekst që thotë: "kjo kontratë shitblerjeje është hallall", "kjo lloj qiradhënieje është hallall", "kjo pemë është hallall", "kjo lloj veshjeje është hallall", "kjo mënyrë e udhëtimit është hallall", etj. Lejueshmëria është baza, përveçse kur ekziston argument që e ndryshon atë.
Nëse Sheriati do ta ndërtonte jetën mbi ndalimin si parim fillestar, çdo gjë e re do të kërkonte një leje të veçantë, por kjo nuk ka ndodhur. Po të lexohen me kujdes, do të shohim se shumë ajete kuranore e ndriçojnë këtë koncept. Ai në Kuran thotë: "Thuaj: "Kush i ndaloi bukuritë dhe ushqimet e mira që Allahu i krijoi për robërit e vet?" Thuaj: "Ato janë në këtë botë për ata që besuan, e në ditën e kiametit janë të posaçme për ta. Kështu i sqaron argumen tet një populli që kupton. Thuaj: "Zoti im i ndaloi vetëm të këqijat e turpshme, le të jenë të hapëta ose të fshehta, ndaloi mëkatin, ndaloi shtypjen e tjetrit pa të drejtë, ndaloi t'i mvishni Allahut shok pa pasur për të kurrfarë argumenti, dhe ndaloi të thoni për Allahun atë që nuk e dini se është e vërtetë." (El Araf, 32-33).
Mendoni pak më thellë në fjalën hyjnore "Zoti ndaloi vetëm të këqijat…"! Në gjuhën arabe, ِإ ِ َّنَاَم ا (innema) konsiderohet parafjalë ose shprehje që shërben për kufizim, veçim dhe përqendrim të një gjykimi në atë që përmendet në vijim. Ajo nuk përdoret thjesht për ta përforcuar një pohim, por për të përcaktuar kufijtë brenda të cilëve duhet kuptuar ai pohim. Përmes saj, Allahu e kufizon ndalueshmërinë në subjektin ose objektin që e ka për mendur në fjali, duke përjashtuar nga ai gjykim atë që qëndron jashtë kufirit të përcaktuar.
Ky parim vlen në përgjithësi për gjërat dhe veprimet, ndryshe nga çështjet e adhurimit, të cilat janë pjesë e fesë së përcaktuar drejtpërdrejt përmes shpalljes. Për këtë arsye, në këtë fushë vlen parimi se nuk mund të përcaktohet një adhurim pa një dëshmi apo argument të posaçëm nga
Ligjvënësi. Rregulli juridik "parimisht në Islam, gjithçka është e lejuar", njëherësh kristalizon faktin se besimtari mysliman ka një hapësirë të gjerë të lirisë së veprimit brenda korpusit legjislativ islam, gjë që e bën atë të jetojë në një ambient të plleshëm për zhvillim e avancim të gjithmbarshëm kulturor, civilizues e shkencor. Andaj, shpërfillja e tij, pos që vështirëson jetën e njeriut, e bën atë që ta urrejë pa të drejtë ligjin e Allahut, por gjithashtu ai hendikepon ritmin zhvillimor në ymetin islam, i cili edhe ashtu ka nevojë për një dinamikë të gjallë e të pandalshme.



_________________________________________
1 Abdulkerim en Nemleh, El Muhedhheb fi ilmi usuli el fikhi el mukaren, (Riad: Mektebetu Rrushd, 1999), 1:257.
2 Ebu Hajjan el Endelusi, El Bahru el Muhit fi et Tefsir, (Bejrut: Daru el Fikër, 2000), 2:100.
3 Shih: Jusuf el Karadavi, El Halalu uel Haramu fil Islam, (Kajro: Mektebetu Vehbe, 2012), 29-30.
4 Transmetuar nga El Hakimi në El Mustadrek 'ala es Sahihajn (nr. 3419 e 7114), nga Ed Darekutnij në Sunen (4/298), si dhe nga El Bejhakiu në Es Sunen el Kubra (10/12).
5 Ed Darakutni, Sunen ed Darakutni, (nr. 184); Et Taberani, El Mu'xhem el Kebir, (nr. 589); shih gjithashtu Salahudin el Alai, Xhami'u et Tahsil fi Ahkamil Merasil, nr. 796. Hadithi është i shkallës hasen-i mirë.
6 El Buhari, Sahih el Buhari,(nr. 2659); Muslim, Sahih Muslim,(nr. 2358) e tjerë.
7 Mudhhirudin es Shirazi el Hanefij, El Mefatih fi Sherhil Mesabih, (Kuvajt: Darun Nevadir, 2012), 1:257.
8 Husamudin es Signaki, El Kafi Sherhu Usulil Bezdevi, (Riad: Mektebetur Rushd li Neshri ue Teuzi, 2001). 3:1406.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

“Origjina e numrave” – arti, matematika dhe shpirtërorja në një ekspozitë