Falet xhumaja e parë në xhaminë e re të qytetit të Librazhdit

 


Në një atmosferë të ngrohtë vëllazërore, këtë të premte u fal xhumaja e parë në xhaminë e re të qytetit të Librazhdit, një objekt kulti modern i ndërtuar "Qatar Charity Albania".
Programi nisi me fjalën përshëndetëse të Myftiut të Librazhdit, z. Edmond Ceni, i cili shprehu mirënjohjen e tij të thellë për donatorët dhe të gjithë kontribuesit që bënë të mundur ndërtimin e kësaj xhamie kaq të domosdoshme për qytetin.
Më tej, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, mbajti hutben e kësaj dite të begatë, hutbe në të cilën shprehu mirënjohje të thellë për të gjithë ata që me përkushtim, mund dhe zemërgjerësi kontribuuan në realizimin e kësaj vepre të ndritur, e cila do t'u shërbejë brezave si një qendër adhurimi, edukimi dhe udhëzimi shpirtëror.
Referimin e tij ai e bazoi në dy ajete të Kuranit Famëlartë, ajete të cilat theksojnë vlerën e veçantë të shtëpive të Allahut në tokë, duke vënë theksin mbi rëndësinë e ndërtimit, mirëmbajtjes dhe frekuentimit të xhamive.


"Faltoret e Allahut i vizitojnë dhe i mirëmbajnë vetëm ata që besojnë Allahun dhe Ditën e Fundit ... (Teube, 9:18), si dhe "Në xhamitë, që Allahu ka urdhëruar të ngrihen e të përmendet aty emri i Tij, Atë e lavdërojnë në mëngjes dhe mbrëmje". (En-Nur, 24:36)


Kujtojmë se më herët, vazën e xhumasë e mbajti nënkryetari i KMSH-së, z. Taulant Bica, i cili ndau mesazhe të ndryshme vëllazërie, bashkimi dhe devotshmërie, ndërsa besimtarët e pranishëm i përshëndeti gjithashtu dhe ish-myftiu i Librazhdit, z. Ardit Hoxhllaku.
I pranishëm në faljen e xhumasë së parë në xhaminë e re të qytetit ishte edhe Drejtori i Qatar Charity Albania, z. Mahmud Abas Shakir.
Allahu (xh.sh) e bëftë këtë xhami burim hajri për qytetin e Librazhdit dhe një udhëzim për të gjitha zemrat që kërkojnë dritën dhe mëshirën e Tij.



 


 


Nuk ka artikull pas ketij.