Sot, në fshatin Kijevë të Komunës së Malishevës, me një ceremoni solemne, u vendos gurthemeli i xhamisë së re.
Në këtë ceremoni morën pjesë kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, përfaqësuesit e Këshillit të BI-së së Malishevës, përfaqësues të bashkësive lokale, imamë, si dhe banorë të fshatit.
Kryetari i Këshillit të BI-së së Malishevës, Sead ef. Paqarizi, falënderoi të gjithë kontribuuesit dhe theksoi se ndërtimi i xhamisë është një amanet i përbashkët për komunitetin fetar në këtë trevë.
Në fjalën e tij, kryeimami i Republikës së Kosovës, Vedat ef. Sahiti, nënvizoi se xhamia është jo vetëm vend faljeje, por edhe shkollë edukimi dhe vatër e bashkimit për xhematin.
Toka për ndërtimin e xhamisë është dhuruar si vakëf nga z. Kastriot Gashi, ndërsa një pjesë e mjeteve janë siguruar nga mërgata shqiptare dhe xhemati i xhamisë "Masjid-u Sunnah" në Madison, ShBA.
Ceremonia u përmbyll me dua dhe lutje për mbarësi në realizimin e këtij projekti.