Adoleshentja muslimane thyen gjashtë rekorde botërore dhe pranohet në Universitetin e Oksfordit

 


Mahnoor Cheema, 18-vjeç nga Britania e Madhe me prejardhje pakistaneze, ka thyer gjashtë rekorde botërore në fushën akademike, duke siguruar pranimin në Universitetin e Oksfordit për studime në mjekësi.


Cheema ka përfunduar me sukses provimet në 58 lëndë, duke arritur rezultate të shkëlqyera në secilën prej tyre, një arritje e pashembullt në historinë e arsimit të mesëm.
Mahnoor ka vendosur katër rekorde të reja përmes performancës së saj në provimet në Nivelin A:
- Ajo ka kaluar me rezultate të shkëlqyera plot 58 lëndë shkollore, një numër i jashtëzakonshëm që përfshin 24 lëndë të nivelit të avancuar (A-Level) dhe 34 lëndë të arsimit të mesëm (GCSE).
- Në provimet A-Level, që zakonisht merren në fund të shkollës së mesme, Mahnoor ka marrë 19 nota maksimale - A* dhe A - në lëndë të ndryshme si biologji, kimi, matematikë, histori, filozofi, gjuhë të huaja dhe më shumë.
- Në total, ajo ka grumbulluar 45 nota A* në të dy nivelet - GCSE dhe A-Level - një rekord botëror për një nxënëse të moshës së saj.
- Mahnoor është studentja e parë në botë që ka kaluar me sukses kaq shumë lëndë me nota të shkëlqyera.
- Vetëm në vitin e 10-të të shkollës, ajo ka marrë 17 nota A* në provimet GCSE.
- Ndërsa në vitin 2023, ka arritur të marrë 34 nota A* në provimet GCSE - një arritje që nuk është regjistruar më parë nga asnjë nxënës tjetër.


"Pranimi në Oksford është realizimi i ëndrrës sime të fëmijërisë," tha Cheema nga shtëpia e saj në West London. "Sakrificat e prindërve të mi e bënë të mundur këtë, jam e vetëdijshme për pozitën time të privilegjuar."



Mahnoor është vajza e juristëve Usman dhe Tayyaba Cheema të lindur në Lahore, e të zhvendosën në Angli në vitin 2006. Ajo ka ndjekur shkollat Langley Grammar School dhe Henrietta Barnett School, ndërsa vitin e fundit e ka përfunduar me mësim në shtëpi.
Përveç rezultateve akademike, Cheema ka diplomë muzikore ekuivalente me nivelin universitar (AMusTCL), medalje të arta nga LAMDA në Aktrim dhe oratori, si dhe është anëtare e Mensa-s. Projekti i saj EPQ, i vlerësuar me 100%, u përfundua për vetëm dhjetë ditë.
Në vitin 2023, Kryeministri i Pakistanit Shehbaz Sharif dhe ish-kryeministri Nawaz Sharif e përgëzuan personalisht për arritjet e saj, duke i dhuruar një MacBook që ajo përdori për intervistat në Oksford. Mahnoor do të nisë studimet në mjekësi këtë tetor.



Mahnoor Cheema është një simbol frymëzimi për të rinjtë, veçanërisht për vajzat muslimane, duke dëshmuar se përkushtimi dhe pasioni mund të çojnë drejt majave të dijes dhe suksesit ndërkombëtar.