Në Gjakovë hapet ekspozita “Kujtesë në fotografi”



Në Galerinë e Arteve në Gjakovë u hap sot ekspozita me titull "Kujtesë në fotografi", e cila sjell para publikut një dokumentim të fuqishëm vizual mbi shkatërrimin e xhamive dhe objekteve të tjera fetare islame në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë gjatë luftërave të viteve '90.
Ekspozita, e organizuar nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, dëshmon përmes fotografive autentike dhunën sistematike dhe të planifikuar ndaj trashëgimisë fetare dhe kulturore islame, një akt i qartë sakralocidi që shoqëroi krimet e luftës.
Në hapjen e ekspozitës morën pjesë përfaqësues të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, drejtori i Institutit për Studime dhe Hulumtime Islame Sabri Bajgora, kryeimami Vedat Sahiti, kreu i Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjakovës, si dhe përfaqësues të institucioneve komunale të Gjakovës.
Në fjalën hapëse, kryeimami i Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjakovës, Visar ef. Koshi, theksoi qëllimin e ekspozitës:
"Qëllimi i ekspozitës, të organizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës bashkë me Rijasetin e Bosnjë e Hercegovinës, është ndërgjegjësimi i popullatës për të mos harruar historinë e këtyre vendeve."
Ai shtoi se fotografitë e ekspozuara tregojnë pasojat e pasluftës që shpesh mbeten të harruara, por që janë të dokumentuara në historinë e popullit.
Në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës foli Sabri ef.Bajgora - drejtor në IHSI, icili vuri në dukje rëndësinë e ekspozitës:
"Kjo ekspozitë flet më shumë se 1000 fjalë, sepse është vështirë të përshkruhen të gjitha tmerret që përjetoi popullata e Kosovës, duke parë vrasjet, masakrat, djegiet dhe shkatërrimet e objekteve të tyre fetare, me të cilat objekte ne jemi identifikuar si popull me kulturë dhe civilizim duke qenë gjithmonë të zotët e këtij vendin. Por, për fat të keq fqinjët tanë dëshiruan që nëpërmjet shkatërrimit të objekteve tona fetare ta zhduknin të kaluarën tonë dhe identitetin tonë."
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për qytetarët e Gjakovës deri të premten më 30. Janar 2026, duke u dhënë mundësi vizitorëve të njohjen nga afër me materialet e ekspozuara dhe mesazhet që ato përcjellin










Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Rikthimi te rrënjët, vakëfi dhe historia që u ringjall në konferencë