Është hapur regjistrimi i interesimit për blerjen e 120 njësive luksoze të banimit në projektin Fairmont Residences Rua Al Madinah, pranë Xhamisë së Pejgamberit a.s. (Masjid an-Nabawi) në Medine.
Projekti është i pari rezidencial i markës Fairmont në Medine dhe pjesë e zhvillimit të madh Rua Al Madinah, në pronësi të Fondit Publik të Investimeve të Arabisë Saudite.
Rezidencat do të vendosen në dy ndërtesa që përfshijnë edhe 250 dhoma hoteli. Pronarët do të kenë në dispozicion shërbime të nivelit hotelier, përfshirë recepsion privat, shërbim concierge, palestër, sallon dhe klub për fëmijë. Disa prej njësive ofrojnë pamje nga sheshet pranë Xhamisë së Pejgamberit a.s.
Regjistrimi është i hapur për shtetasit sauditë dhe myslimanët e shtetësive të tjera, qofshin rezidentë apo jo-rezidentë në Arabinë Saudite.
Jo-myslimanët nuk mund të zotërojnë prona në Medine. Në varësi të rastit, pronësia mund të jetë e plotë ose përmes të drejtave afatgjata të uzufruktit.
Për momentin, çmimet nuk janë bërë publike. Blerësit potencialë do të marrin më vonë informacion mbi çmimet, sipërfaqet e njësive dhe planet e pagesës.
Rua Al Madinah është një nga projektet më të mëdha të zhvillimit urban pranë Xhamisë së Pejgamberit a.s. Kompleksi shtrihet në rreth 1.5 milionë metra katrorë, në lindje të Xhamisë, ndërsa masterplani i tij u prezantua në vitin 2022.
Projekti synon të zhvillojë hotele dhe struktura të reja akomoduese deri në vitin 2030, ndërsa rreth 63% e sipërfaqes është planifikuar për sheshe të hapura dhe hapësira të gjelbra.
120 rezidencat Fairmont përbëjnë ofertën e parë të pronësisë së banesave brenda projektit Rua Al Madinah.