Pasuria e vërtetë


Në një fshat të vogël jetonte një njeri shumë i varfër. Ai nuk kishte para, shtëpi të madhe, e as ushqim të mjaftueshëm. Çdo ditë e kalonte duke menduar për varfërinë e tij dhe për gjërat që nuk i kishte.
Një ditë, i lodhur nga jeta dhe i dëshpëruar, vendosi të shkonte te një njeri i urtë që jetonte në skaj të fshatit. Njerëzit e vizitonin shpesh, sepse ai dinte t'u jepte këshilla që i ndihmonin ta shihnin jetën ndryshe.
Kur arriti pranë tij, i varfri e pyeti:
- Përse jam kaq i varfër?
I urti e pa me qetësi dhe iu përgjigj:
- Sepse nuk je mësuar të dhurosh.
I varfri u habit.
- Si mund të dhuroj unë, kur nuk kam asgjë? Unë mezi siguroj atë që më nevojitet për të jetuar.
I urti buzëqeshi dhe i tha:
- Ti mendon se pasuria matet vetëm me para. Por, në të vërtet, ti ke shumë gjëra që mund t'ua dhurosh të tjerëve.
Pastaj vazhdoi:
- Ke një fytyrë me të cilën mund t'u dhurosh njerëzve një buzëqeshje.
- Ke një gojë me të cilën mund të japësh një fjalë të mirë, urtësi dhe ngushëllim dikujt që është i mërzitur.
- Ke një zemër që mund ta hapësh për të tjerët. Mund të duash, të falësh dhe të tregosh mirësi.
I urti vazhdoi:
- Ke edhe sytë me të cilët mund të shohësh të mirat tek njerëzit, edhe atëherë kur të tjerët shohin vetëm gabimet e tyre.
Pastaj shtoi:
- Dhe ke një trup me të cilin mund të ndihmosh dikë që ka nevojë për ty.
I varfri heshti. Për herë të parë, filloi ta shikonte veten ndryshe.
Ai kishte menduar gjithë jetën se ishte i varfër sepse nuk kishte para. Por tani kuptoi se kishte diçka shumë më të çmuar: mundësinë për të bërë mirë.
Që nga ajo ditë, ai filloi të buzëqeshte më shumë, t'u fliste njerëzve me fjalë të mira dhe të ndihmonte këdo që kishte nevojë. Nuk u bë i pasur me para, por u bë i pasur me dashuri, respekt dhe mirësi.
Dhe atëherë kuptoi fjalët e të urtit:
- Njeriu nuk është i varfër sepse nuk ka pasuri. Varfëria më e madhe është varfëria e shpirtit.


 


Pasuria e vërtetë nuk matet me atë që kemi në duar, por me atë që kemi në zemër dhe me të mirën që mund t'u japim të tjerëve.


Nuk ka artikull pas ketij.