Shtypi manipulon shaminë

Allahu nuk e prish gjendjen e një populli (nuk ua largon të mirat ) përderisa ata ta ndryshojnë veten e tyre… (Er –Ra’d: 11).

Gjatë muajve e ditëve të kaluara kishim probleme të njëjta si sot, me temë “Si dhe a duhet të hyjë apo të futet lënda e edukatës fetare në shkolla publike”, një temë kjo mjaft e diskutueshme, po përsëri vazhdojnë probleme të njëjta e të vazhdueshme, vetëm tash me temën ”A duhet të hyjnë dhe të lejohen apo jo vajzat e mbuluara me shami në shkolla publike”? Nuk ka më rëndë sesa në vendin ku ke lindur e jeton, të mos posedosh të drejtat më parësore, e lëre ato dytësore.
Më kujtohen ditët kur ishim të okupuar dhe gjithnjë mendonim se një ditë, nëse do të vinte, nëse do bëheshim të lirë, - do të kishim të gjitha të drejtat që nuk i kemi pasur e sot?…...
E pyes veten dhe të tjerët: Ku jemi ne sot? A jemi të lirë dhe a i posedojmë të drejtat që ëndërronim dikur?!


Shamia problem aktual

Sot jetojmë në një kohë mjaftë dinamike, kur zbehen vlerat shpirtërore tek njeriu e ne mundohemi t’i sqarojmë e të flasim për çështje që janë të ligjësuara me kushtetutë, e nuk praktikohen fare. Kosova ka shumë probleme të tjera, për të cilat duhen folur, dukuri negative në shoqëri, si: droga ,duhani, alkooli, prostitucioni etj. etj., mirëpo, me keqardhje e them kohën që ka zënë të ftohet, në ditët në vijim e nxehën mediet e gazetat e ndryshme me manipulimin e çështjes së mbulesës, me si “afishe”: “A duhet të lejohen vajzat me shami nëpër shkolla publike”? Çfarë tolerance është kjo! Ku jeni ju që thoni se ne jemi shtet demokratik evropian dhe shtet shekullar, ku të gjithë qytetarët janë të barabartë dhe i posedojnë të drejtat e tyre, e këndej?...
Kur themi se jemi qytetarë të këtij vendi, atëherë edhe ne i themi se edhe ne duhet t’i kemi të drejtat e njëjta si nxënëset në shkolla.
Shtrohen pyetje, për të cilat ka përgjigje të shumta.
Pyes: Pse, i penguakan vallë, mësuesit e drejtorët tanë mbulesa a shamia? Pse nuk i pengon mësuesit e drejtorët e shkollave kur nxënëset e tyre shkojnë në shkollë të zbuluara, gjysmë-lakuriqe?A nuk e thyejnë ligjin ato?! Pse ... e pse nuk i pengojnë ata shumë dukuri negative, si:droga, dhuna, huliganizmi, prostuticioni ,alkooli etj., që janë përhapur gjithandej.
Në shkolla mësimit duhet t’i paraprijë edukimi e jo dhuna. Ministria e arsimit, në vend që të marrë masa për parandalimin e këtyre dukurive negative në shkolla, bën të kundërtën, shkel të drejtën e besimit dhe të arsimimit.
Shamia, siç e dimë, ishte diskutuar në disa shtete evropiane, si në Turqi, Francë etj., dhe atje nuk u alarmua shtypi, kurse në Kosovë?
Pyes përsëri: Çfarë lirie? Çfarë e drejt? Çfarë tolerance është kjo kur s’mund të shfaqim lirinë e fesë ashtu si dëshirojmë? Kur të thuash shtet demokratik, nuk është e drejtë, është padrejtësi t’i kufizosh mënyrën e veshjes së dikujt, ngase secili ka lirinë e vet për të zgjedhur. Këtë e kemi të ligjësuar në bazë të konventave ndërkombëtare, se duhet të ketë respekt për përfilljen e besimit në çfarëdo forme qoftë. Në shtetet e Bashkuara të Amerikës nëpër shkolla, universitete e në parlament etj. nuk e ndalojnë shaminë. Pyesim përsëri: Athua pse nuk e ndalojnë?
Sepse nuk kanë ligje apo për çfarë? Jo për atë, por më duket se ata e konsiderojnë se është çështje e fesë e një religjioni dhe, në anën tjetër, kanë respekt dhe ata kjo nuk i pengon asgjë, por një shqiptar që i përket të njëjtit religjion, e pengon shamia, a thua pse? Më duket se: ose nuk e njohin fenë e vet, ose nuk duan të
kenë respekt për fenë që i përkasin. Nxënëset nuk i kundërshtojnë ligjet, veçse ju i kundërshtoni të drejtat e tyre për shkollim. Nëse ato i mbulojnë kokat e tyre, nuk do të thotë se i kanë të mbuluara edhe mendjet e tyre, sepse shamia nuk është peng për shkollim dhe as për studim. Shamia është obligim fetar e jo simbol fetar; ne duam që ju të bëni dallimin në mes termave shami dhe ferexhe.
Profesorët tanë i pyesim?
Mos harruat dhembjet e okupatorit kur na përjashtonin nxënësit tanë nga shkollat e studentët nga fakultetet?! E tani këtë e bëni vetë! Mendoj se e vetmja zgjidhje për ta ruajtur qetësinë fetare, është respektimi dhe toleranca e të drejtave të njeriut për të shfaqur lirinë e fesë ashtu si dëshiron secili, sepse qëndrimi i palëkundur i vajzave me shami është „Shamia obligim fetar - ku ishte dje, është sot dhe do të jetë në të ardhmen“.