Interneti ka dhe një anë tjetër ndryshe nga ajo e thyerjes së barrierave dhe kapërcimit të kufijve.
Sipas statistikave, në botë ka mbi 150 milionë[1] përdorues të kësaj teknologjie, fakt ky që paraqet një shans historik për përhapjen e mesazhit islam, sidomos tash kur dihet saktësisht se interneti ishte/është një ndër shkaktarët kryesor që me mijëra njerëz anembanë globit të shqiptojnë deklaratën islame: La ialhe il-la Allah, Muhammedun resulullah! (Nuk ka zot të adhuruar përveç Allahut ndërsa Muhammedi është i Dërguari i Tij!)
Thënë të vërtetën, në historinë e njerëzimit nuk pati ndonjë mjet informimi më me fat se interneti në shpejtësinë e përhapjes, familjarizimin me njerëz dhe ndikimin e madh tek ata, pa marrë parasysh se nga çfarë radhësh vijnë dhe ç’ide bartin. E veçanta e internetit fshihet në informacionet e shumta dhe të larmishme me të cilat disponon, e qasja në të cilat nuk paraqet ndonjë vështirësi a barrierë, qoftë kjo në vend apo në kohë. Studimet presin që shifra e përdoruesve vitet në vijim të tejkalojë 150 milionëshin: njerëzit sot internetin e shohin si burimin e parë dhe njëherësh me të preferuarin të tyre për informacion. Jo vetëm kaq, fuqia e internetit tashmë ka diskualifikuar dhe i ka vënë në perëndim (fund) mjetet tradicionale të informimit gazetat, revistat, radiot, siç bënë ato me mjetet informative klasike para tyre. Padyshim se pretendime të guximshme si ky nuk shfaqen (lindin, thuhen) rastësisht, patjetër duhet të ekzistojnë shkaqe të fuqishme që internetin ta bëjnë të aftë për të shkatërruar perandori të tëra informacioni të krijuara ndër shekuj.
Në vijim disa prej shkaqeve që pa asnjë mëdyshje a kundërshtim internetin e favorizojnë si mjeti informativ i së ardhmes, e rrjedhimisht edhe mjeti më i mirë i përhapjes së Daues në rrugën e Allahut dhe fesë islame.
1. Universalizmi gjeografik
Interneti tejkalon të gjitha barrierat gjeografike dhe territoriale që për shumë kohe privuan njerëzit nga informacione, ide, shkëmbim njohurish, etj. është e ditur se pjesë e barrierave gjeografike është edhe:
- aspekti ekonomik, në kuptim të transportit të materialeve të botuara nga një në vendin tjetër;
- ideologjik –kulturor, në kuptim të stopimit të disa ideve a kulturave të caktuara nga disa shtete për të hyrë në territorin e tyre.
Ndërsa sot shumë long vehicle (ngarkesa të mëdha) njohurish në formate elektronike kalojnë kufijtë pa pengesë. Kjo, sigurisht se përmban mirësi dhe dobi të shumta, mobilizimi i të cilave do të mund të bëhej në fushën e Daues.
2. Universalizmi kohor
Shpejtësia e qasjes në informacione jo vetëm që të kursen kohën por njëherësh të bën të barabartë me të gjithë njerëzit e globit, dhe kështu ti e ndien veten se je duke jetuar në epokën e barazisë informative.
3. Interaktiviteti (Bashkëveprimi)
Mjetet tradicionale të informimit lexuesin e trajtojnë vetëm si palë pranuese, roli i të cilit përkufizohet në marrjen e asaj që të ofrojnë dhe humbjen e pjesës tjetër që nuk të është ofruar. Mu për këtë, ata janë që përcaktojnë se çka do të lexojmë, çka do të dëgjojmë, çka do të shohim, gjë kontradiktore plotësisht me rastin e internetit ku ti vendos se ç’informacion dëshiron ta kesh dhe kohën kur. Madje jo vetëm kaq, mundësia e kalimit nga pritës (lexues) në dërgues (krijues lajmi) nëpërmjet forumeve të ndryshme është shumë e madhe. Kjo doemos se ka rëndësi në dialogun fetar dhe ndërfetar ndërsa neve si muslimanë na mbetet të eksplorojmë mundësitë që kjo teknologji na ofron për Dauen Islame.
4. Shërbimi falas
Qasja falas në internet, plotësisht, ende nuk ka ndodhur porse pritet në vitet në vijim të ndodhë. Sot shumë modele tregtie kanë filluar të kristalizohen në mënyrë shoqërisë t’ia mundësojnë që në shërbimin e internetin të llogarisin si shërbimi themelor në jetë, e i cili do të sigurohet (ofrohet) falas ose pothuajse falas. Në perëndim mundësia e qasjes 24 orë dhe për një muaj ofrohet për vetëm 20 dollar, që as për shtresat e mesme nuk është shumë e madhe...
Interneti tashmë nuk shfrytëzohet vetëm në kompjuter në shtëpi apo zyrë, atë mund ta përdorësh edhe jashtë në mjete të ndryshme, si telefona, etj. kështu me internetin do të jesh në lidhje në çdo vend dhe kohë, do të përcjellësh lajmet, tregun dhe të evokosh informacionet e rëndësishme në kohën e duhur.
5. Shumëaplikueshmëria e tij
Shembujt që përmendëm më parë për mundësinë e përdorimit të internetit janë vetëm ilustrues, ndryshe shërbimet që ofron interneti janë shumëfish më shumë. Nga aplikimet arsimore dhe edukative që fëmijët tanë i përdorin për mësim dhe zbulim të botës, shërbimet e komunikimit (e-mail-at, chat-at apo dhomat e bashkëbisedimit), aplikimet tregtare që vërtet botën e kanë shndërruar në një treg të vogël, e deri tek faqet informative, arsimore, akademike dhe referuese që studiuesi a hulumtuesi mund t’i përdor në fusha të ndryshme njohurish, janë njëherësh fusha ku thirrësit muslimanë mund të fokusohen për përhapjen e fesë sonë të pastër...
6. Përdorimi i lehtë
Nuk ke nevojë të jesh ekspert teknologjik, inxhinier apo programues në mënyrë që të përdorësh internetin. Jo, jo, e tëra që të duhet janë ca orë me ndonjë mik për të mësuar njohuritë themelore të përdorimit.
Përse internetin?
Ngase të është dhënë mundësia që, në vend se Islami të prezantohet nga të tjerët i shtrembëruar siç ndodhë në të vërtet, të prezantohet realisht siç është, dhe këtë duke përdorur teknologjinë e kohës, pjesë e së cilës është edhe interneti. Kjo mundësi, për të cilën Allahu inspiroi njeriun, që përshkon distanca në shpejtësi marramendëse dhe depërton në shtëpi të njerëzve është shans historik për punonjësit në fushën e Daues për të depërtuar tel njerëzit dhe për t’iu thënë: Ja, kjo është feja, ky është misioni ynë! Kështu do të jenë dëshmitarë për njerëzit.
Ah çfarë amaneti na është ngarkuar (dhënë)!!!
O Hoxhallarë dhe ju Thirrës! Keni frikë Allahun në Daue! (Punoni ngase teknologjia është duke punuar në favor tuajin!)
[1] Shifrat janë të vjetra, ndryshe vetëm në Evropë, ka mbi 400 milionë përdorues të rregullt të internetit. Shih: http://www.botasot.info/def.php?category=33&id=98382.
Titulli në origjinal: 6 (sittetu) esbabin texhalu’l internete fi mukaddimeti vesaili’d daueti ila-Allah
Burimi: http://saaid.net/afkar/85.htm
Përshtati në shqip: Sedat Islami