Xhamia e Winterthurit ndërton një shtëpi në Kosovë

Duke e parë gjendjen e rëndë sociale dhe varfërinë që ka kapluar një shtresë të popullatës në Kosovë, Xhamia e Winterthurit në Zvicër mori iniciativë që për familjen katëranëtarëshe të Hasim Pucollit nga Fushë Kosova, të ndërtojë një shtëpi.

Meqenëse kryefamiljari Hasimi, i papunë dhe i sëmurë kishte kohë që përmes ‘Radio Pendimit’ kërkonte ndihmë që ta ndihmojnë në sigurimin e një kulmi mbi kokë, xhamia e mori përsipër që ta ndihmojë këtë familje skamnore dhe nga fondi i vetë ndau 10.300 franga, duke siguruar ndërtimin dhe meremetimin komplet të kësaj shtëpie katërdhomëshe.

Që nga fillimi, përpos ndihmës me të holla, gjatë ndërtimit të shtëpisë atë e vizitoi edhe kryetari xhamisë, Nimetullah Salihi, për të parë për së afërmi punën dhe ndërtimin e saj, ku kjo pritet të përfundojë dhe të bëhet e gatshme për banim gjatë fillimit të muajit nëntor, me çka do të dorëzohen çelësat solemnisht. Kryefamiljari Hasimi edhe pse i sëmurë, nga gëzimi që ndjente sikur dukej që s’ka asnjë dhimbje në trupin e tij. Ja se çka deklaroi ai gjatë kohës kur kryetari i xhamisë e vizitoi këtë familje: “Nuk di se si t’ju falënderoj për ndihmën që më keni bërë. Allahu ju shpërbleftë me të mirat e tij. Kjo është dita më e lumtur në jetën time, edhe pse isha çdoherë në vuajtje dhe skamje, kam pas shpresë tek Allahu që ndihma një ditë do të vijë, dhe ja që sot kur shoh para syve të mi shtëpinë duke u ndërtuar, më duket sikur nuk ju besoj syve të mi. Nuk kam fjalë si t’ju falënderoj, kjo është një vepër me të vërtetë humane dhe solidare”.

Shembulli i kësaj xhamie është shembull qe tregon se në këtë xhami nuk behet vetëm falja e namazit, por edhe aktivitete tjera humane. Prandaj shembullin e saj do të duhej ta ndiqnin edhe tjerat shoqata kudo që janë. Nga kryesia e kësaj xhamie dhe imami Imran Ahmeti, morëm premtim që ky aksion do të vazhdojë çdo vjet dhe do të shtrihet në të gjitha trevat shqiptare pa dallim. Kryesia e xhamisë shpreh falënderim të veçantë për gazetën shqiptare në diasporë ‘Fakti Ditor’, për përkrahjen e saj mediale. Në muajin e ardhshëm kur do të bëhet dorëzimi solemn i çelësave të shtëpisë, të gjithë të interesuarit do të mund ta shohin edhe materialin filmik gjatë punimit dhe ndërtimit të kësaj shtëpie përmes ueb-faqes www.xhamia-winti.com.

Kryesia e xhamisë falënderon xhematin dhe të gjithë ata që në forma të ndryshme e kanë ndihmuar këtë aksion human dhe solidar. /fakti ditor/