“Në çfarë beson ai që nuk beson”, kjo ishte tema e cila mblodhi komunitetet fetare, mbrëmjen e 14 nëntorit në Oborrin e Takimit, në sheshin mbrapa hotel Dajtit. Oborri i Takimit është një hapësirë për dialog ndërmjet besimtarëve dhe jobesimtarëve.
Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të të gjithë komuniteteve fetare të Shqipërisë. Gjithashtu i pranishëm në këtë takim ishte edhe ministri i Turizmit Rinisë dhe Sporteve z. Aldo Bumçi, si dhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës z. Edmond Panariti. Përfaqësuesit e komuniteteve fetare iu përgjigjën pyetjes së moderatorëve se në çfarë beson ai që nuk beson, apo si do të ishte bota pa praninë e besimit?
Përfaqësuesit e këtyre komuniteteve pak a shumë u pikëtakuan në përgjigjet e tyre, duke vënë theksin se feja është paqe dhe se pa praninë dhe forcën e besimit bota do të ishte pa kuptim. Më pas përfaqësues të secilit komunitet fetar mbajtën fjalën përshëndetëse, që u pasua me performanca artistike.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë përfaqësohej nga nënkryetari z. Gazmend Aga, i cili në fjalën e tij theksoi se nderimi dhe fisnikëria e njeriut është bazë dhe themel i dinjitetit dhe rrjedhimisht i të drejtave të tij. Sipas fesë islame njeriu është aq madhështor dhe i ngritur sa që mund të jetë edhe mëkëmbës i Zotit në tokë. Në përfundim z. Aga e mbylli fjalën e tij me fjalët e Rumiut:
Bëhu si ujëvarë në bujari dhe ndihmë!
Bëhu si diell në dhembshuri dhe mëshirë!
Bëhu si natë për t’i mbuluar të metat e të tjerëve!
Bëhu si i vdekur në nervozizëm dhe zemërim!
Bëhu si dhé në thjeshtësi dhe përulësi!
Bëhu si det në mirëkuptim!
Ose, duku siç je, ose bëhu siç dukesh!
Pas fjalës përshëndetëse të nënkryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, në skenë doli kori i bashkuar medreseve, i cili nën dirigjimin e mjeshtrit Kujtim Alija shoqëroi këngëtarin Tedi Paçrami në ilahinë “Zot i lindjes dhe i perëndimit”. Performanca e tyre u shoqërua me duartrokitjet e të pranishmëve./Gazeta Drita Islame/