Është ky viti i njëmbëdhjetë me rradhë që Forumi Rinor Islam përmes një manifestimi solemn përkujton vitin e ri të kalendarit islam - Hixhrin.
Sikur edhe vitet e kaluara, edhe këtë vit Salla Universale në Shkup ishte e stërmbushur me dashamirët e FRI-së, duke filluar që nga përfaqësues të partive politike, zëvendësministra të qeverisë së shtetit, kryetarë komunash, donatorë, student, nxënës etj. Edhe ky program u fillua me ajete Kur’anore të interpretuara nga hafizi i njohur i trevave shqiptare nga Prizreni Daut Lezi. Të pranishmëve mirëseardhje u dëshiroi vet nikoqiri, kësaj rradhe nënkryetari i FRI-së, z. Zulqefli Sinani.
Të pranishmit në sallë, madje edhe telespektatorët nëpërmjet ekranit televiziv të kanalit shtetëror MTV 2, në mënyrë të drejtëpërdrejtë kishin rastin të përcjellin një program të pasur kulturor-artistik që filloi me filmin “Libraria e Sekreteve” që është një film edukativ i cili nxjerr në pah trashëgiminë shkencore dhe rolin e madh të civilizimit Islam në rrjedhat e përgjithshme të civilizimit njerëzor. Forumi Rinor Islam e solli atë ekskluzivisht të titruar në gjuhën shqipe.
“Jam Dëshmitar” dhe “Natën e mirë” janë dy tekste të përgatitur enkas për këtë manifestim nga autori I njohur kosovar Fatmir Muja, kurse aktorët Arsim Fazlija dhe Sara Tujani interpretuan për herë të parë para këtij publiku.
Me ilahi u prezantua i mirënjohuri në arenën ndërkombëtare, një interpretues i shkëlqyeshëm i ilahive, i cili enkas vetëm për këtë manifestim erdhi nga Britania. Ishte ky Nazil Azam.
Forumi Rinor Islam edhe sivjet, ashtu sikur edhe vitet e kaluara, bëri ndarjen e mirënjohjeve për disa personalitete, të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyera në fushën e arsimimit dhe edukimit, apo të cilët kanë qenë pjesë e aktiviteteve që ka organizuar Forumi Rinor Islam. Të dekoruarit e sivjetmë ishin: Post Mortum Rafiz ef. Hoxha nga fshati Rashçe e Shkupit dhe Mehmetriza Murtezani – Gega. U dekoruan edhe zonja Nermine Çoroli, gazeta e përditshme KOHA dhe kompania BBB MEDIA. Ky është viti i tretë me radhë që Forumi Rinor Islam ndau dekoratën “Shkencëtari i ri i vitit”, për arritjet në lëmi të ndryshme në moshë rinore. Kjo dekoratë sivjet iu nda një doktori të ri të shkencave, i cili ka doktoruar në moshë 26 vjeçare. Është ky Doc. Dr. Agim Mamuti. Forumi Rinor Islam sivjet për herë të parë ndau edhe një dekoratë tjetër. Kjo mirënjohje ka të bëjë me një dhunti të madhe të Zotit dhe arritje të pakrahasueshme - mësimin përmendësh të Kur’anit Fisnik. Pra, u dekoruan hafizi dhe hafizeja e vitit Zulejha Zenuni nga Shkupi dhe Muhamed Jusuf Memedi nga Tetova.
Përveç kësaj, siç është bërë tanimë traditë për këtë manifestim, u bë edhe shpallja e nxënësve më të mirë të një numri të konsiderueshëm të shkollave të mesme të disa qyteteve të Maqedonisë si dhe shpallja e studentëve më të dalluar të disa fakulteteve nga Universiteti i Shkupit, Universiteti Shtetëror i Tetovës, Universiteti i Evropës Juglindore, Universiteti FON dhe Universiteti i Manastirit.
Në mesin e studentëve me notë mesatare u dalluan ata që kishin 10.00 këto ishin studentët:
Mirlinda Jakupi, studente e Fakultetit Juridik, Admir Brava, student i Fakultetit Ekonomik, Rijad Arifi, student i Fakultetit të Shkencave Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare të gjithë pranë Universitetit FON.
Arlind Musliu, student i Fakultetit të Shkencave Teknologjike Bashkëkohore,
Drejtimi Informatikë, pranë Universitetit të Evropës Juglindore dhe Zejnep Mustafovska, studente e Fakultetit Ekonomik pranë Universitetit “Kliment Ohridski” në Manastir.
Për të gjithë ata, Universiteti FON me ndërmjetësim të Forumit Rinor Islam siguron bursë të plotë dyvjeçare postdiplomike për të studiuar pranë këtij universiteti.
Ky ishte edhe një nga mega projektet që me sukses realizoi FRI-ja i përkrahur nga donatorët të cilëve u jemi mirënjohës.
Zyra për Marrëdhënie me Publikun pranë FRI-së