Është me rëndësi të jemi të vetëdijshëm për ndryshimet e lëkurës që ndodhin gjatë ekspozimit në të ftohtë.
Ngrirjet janë dëmtime lokale akute të lëkurës dhe të indit nënlëkuror të shkaktuara nga të ftohtit. Dëmtimet shkaktohen pas ekspozimit të zgjatur në temperaturat e ftohta ekstreme. Më së shpeshti preken pjesët periferike të trupit: hunda, veshët, gishtat, duart dhe këmbët.
Lëkura e ngrirë është e fortë në të prekur, e zbehtë, e ftohtë dhe në atë moment personi nuk ndien asgjë. Nëse personin e ngrirë e ngrohim, lëkura e prekur do të skuqet dhe do të jetë shumë e dhimbshme. Në rastet ekstreme mund të shfaqen fluska, gangrena dhe dëmtime të thella të indeve në tetiva, muskuj, nerva, dhe në eshtra. Shpejtësia me të cilën zhvillohen ngrirjet dhe shkalla e ashpërsisë së tyre varet nga temperatura, ndikimi i erërave, shkalla e lagështisë në ajër...
Ngrirjet shpeshherë vijnë bashkë me ftohjen (hipoterminë), gjendje e rrezikshme për jetën e shkaktuar nga ekspozimi në temperaturat e ulëta ekstreme. Në simptomet e hipotermisë përfshihen ethet, ngurtësia e muskujve, fryrja e fytyrës, koordinimi i dobët, konfuzioni dhe niveli i ulët i vetëdijes.
Ja se çfarë duhet bërë në rast të ngrirjes dhe hipotermisë së trupit:
Personin e ngrirë duhet dërguar në një dhomë të ngrohtë dhe duhet hequr të gjitha rrobat e ngushta që e shtrëngojnë. Duart e ftohta duhet t’i ngrohen mes kofshëve, ndërsa këmbët apo hunda duhet t’i mbulohen dhe t’i ngrohen me duar. Por, nëse ngrirjet janë të thella dhe janë formuar fluska, ato nuk duhet të shpërthen, por duhet të mbulohen me gazë sterile.
-Nëse këmbët janë të ngrira, ecja nuk rekomandohet. Pjesët e ngrira duhet të imobilizohen në mënyrë standarde, por kurrsesi nuk duhet t’i shtrëngohen gjymtyrët. Personin i ngrirë duhet shtrirë, ndërsa këmbët duhet t’i ngriten në një pozitë më të lartë.
- Nuk duhet t’ i fërkohen pjesët e ngrira të trupit me dëborë apo me duar, ose me ndonjë petk të zhytur në ujë të nxehtë, sepse në këtë formë do t’i përkeqësohet gjendja dhe do t’i shkaktohen infeksione.
- Pjesët e ngrira nuk mund të ngrohen shpejtë me ujë të nxehtë. Personin e ngrirë së pari duhet ngrohur nga "brenda", me çaj ose supë të nxehtë, e pastaj mund t’i ngrohen pjesët e ngrira të trupit me ujë të vaktë (e kurrsesi me të nxehtë - temperatura duhet të jetë rreth 15 gradë). Pasi ofrimit të ndihmës së parë mos humbni kohë, por menjëherë kërkoni ndihmën e mjekut.