Në Zarë është hapur Qendra Islamike

Besimtarët e komunitetit musliman në qytetin e Zarës, tashmë një vjet, kanë objektin e tyre fetaro-islam, falë angazhimit të vetë besimtarëve musliman që jetojnë dhe veprojnë në rrethin e Zarës, shqiptar, boshnjak etj, dhe mbështetjes financiare nga donatorët e jashtëm.

Në veçanti vlen të përmendet familja Shefki Aliut dhe vëllezërve të tij nga rrethi i Tetovës, që jetojnë dhe veprojnë në këtë rajon, por pa nënvlerësuar edhe kontributet e të tjerëve.

Lidhur me këtë objekt fetar dhe kulturor, nga takimi me imamin e kësaj qendre islamike e cila akoma është në formim e sipër, Qamil ef. Bashiq, u informuam se ky objekt disponon me ambientet e faltores-për lutjet fetare (namazin), ambientet e banimit të personelit, ambienteve administrative dhe ambienteve tjera që janë të nevojshme për funksionim të plotë.

“Kjo qendër është në kuadër të Bashkësisë fetare islame në Kroaci dhe shërben për besimtarët e këtushëm, numri i të cilëve është variabël, varësisht nga sezoni dhe periudha e vitit”- u shpreh imami Qamil ef.Bashiq, në fillim të bisedës dhe shtoi: “Më parë, besimtarët e komunitetit musliman, edhe pse kanë pas nevojë për shërbime fetare, qofshin ato rite, adete ose për raste vdekje, nuk kanë pas mundësi tjera, pos të kërkojnë ndihmë nga qendrat islamike në Rijekë, Split ose Zagreb. Tani, është siguruar objekti, që është blerë për këtë qëllim me ndihmën dhe kontributin e besimtarëve, por edhe falë donatorëve nga jashtë, siç është rasti me donatorin nga Katari, i cili përballoi pjesën më të madhe të mjeteve për blerjen e këtij objekti, por për fat të keq, nuk arriti ta vizitojë personalisht këtë vepër, sepse në ndërkohë ndërroi jetë-ndjesë pastë”-tha imami Bashiq.

Qamil ef.Bashiq, në vazhdim të bisedës, theksoi se krahas objektit të xhamisë, janë duke u bërë përpjekje edhe për lokacion për nevoja të varrezave muslimane, me shpresë se do t`ia dalin mbarë. “Jemi jetësisht të interesuar që të gjejmë një lokacion për varreza muslimane, sepse deri më tani, gati të gjitha rastet janë transportuar në vendlindjen e personit të ndjerë dhe në raste të shumta me shpenzime të larta. Për këtë qëllim jemi në negociata për mundësinë e një lokacioni në rajonin e fshatit Crno, jo larg Zarës dhe besojmë se edhe këtë do të përmbyllim me sukses”-tha imami i xhamisë në Zarë, Qamil ef.Bashiq.
Pasi të sigurohet lokacioni për varreza muslimane, mbetet edhe ndërtimi i minares së xhamisë, që tani për tani nuk e shohin si ndonjë nga prioritetet e domosdoshme, por janë të koncentruar që kjo qendër islamike të bëhet sa më funksionale dhe sa më efektive për besimtarët e komunitetit musliman që jetojnë në Zarë. /INA/