Pijet freskuese që deri më sot janë njohur si jo alkoolike në fakt kanë përmbajtje alkooli.
Hulumtuesit francezë kanë zbuluar se Coca-Cola dhe Pepsi përmbajnë gjurmë alkooli. Ky hulumtim mund të jetë shqetësim për miliona konsumatorë të pijeve freskuese, si për arsye shëndetësore, ashtu edhe për ato fetare.
Sipas testeve të realizuara nga Instituti Kombëtar i Konsumit në Francë, të publikuara në revistën “60 Million Consumers”, del se Coca-Cola dhe Pepsi kanë një nivel alkooli 0.001%. d.m.th. secili paketim i pijeve në vete përmban këtë përbërës, respektivisht 10 miligram për litër.
Michel Pepin, drejtor shkencor i Coca-Cola-s për Francë thotë se ka mundësi që sasia e alkoolit të vijë nga procesi sekret për prodhimin e pijes. Megjithatë, ai insiston që pijet e këtij prodhuesi në thelb janë joalkoolike dhe që si të tillë janë pranuar nga qeveritë e vendeve në të cilat shitet.
“Për më tepër, xhamia e Parisit na ka pajisur me certifikatë, ku besimtarët muslimanë lejohen të konsumojnë pijen”, tha Pepin.
Një zëdhënës i Pepsit, ka bërë të ditur se disa pije freskuese mund të përmbajnë gjurmë të alkoolit për shkak të përbërësve që përdoren në prodhimin e tyre.
Të dy kompanitë insistojnë se ekziston mundësia që frutat natyrale, të cilat përdorën në prodhimin e lëngjeve, mund të fermentojnë apo prodhojnë sasi të vogla të alkoolit.
Megjithatë, një përqindje e tillë, ndonëse e papërfillshme, mund të ngjallë reagime të ashpra të komuniteve muslimane në botë e madje mund të sjellë edhe një bllokadë ndaj pijes prej vendeve muslimane, ku “Coca-Cola”, “Pepsi” dhe produktet e tjera të ngjashme janë në modë.