Mbremje Kur'anore në Shkup‏

Me datë 16.08.2012, në zemrën e Çarshisë së Vjetër të Shkupit, në hapësirat e Suli Anit, tashmë tradicionalisht, në muajin e shenjtë të Ramazanit po jehon fjala e All-llahut.

Për këtë u përkujdes Forumi Rinor Islam – Dega Shkup duke organizuar një mbrëmje Kur’anore me hafizllarët më të njohur të trojeve shqiptare si: Hafiz Daut Lezi nga Prizreni, Hafiz Kreshnik Abdullai nga Podujeva, Hafiz Egzon Ibrahimi dhe Hafiz Xhemail Nuhiu nga Shkupi, të gjithë këta pjesëmarrës dhe të shpërblyer nëpër gara të ndryshme botërore.
Ky aktivitet tërhoqi interesimin e shumë vizitorëve në Çarshinë e Vjetër të cilët ndoqën me vëmëndje performancat e hafizllarëve. Mbrëmja Kur’anore filloi me një fjalim përshëndetës të kryetarit të FRI-së, z. Fevzi Musliut cili ndër të tjerash bëri një përmbledhje të të gjitha aktiviteteve që Forumi Rinor Islam i realizoi gjatë muajit të Ramazanit, në kuadër të kampanjës “Ramazani, muaj i fitoreve” .
Me të vërtetë kjo natë e bukur e dhjetë ditëshit të fundit të muajit të shenjtë të Ramazanit ishte një fitore e madhe, ngaqë Kur’ani, fjala e All-llahut pushtoi zemrat e pjesëmarrësve. Këndimin e parë të ajeteve nga Kur’ani Famëlartë e bëri hafizi i talentuar nga Podujeva , hafiz Kreshnik Abdullai. Më pas pasoi edhe embëlsira e kësaj mbrëmje, hafizi i ri Egzon Ibrahimi nga Ferizaji i cili me performansën e tij fitoi zemrat e pjesëmarrësve. Gjithashtu në mesin e hafizllarëve të njohur ishte edhe Xhemail Nuhiu, njëri nga zërat më të mirë në Maqedoni dhe më gjërë dhe në fund kjo mbrëmje e këndshme përfundoi me një paraqitje të rrallë, me plot emocion nga hafizi Daut Lezi nga Prizreni.

Zyra për Marrëdhënie me Publikun pranë Forumit Rinor Islam