KMSH në konferencën “Komunitetet fetare në Shqipëri: bashkëjetesa është e mundshme” në Ravvena të Italisë

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, së bashku me përfaqësues të lartë të komuniteteve të tjera fetare në Shqipëri, si dhe përfaqësues nga Akademia e Shkencave, Komiteti Shtetëror për Kultet, Universiteti i Tiranës, etj. kanë marrë pjesë në konferencën “Komunitetet fetare në Shqipëri: bashkëjetesa është e mundshme”, organizuar në Ravvena të Italisë nga Universiteti i Bolonjës në datat 18 dhe 19 tetor 2012.

Shkas për këtë konferencë është bërë libri i Prof. Giovanni Cimbalo me titull: “Pluralizmi konfesional dhe komunitetet fetare në Shqipëri”, i cili është promovuar gjatë kësaj konference.

KMSH në këtë takim është përfaqësuar me një delegacion të përbërë nga kancelari i KMSH-së z. Ali Zaimi dhe Drejtori i Kulturës dhe Dialogut Ndërfetar në KMSH z. Genti Kruja.

Takimi është hapur në sallën historike të Bashkisë së Ravennës, ku fjalën e rastit e mbajti kryetari i bashkisë së qytetit, i cili theksoi se qyteti i Ravennës historikisht ka qenë pikëtakimi mes Lindjes dhe Perëndimit, një qytet që ka mirëpritur emigrantë të shumtë, duke e bërë qytetin multikulturor dhe multifetar. Ai tha se ky është organizimi i dytë në këto nivele pas festivalit ndërkulturor dhe ndërfetar të zhvilluar 5 vjet më parë në këtë qytet. Në seancën e përshëndetjeve fjalën e ka marrë edhe prefekti i zonës, i cili ka vënë theksin në marrëdhëniet midis dy vendeve tona, Shqipëri-Itali, duke theksuar se deti Adriatik është një det që na bashkon. Më pas kanë përshëndetur edhe përfaqësues nga Universiteti i Bolonjës dhe filialit të tij në Ravenna.

Në emër të shtetit shqiptar ka përshëndetur edhe ambasadori i Shqipërisë në Itali z. Llesh Nikolla.

Pas seancës së përshëndetjeve konferenca ka vijuar me seancat e kumtesave, ku fillimisht fjalën e ka marrë Prof. Giovvani Cimbalo, i cili ka thënë se: “Shqiptarët duhet të jenë krenarë që janë shqiptarë.. Disa nga BE-ja mendojnë t’i mësojnë qytetërim shqiptarëve, por ata duhet të mësojnë nga shqiptarët për shkak të harmonisë dhe dialogut ndërfetar. Shqiptarët duhet të jenë një shembull për ato vende që bënë luftëra ekonomike dhe fetare në rajonin e Ballkanit”, ka thënë Prof. Cimbalo. Ai ka thënë ndër te tjera se, “Komuniteti Evropian e sheh Shqipërinë si të pamundur për zhvillim ekonomik dhe paqe ndërfetare, por është e kundërta...”

Më pas fjalën e ka marrë kancelari i KMSH-së z. Ali Zaimi, i cili ka theksuar se harmonia dhe mirëkuptimi ndërfetar në Shqipëri kanë burim fetar, sepse Islami i nxit njerëzit për paqe dhe bashkëjetesë, kode etike këto të sanksionuara mjaft mirë në Kur’an dhe Sunnet (tradita profetike).

Pas tij fjala i është dhënë drejtorit të Kulturës dhe Dialogut Ndërfetar në KMSH z. Genti Kruja, i cili nëpërmjet një prezantimi slajtesh ka argumentuar me ajete, hadithe dhe shembuj konkret qoftë nga jeta profetike, historia islame e kalifëve të drejtë dhe udhëheqësve të ndryshëm myslimanë, të cilët na kanë lënë një trashëgimi të pasur të harmonisë dhe mirëkuptimit ndërfetar, si një detyrë të fesë islame. Krahas kësaj, prezantimi ka vijuar me shembuj të shumtë nga toleranca dhe harmonia ndërfetare te shqiptarët përgjatë historisë së gjatë të bashkëjetesës.

Kumtesat kanë vazhduar me përfaqësues të tjerë të komuniteteve fetare në Shqipëri, si dhe të botës akademike nga Shqipëria dhe Italia.

Delegacioni i KMSH-së ka zhvilluara gjithashtu edhe një takim me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Itali z. Llesh Nikolla, me të cilin kanë zhvilluar një bisedë të ngrohtë në lidhje me problemet e emigrantëve shqiptarë në përgjithësi, si dhe atyre myslimanë në veçanti, për t’i krijuar atyre kushte lehtësimi në kryerjen e riteve islame në vendin ku punojnë dhe jetojnë prej vitesh.

Kjo konferencë nuk ka qenë hera e parë, që harmonia ndërfetare tek shqiptarët bëhet temë studimi jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe jashtë saj. /kmsh.al/

[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/1_1350899215.jpg[/img]

[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/3_1350899240.jpg[/img]

[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/2_1350899257.jpg[/img]