Kryetarja e Kuvendit, znj. Jozefina Topalli në emër të Kuvendit të Shqipërisë, me rastin e 100 vjetorit te Pavarësisë, me dt. 26 tetor 2012 i dha Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, si dhe komuniteteve të tjera tradicionale fetare, përmbledhjen e akteve të shtetformimit, në shenjë respekti të thellë, mirënjohje të pakufishme, për veprën hyjnore dhe kontributin e pazëvendësueshëm të klerikëve shqiptarë, në formimin e gjuhës, atdhedashurisë, vetëdijes kombëtare e më tej të shtetit shqiptar, deri ne vetësakrifikim! Në shenjë nderimi dhe mirënjohje përjetësisht.
“Sot nderojmë të gjithë komunitetet fetare, nderojmë të gjithë ata që luftuan për lirinë e vendit, nderojmë firmëtarët e aktit të pavarësisë, nderojmë ata që luftuan për mësimin e gjuhës shqipe, nderojmë ata që kontribuan për mësimin e gjuhës shqipe, nderojmë të gjithë ata që kontribuuan në aktin e pavarësisë”- deklaroi znj. Topalli.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë merrte pjesë në këtë takim të zhvilluar në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, nga një delegacion i nivelit të lartë, kryesuar nga kryetari i KMSH-së H. Selim Muça, nënkryetari H. Bujar Spahiu, kancelari z. Ali Zaimi, si dhe disa anëtarë të Kryesisë së KMSH-së.
Librin e përmbledhjeve të akteve të shtetit shqiptar, i cili ka të stampuar logon e 100 vjetorit të pavarësisë, të larë në ar 18 karat, dhe prodhuar vetëm në 200 kopje, në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, e ka marrë në dorëzim kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë H. Selim Muça, i cili e ka falënderuar znj. Topalli për vlerësimin e Kuvendit ndaj figurave të shquara shqiptare të prijësve të shquar myslimanë, të cilët dhanë një kontribut të madh për formimin e shtetit shqiptar.
Në mënyrë të përmbledhur Kryetarja e Kuvendit lexoi një listë me emra të klerikëve shqiptarë që kontribuuan në themelimin e Shtetit Shqiptar, ku fillimisht u lexua shkurtimisht edhe një jetëshkrim i prijësve të shquar myslimanë siç ishin:
1. H. Vehbi Dibra (Agolli)
2. Hafiz Ali Korça
3. Sheh Ibrahim Karbunara
4. Hoxha Kadri Prishtina
5. Ymer Haxhi Prizreni
6. Ferit Vokopola
7. Xhemal Naipi
8. Hafiz Ibrahim Dalliu
9. Ismail Efendi Ndroqi
10. Said Najdeni
11. Zyber Halluli
12. Daut Boriçi
/dritaislame/